DPT dhe DAP, institucione joefektive në ekzekutimin e vendimeve gjyqësore. Aktualisht janë rreth 380 ish-nëpunës të sistemit tatimor të larguar nga puna pas vitit 2000, për të cilët ekzistojnë vendimet përkatëse gjyqësore të formës së prerë në favor të tyre, por që ende figurojnë të pakthyer në punën e mëparshme
Nga Zija LIKA
Ndonëse me vonesë kohore të konsiderueshme dyvjeçare, ish-ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, në mbështetje të ligjit 152 / 2013 “Për nëpunësin civil” të ndryshuar, ka nxjerrë urdhrin nr. 5151, datë 28.10.2015 “Për zbatimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë nga institucionet e administratës publike, të përfshira në fushën e zbatimit të ligjit për shërbimin civil”.
Nëpërmjet këtij urdhri, është përcaktuar procedura që duhet të ndiqet nga ana e institucioneve përkatëse të administratës publike, të përfshira në fushën e zbatimit të ligjit të sipërpërmendur, lidhur me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë, për rikthimin në vendin e mëparshëm të punës apo pozicion pune të barasvlershëm (të të njëjtit nivel dhe kategori), të ish-nëpunësve civilë të larguar padrejtësisht nga puna, të cilët e konfirmojnë këtë të drejtë përmes këtyre vendimeve përkatëse gjyqësore.
Kjo procedurë përfshin ngritjen e një komisioni të posaçëm pranë secilit prej institucioneve përkatëse debitore, i cili duhet të shqyrtojë mundësitë e sistemimit (rikthimit) në një pozicion të rregullt pune të shërbimit civil, të ish-nëpunësve gjyqfitues, zotërues të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, ende të paekzekutuara.
Vetëm pas dërgimit nga komisioni i posaçëm tek Departamenti i Administratës Publike, të akt rekomandimit përkatës për sistemimin në punë të ish-nëpunësit civil gjyqfitues, ky i fundit (DAP) duhet të vijojë me nxjerrjen e aktit të emërimit.
Le të shohim se çfarë ka ndodhur në DPT Tiranë
Do të duhej të kalonin rreth 3,5 vite nga hyrja në fuqi e ligjit 152 / 2013 “Për nëpunësin civil”, apo 1,5 vite nga nxjerrja e urdhrit të detyrueshëm për zbatim, të ish-ministrit të Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike nr. 5151, datë 28.10.2015 “Për zbatimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë nga institucionet e administratës publike, të përfshira në fushën e zbatimit të ligjit për shërbimin civil”, që DPT Tiranë të nxirrte në zbatim të tij, urdhrin nr. 25, datë 24.04.2017 “Për ngritjen e komisionit të posaçëm, për zbatimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë nga administrata tatimore”.
Bazuar në këtë urdhër të DPT-së, komisioni i posaçëm i ngritur në zbatim të tij, në përfundim të shqyrtimit të kërkesave të gjyqfituesve (të cilat janë shpeshherë shumë të pakta, krahasuar me numrin e tyre) i propozon ish-nëpunësit civil (në rast se është e mundshme), sistemimin në një pozicion pune të të njëjtit nivel dhe kategori, në zbatim të dispozitivit të vendimit gjyqësor “titull ekzekutiv”.
Vetëm pasi ish-nëpunësi civil, shpreh pëlqimin për sistemimin në pozicionin e propozuar të punës, komisioni i posaçëm i DPT-së, i drejtohet DAP-it me akt-rekomandimin përkatës, për emërimin e tij në këtë pozicion. Po në rast se ish-nëpunësit civilë, zotërues të vendimeve gjyqësore të formës së prerë ende të paekzekutuara, nuk kërkojnë të rikthehen në punë apo nuk e japin pëlqimin për pozicionin e punës që ju ofrohet në bazë të këtij urdhri të sipërcituar (gjë e cila ka nivel shumë të lartë probabiliteti), çfarë duhet të ndodhë?!
