Tregu i sigurimeve të Jetës për periudhën janar – shtatopr 2016 u llogarit në rreth 667 milionë lekë ose rreth 3% më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë, sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Gjatë kësaj periudhe ritmi i rënies është ulur, pasi në fund të gushtit të këtij vitit ai ishte rreth 5%. Kështu tregu i Jetës vazhdon të performojë negativisht duke mos qenë e aftë t’i kthehet rritjes. Ky është një segment që zë rreth 6.3% të totalit të tregut. Edhe dëmet e paguara nga shoqëritë që operojnë në këtë treg gjatë të njëjtës periudhë u llogaritën me ulje në rreth 14% në krahasim me 9-mujorin 2015. “Jetë debitori”, një sigurim i cili lidhet drejtpërdrejtë me kredidhënien vazhdon të njohë rënie të primeve të shkruara bruto. Për periudhën 9-mujore kjo rënie u llogarit në rreth 16%, duke treguar edhe tendencën që po njeh huadhënia nga sistemi bankar. Në fund të shtatorit ky sigurim zinte rreth 57% të peshës ndaj totalit nga rreth 66% që zinte një vit më parë, çka tregon edhe shpejtësinë me të cilën po humbet terren. Rritje të lartë ka shënuar sigurimi “Jeta në grup” që lidhet me sigurimet shëndetësore që realizojnë kompani të ndryshme, siç është edhe ajo e TAP. Për periudhën janar – shtator 2016 pesha zë zinte në treg arriti në rreth 11.4% nga rreth 3.2% që zinte një vit më parë.
Sa i përket ecurisë së shoqërive që operojnë në këtë treg vihet re se vetëm Sigal Life Uniqa Gropup Austria ka pasur ecuri negative të primeve me rënie rreth 9.3%, duke e cuar peshën ndaj totalit në rreth 66% nga rreth 71% që zinte një vit më parë. Nga të dhënat e AMF-së rezulton se INSIG ka pasur një ecuri pozitive të primeve, me rritje në rreth 25.4%, duke e çuar peshën në treg në rreth 10% nga rreth 8% që zinte një vit më parë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.