Më shumë se 90 kompani ishin pjesë e panairit “Agrobiznes 2011”, në të cilin vihej re rritje e ndjeshme e firmave të përpunimit të qumështit dhe të mishit.
Panairi ndërkombëtar u zhvillua për të nëntin vit radhazi, duke synuar nxitjen e biznesit vendës për promovimin e produkteve shqiptare të sektorit bujqësor, blegtoral dhe agropërpunimit
Ajo që binte në sy ishte padyshim numri i vizitorëve, të cilët nxituan të blinin ushqime vendase.
“Brenda dy ditëve, arrita të shes të gjithë sasinë e djathit që prodhoj. Ka pasur interes shumë të madh nga konsumatorët e kryeqytetit”, thotë Selman Voka, i cili ka një ndërmarrje të përpunimit të qumështit në zonën e Peshkopisë. Prej vitesh, Voka prodhon djathë tipik dhie, që ka një shije të veçantë të zonës.
Prodhuesi verior nuk ishte i vetmi që doli “i kënaqur” nga pjesëmarrja në panair. Edhe përpunuesi i thanës, Mark Gjoni, i cili tregton një produkt më të veçantë (lëngun e thanës) thotë se shitjet ishin shumë të mëdha.
Interes të veçantë pati për produktet “Pro Përmeti”, veçanërisht glikotë, tipike të zonës së Përmetit, të cilat tregtoheshin me një çmim 200-250 lekë/kavanozi.
Dyqan “lëvizës” për produktet tipike
Të konsumosh produkte të shëndetshme vendase është tashmë kërkesë e shumë qytetarëve të Tiranës.
Projekti SASA prezantoi pikërisht në “Agrobiznes 2011” – Dyqani Ushqimor Lëvizës, që i mundëson qytetarëve të Tiranës të konsumojnë ushqime të shëndetshme, të freskëta dhe tipike shqiptare. Produktet janë të gjitha shqiptare nga zona të ndryshme të Shqipërisë dhe të certifikuara bio ose sipas standardit “Garancia Shqiptare”.
Dyqani është brenda në një “furgon”, i cili lëviz në të gjitha zonat e populluara të Tiranës dhe qëndron 3-4 orë në një zonë. Ai do të ofrojë për konsumatorët produkte tipike shqiptare, që nuk kanë kimikate dhe ruajnë vlerat e zonave nga vijnë. “Nëpërmjet këtij projekti, synojnë të përmirësojmë mënyrën e të ushqyerit të qytetarëve të Tiranës dhe në të njëjtën kohë të krijojnë një profil të mirë lokal, që do të rrisë imazhin dhe besueshmërinë e konsumatorëve për produkte shqiptare.
Nëse ne i realizojmë të gjitha këto, përveç të tjerave do të mundësojmë rritjen e të ardhurave në zonat rurale, të cilat janë prodhuesit kryesorë të këtyre produkteve”, shpjegon Iris Kazazi drejtore e projektit për Shqipërinë.
Disa nga produktet që konsumatorët do të mund të konsumojnë përmes Dyqanit Lëvizës Ushqimor janë mjalti nga zona e Kukësit, Tropojës dhe Pukës, djathi dhe jufkat nga Peshkopia, gliko, verë dhe raki nga Përmeti, djathë nga Karaburuni, vaj ulliri nga Dushku, Vlora etj.
Fjali e veçantë
Interesi dhe shitjet e shumta në panairin “Agrobiznes 2011” ishin sinjali më i qartë për hartuesit e politikave bujqësore. Konsumatorët shqiptarë i duan prodhimet vendase dhe u besojnë atyre, por i gjejnë shumë pak në treg
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.