Fatkeqësisht nëse ndodh kështu, në mënyrë krejtësisht të paligjshme bazuar në këtë urdhër, ndërpritet vazhdimi i mëtejshëm i procedurës përkatëse ligjore dhe të gjithë ata që refuzojnë rikthimin në pozicionin e propozuar të punës konform vendimeve përkatëse gjyqësore të formës së prerë, lejohen padrejtësisht në dëm të taksapaguesve shqiptarë, të vazhdojnë të trajtohen me dëmshpërblimin përkatës në mënyrë krejt të pakufizuar në kohë (deri sa të jetojnë), ndërkohë që ligjërisht vazhdimi dhe përfundimi i kësaj procedure ligjore, duhet ta ndërpresë menjëherë këtë dëmshpërblim financiar.
Përveç sa më sipër, vonesa shumë e gjatë kohore dhe plotësisht e pajustifikuar, në lidhje me ngritjen e këtij komisioni të posaçëm nga ana e DPT-së, të ngarkuar sipas urdhrit të sipërcituar me detyrimin ligjor të gjetjes së mundësive dhe vazhdimit të procedurave përkatëse në bashkëpunim me DAP, për rikthimin në punë të ish-nëpunësve civilë, konform vendimeve gjyqësore të formës së prerë ende të paekzekutuara, ngarkon me përgjegjësi ligjore, financiare dhe administrative, drejtuesit kryesorë të kësaj drejtorie të përgjithshme, si dhe ata respektivë të drejtorive të saj juridike, apo të burimeve njerëzore.
Të dhënat statistikore të deritanishme tregojnë se, zbatimi i akteve të mësipërme nënligjore, të nxjerra me shumë vonesë sikurse themi më sipër, jo vetëm nuk e ka zgjidhur këtë problematikë shumë të rëndësishme në aspektin ligjor, ekonomik, financiar, social e të tjera, por përkundrazi e ka vështirësuar e përkeqësuar edhe më tej atë.
Kështu, për shembull, nëse janë rikthyer në marrëdhënie pune në zbatim të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, rreth 10 – 15% e numrit të ish-nëpunësve civilë të administratës tatimore qendrore, të larguar më parë padrejtësisht nga puna pas vitit 2000, zotërues të vendimeve përkatëse gjyqësore të formës së prerë, ende të paekzekutuara deri në fundin e vitit 2013 (kohë në të cilën hyri në fuqi ligji 152 / 2013), të paktën në periudhën e mëpasshme rreth 40% e këtij numri nëpunësish civilë të kësaj administrate që janë larguar nga puna, i janë shtuar listës së gjyqfituesve, përfitues të dëmshpërblimeve të majme financiare, qysh prej momentit të largimit përkatës nga puna, derisa të rikthehen në të ose të jenë gjallë nëse ky rikthim nuk do të ndodhë.
Bazuar në ligjin në fuqi 152 / 2013 “për nëpunësin civil” të ndryshuar, nenit 66/1, pika 1, në të cilin përcaktohet se vendimet gjyqësore të formës së prerë për rikthimin e nëpunësve civilë në detyrë, duhet të zbatohen menjëherë nga “njësia përgjegjëse”, e cila në bazë të nenit 4, pika 1, shkronja f, të po këtij ligji është Departamenti i Administratës Publike (DAP) për institucionet e administratës shtetërore dhe njësia e burimeve njerëzore, për institucionet e pavarura dhe njësitë e qeverisjes vendore, konstatohet fare qartë se në rastin që analizojmë: DPT dhe DAP (ashtu sikurse edhe shumë institucione të tjera, që e kanë këtë problematikë), janë plotësisht jo efektive për sa i takon ekzekutimit të vendimeve gjyqësore të formës së prerë të kësaj natyre.
