Shqipëria është i vetmi vend në rajon që nuk e ka diversifikuar infrastrukturën e transportit të brendshëm të mallrave, pasi më shumë se 99% e këtij procesi kryhet nga rrugët, çka krijon kosto të larta edhe për vendet e tjera që duan të përdorin Shqipërinë si një vend tranzit.
Sipas Observatorit të Transportit për Europën Juglindore, në një pjesë të mirë të vendeve të rajonit, transporti i mallrave nga hekurudha është dukë zënë një peshë të rëndësishme.
Në Serbi, transporti me hekurudhë zë 44% të transportit të përgjithshëm të mallrave në Malin e Zi pesha e hekurudhës në transport është 61%, pavarësisht zhvillimeve të fundit në ndërtimin rrugëve të reja.
Në vendet e tjera të rajonit ku transporti me hekurudhë është i dobët, kjo situatë lidhet me gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhet kjo alternativë transporti.
Shqipëria ka trashëguar nga periudha e komunizmit një rrjet të admirueshëm hekurudhor që shkonte deri në pikat kufitare dhe një vijë bregdetare të lakmueshme për të zhvilluar transportin ujor të mallrave, por në dy dekadat pas regjimit komunist, këto mundësi nuk kanë mundur të shfrytëzohen.
Vetëm në Serbi dhe Kroaci, transporti ujor (i brendshëm) zë një pjesë të konsiderueshme të transportit të mallrave (rreth 10%).
Serbia dhe të gjitha vendet e tjera të rajonit mund të shfrytëzojnë edhe më tej infrastrukturën ujore për transport mallrash. Lumi Danub duke kaluar në më shumë se 9 kryeqytete të Europës e favorizon dukshëm Beogradin.
Nga shekulli i 16 deri në fillim të shekullit të 20, rajoni ishte nën sundimin e Perandorisë Osmane, e cila në këtë periudhë ishte në rënie. Kështu revolucioni industrial erdhi vonë në Ballkan në krahasim me pjesën tjetër të Evropës.
Shqipëria ishte vendi i fundit europian që ka ndërtuar një hekurudhë në vitet 1917. Dëmet e Luftës së Dytë Botërore ishin të mëdha duke krijuar humbje njerëzore dhe materiale, nga më të mëdhatë ne Ballkan pas Bashkimit Sovjetik dhe Polonisë, duke e lënë rajonin plot gërmadha.
Më vonë, shpërbërja e Jugosllavisë, konfliktet e gjata me luftëra mes vendeve ishin në dëm të mirëmbajtjes dhe zgjerimit rrugor dhe hekurudhor.
Gjatë dekadës së fundit, përpjekje të mëdha janë ndërmarrë për të zgjeruar rrjetin rrugor në rajon. Në terma relativë, kjo përpjekje ishte më mbresëlënëse në Shqipëri dhe Kosovë, të cilat zgjeruan rrjetin e tyre të rrugëve (të ndryshme nga autostrada) me 45% dhe 21%, respektivisht nga viti 2005 deri në vitin 2014, ndryshe nga vendet e tjera të Rajonit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.