Nisur nga fakti që përgjatë 17 viteve të fundit të veprimit të ligjeve nr. 8549, datë 11.11.1999 “statusi i nëpunësit civil” dhe 152 / 2013 “për nëpunësin civil” të ndryshuar, buxheti i shtetit shpenzon çdo vit miliona euro për dëmshpërblimin, që rrjedh nga ekzekutimi i vendimeve gjyqësore të formës së prerë në favor të ish-nëpunësve me status të larguar më parë nga puna, në rolin e një ekonomisti finance me përvojë të gjatë pune në këtë profesion e mësimdhënie, duke qenë i obliguar të kontribuojë profesionalisht në favor të interesit publik, kam bërë publike gjatë vitit 2017, përmes mediave të ndryshme vendase dhe paraqitur pranë institucioneve kryesore ligjzbatuese të vendit tonë, përmes faqeve të tyre zyrtare elektronike, disa mendime, këshilla dhe rekomandime ekonomiko–ligjore të cilat, nëse do të zbatohen, do të çojnë në minimizimin e këtij dëmi financiar sistematik e të përvitshëm, duke bërë të mundur që paratë e taksapaguesve, të mos përdoren për pagesa joproduktive e parazitare, por t’ju rikthehen atyre, në formën e investimeve publike, mallrave dhe shërbimeve qeveritare, rritjes së rrogave dhe pensioneve, politikave më të mira sociale e të tjera.
Meqenëse institucione të ndryshme shtetërore (sistemi tatimor qendror, doganat në pjesën më të madhe të pozicioneve të punës, ministri, bashki etj.), që gëzojnë ligjërisht statusin e nëpunësit civil për punonjësit e tyre, kanë specifika të ndryshme, jam përqendruar në zgjidhjen e këtij problemi në sistemin tatimor qendror, që përbëhet nga: DPT-Tiranë, 13 DRT, DTM- Tiranë e të tjera, ndërkohë që kjo zgjidhje mund shërbejë si model edhe për institucione të tjera me status, në vartësi me veçoritë që ato kanë.
Së pari: Duhet të bëhet rregullimi përkatës ligjor, duke ngarkuar me përgjegjësi financiare, administrative dhe/ose penale autoritetet përkatëse vendimmarrëse, për largime të padrejta nga puna, të konfirmuara përmes vendimeve përkatëse gjyqësore të formës së prerë, që lidhen me periudhat respektive nga datat e largimit, deri tek ato të marrjes formë të prerë të vendimeve gjyqësore dhe për mosekzekutim në kohë të këtyre të fundit, prej datave përkatëse që duhet të realizohej përmbushja e këtij detyrimi ligjor, deri në ato të ekzekutimit të këtyre vendimeve, apo në vazhdim për pjesën e mbetur të tyre ende të paekzekutuar.
Zbatimi i pjesës së parë të këtij rekomandimi, që lidhet me largimet nga puna të ish-nëpunësve civilë dhe zhvillimin e proceseve gjyqësore përkatëse deri në marrjen formë të prerë të vendimeve gjyqësore në favor të tyre, duhet të analizohet me shumë kujdes dhe objektivitet, pasi periudha e deritanishme e funksionimit të sistemit të drejtësisë, është mbushur me raste të shumta kontestimesh, gjykimesh jokorrekte të ndershme e profesionale, të shoqëruara me ngjarje e fenomene korruptive, të denoncuara edhe prej emisioneve televizive investigative si “Fiks Fare”, “Stop”, “Boom” etj. Lidhur me atë çka themi, le të shpresojmë se funksionimi në të ardhmen i strukturave të reja të sistemit të drejtësisë, të dala nga implementimi i reformës në drejtësi, do të ndryshojë në drejtimin e duhur realitetin përgjithësisht negativ të funksionimit të deritanishëm të këtij sistemi.
Gjithashtu këto autoritete, në përkatësi të institucioneve që gëzojnë statusin e nëpunësit civil, duhet të mbajnë përgjegjësinë e sipërcituar, në të gjitha ato raste kur sipas verifikimeve përkatëse, rezulton se kanë bërë emërime në punë nga jashtë ose brenda sistemit, në ato pozicione pune tek të cilat ato duhet të rikthenin detyrimisht, ish-nëpunësit përkatës, zotërues të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, të cilat e konfirmonin më parë këtë të drejtë, duke lejuar në këtë mënyrë vazhdimin abuziv të pagimit joproduktiv të këtyre të fundit, me fondet përkatëse publike të buxhetit të shtetit, deri në momentin e rikthimit në vendin e mëparshëm të punës, sikurse përcaktohet në këto vendime gjyqësore, ose derisa të jenë gjallë nëse ato nuk ekzekutohen.
Së dyti: Për të gjithë ish-nëpunësit tatimorë, të larguar më parë nga puna dhe për të cilët aktualisht ekzistojnë vendimet përkatëse gjyqësore të formës së prerë në favor të tyre, duhet të fillojnë menjëherë nga ana e DPT-së dhe DAP-it Tiranë, procedurat e rikthimit të tyre në punë, duke i kërkuar paraprakisht qeverisë, në mënyrë të argumentuar, miratimin e një shtese organike për aq sa nevojitet, në përmbushje të detyrimit përkatës ligjor, që rrjedh edhe nga zbatimi i ligjit 152 / 2013 “për nëpunësin civil”, të ndryshuar, neni 7, pika 2, shkronja gj. Përfshirja e rreth 10.000 subjekteve të biznesit të vogël me xhiro vjetore mbi 2 deri 5 milionë lekë të reja, në skemën ligjore të TVSH-së, duke filluar prej datës 01.04.2018 e në vazhdim, do të kërkojë përveç të tjerash, shtimin e organikës së administratës tatimore qendrore mbi numrin 1586 që ajo është aktualisht, në mënyrë që të bëhet i mundur jo vetëm përpunimi, azhurnimi, gjurmimi dhe ndjekja e informacionit përkatës tatimor, por edhe kontrolli i vazhdueshëm tatimor i tyre në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi.
Është plotësisht e mundur që kjo shtesë organike, jo vetëm të mos cenojë aspak me kosto shtesë financiare buxhetin e shtetit, por përkundrazi të gjenerojë të ardhura shtesë të konsiderueshme për të. Kjo gjë bëhet plotësisht e mundshme, nëse realizohet rikthimi në punë i ish-nëpunësve tatimorë të larguar më parë padrejtësisht nga puna, duke ekzekutuar vendimet gjyqësore të formës së prerë, të cilat e konfirmojnë këtë të drejtë, ndërkohë që shtesa organike e miratuar më parë, sikurse themi më sipër, duhet të jetë jo më e vogël se numri përkatës i këtyre të fundit.
Menjëherë pas këtij miratimi, Ministria e Financave konform procedurave përkatëse ligjore, duhet të transferojë fondin përkatës të parashikuar në buxhetin e shtetit për dëmshpërblime të kësaj natyre, në fond pagash për llogari të DPT-Tiranë, duke shtuar pjesën kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, që do të paguhet nga punëdhënësi (shteti) dhe rritjen totale respektive të pagës bruto krahasuar me më parë.
Ky transferim është tepër i rëndësishëm, pasi ai bën të mundur zëvendësimin e shpenzimeve buxhetore joproduktive me ato produktive, pasi këto të fundit, në çdo rast, do të krijojnë të ardhura shtesë nga punësimi për llogari të buxhetit të shtetit, ndërkohë që ndryshesa (rritja / ulja) e shpenzimeve faktike në kuadrin e këtij buxheti, do të jetë e barabartë me pjesën e kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, që do të paguajë punëdhënësi (shteti) në zbatim të legjislacionit përkatës, plus rritjen totale respektive të pagës bruto, krahasuar me më parë për të gjithë ish-nëpunësit e rikthyer faktikisht në punë, minus pjesën e dëmshpërblimit financiar të ndërprerë për ata ish- nëpunës, të cilët sikurse themi më poshtë lirohen apo largohen nga shërbimi civil.
Përllogaritet se vlera e çdo dëmshpërblimi financiar të ndërprerë, është përafërsisht e mjaftueshme për të mbuluar koston shtesë buxhetore të rikthimit dhe vazhdimit në punën e mëparshme, të katër ish-nëpunësve zotërues të vendimeve gjyqësore të formës së prerë, të cilat e konfirmonin më parë këtë të drejtë. Kjo do të thotë se vlera e dëmshpërblimit, që i korrespondon 20% të numrit total të ish-nëpunësve tatimorë të kësaj kategorie, të cilëve për shkaqet e përmendura më poshtë ju ndërpritet dëmshpërblimi financiar, është e mjaftueshme për të përballuar koston shtesë buxhetore të rikthimit dhe vazhdimit në punën e mëparshme, të të gjithë pjesës tjetër të barabartë me 80% të numrit total të tyre, ndërkohë që nëse shifra e mësipërme e daljes nga skema e dëmshpërblimit financiar është mbi 20%, atëherë gjenerohet përfitim shtesë buxhetor në formën e kursimit të shpenzimeve përkatëse të këtij buxheti.
Nëse për këtë kategori, ish-nëpunësish, kryhen procedurat përkatëse ligjore të rikthimit në punë dhe për këtë bëhet njoftimi zyrtar i secilit prej tyre, atëherë ndërpritet menjëherë dëmshpërblimi financiar i sipërpërmendur, pasi në këtë moment madje edhe kur ekzistojnë arsye të justifikuara ligjore për mosparaqitje në punë, efektet e vendimeve gjyqësore të formës së prerë nulifikohen (zerohen), ndërsa të gjithë ata që paraqesin aktin e dorëheqjes me shkrim, apo për arsye të ndryshme të pajustifikuara ligjore nuk e respektojnë këtë vendimmarrje, lirohen apo largohen respektivisht nga shërbimi civil dhe numri i tyre i zbritet atij të strukturës së shtuar organike të personelit, duke e fiksuar atë përkohësisht në përputhje me rregullat përkatëse ligjore.
Në përfundim të këtij procesi, do të jetë tepër e sigurt, se numri i ish-nëpunësve të kësaj kategorie që do të vazhdojnë të paguhen, do të jetë më i vogël nga ai i mëparshëm, madje me një ndryshim thelbësor tepër të madh, pasi këta të fundit nuk do të paguhen më në mënyrë joproduktive e parazitare, por nëpërmjet punës e cila padyshim dhe për çdo rast, do të gjenerojë nëpërmjet produktivitetit përkatës, përfitim shtesë me interes publik. Në lidhje me këtë, ka shumë të ngjarë që pjesa më e madhe e atyre, që kanë emigruar jashtë vendit (në Europë, SHBA, apo kontinente të tjera), apo që kryejnë punë të tjera ose merren me biznes, nuk do të preferojë të rikthehet në vendin e mëparshëm të punës, ndërkohë që padyshim ju intereson vazhdimi sa më gjatë në kohë i përfitimit parazitar të dëmshpërblimit ekonomik, që rrjedh nga moskryerja e procedurave përkatëse ligjore të rikthimit në punën e mëparshme, konform vendimeve gjyqësore përkatëse të formës së prerë.
Aktualisht janë rreth 380 ish-nëpunës të sistemit tatimor të larguar nga puna pas vitit 2000, për të cilët ekzistojnë vendimet përkatëse gjyqësore të formës së prerë në favor të tyre, por që ende figurojnë të pakthyer në punën e mëparshme. Ky fakt, përbën një dëm të madh ekonomik të përvitshëm që i bëhet buxhetit të shtetit dhe taksapaguesve shqiptarë, pasi secili prej tyre ka përfituar dhe përfiton çdo vit, në vartësi me pagën përkatëse që ka pasur, një shumë prej 9-10 milionë lekësh të vjetra, pa dhënë asnjë lloj kontributi në punë.
Duke qenë kështu, kuptohet fare qartë që shumicës së tyre apo ndoshta të gjithëve, nuk i intereson rikthimi në punën e mëparshme, madje mund ta konsiderojnë si një nga fatkeqësitë më të mëdha, nëse një gjë e tillë u ndodh, pasi ata mund të bëjnë punë të tjera (qoftë edhe në sektorin publik) dhe paguhen për to, të merren me biznese, etj., apo të emigrojnë jashtë vendit për vite të tëra dhe deri sa të arrijnë moshën e pensionit ose të jenë gjallë (gjë e cila nuk përbën aspak çudi), të paguhen duke shtuar çdo vit në llogarinë bankare të çdonjërit prej tyre, shumën prej rreth 10 milionë lekësh. Përvoja e deritanishme ka treguar se kjo pagesë, mund të vazhdojë pa ndërprerje deri në më shumë se 40 vjet rresht, duke kapur shifrën e mbi 400 milionë lekëve.
Në këtë situatë, rikthimi i tyre në punë sa më shpejt që të jetë e mundur (qoftë edhe me shtesë organike), jo vetëm që e ndërpret efektin përkatës negativ në buxhetin e shtetit, por përkundrazi mundëson lëvizjen e tij drejt kahut pozitiv, pasi kontributi (produktiviteti) i punës së tyre në sistemin tatimor, i cili ende karakterizohet nga një nivel i lartë evazioni fiskal, do të shoqërohet me siguri në kushtet e mirëmenaxhimit të këtij sistemi, me një rritje të ardhurash për buxhetin e shtetit disa herë më shumë se rrogat përkatëse të tyre, të cilat vazhdojnë t’i marrin sistematikisht në periudha periodike vjetore, në mënyrë joproduktive e parazitare, madje dhe pa zbritur më parë kontributin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, sikurse ndodh me të punësuarit.
Pra zbatimi i kësaj skeme ekonomiko-ligjore në çdo lloj rasti dhe rrethane, do të rezultojë me efekte financiare pozitive për buxhetin e shtetit dhe do të ulë, nga ana tjetër, treguesin në % që zë kostoja reale vjetore e mbajtjes së personelit të administratës tatimore qendrore, (së cilës i shtohet edhe dëmshpërblimi vjetor i sipërcituar), ndaj totalit të të ardhurave vjetore që vilen prej kësaj administrate, ndërkohë që vonesat subjektive të pajustifikuara nga ana ligjore, lidhur me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë (për sa i takon rikthimit në vendin e mëparshëm të punës, të ish-nëpunësve përkatës të larguar më parë nga puna), apo edhe më keq mosekzekutimi fare i tyre, do të vazhdojnë të ndëshkojnë financiarisht këtë buxhet dhe taksapaguesit shqiptarë. Mundësia e rikthimit në punë, për raste të tjera të ngjashme, qoftë edhe me shtesë organike deri në masën ku të ardhurat e produktit marxhinal të punës barazojnë çmimin e saj (pagën), sikurse përcakton shkenca e ekonomisë, duhet të shikohet me përparësi edhe në institucione të tjera ku vepron ligji përkatës “Për nëpunësin civil”, duke përfshirë edhe njësitë e qeverisjes vendore.
Në këndvështrimin ligjor, ekonomik, financiar dhe social, çdo shtesë organike e miratuar konform procedurave përkatëse ligjore, që do të mundësonte rikthimin në punën e mëparshme të ish- nëpunësve të kategorisë së lartpërmendur, do të ishte e justifikuar deri në masën që treguesi ekonomik “të ardhura të produktit marxhinal të punës”, të jetë jo më i vogël se pjesa e kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore që paguan punëdhënësi (në rastin tonë shteti), në zbatim të legjislacionit përkatës, plus rritja respektive e pagës bruto krahasuar me më parë, pasi pjesa tjetër e shpenzimeve që lidhet me pagën, mbulohet financiarisht nga fondi përkatës i parashikuar në buxhetin e shtetit për dëmshpërblime dhe i transferuar më parë në fond pagash, sikurse themi më sipër.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.