Nga Ani THOMAI
Historiku i zhvillimit të teknikave të evazionit fiskal shënon fillimin e viteve ‘20 të shekullit të kaluar.
Këto teknika ndërtohen duke shfrytëzuar hapësira ligjore ose vetë ligjet për realizimin e fitimeve spektakolare.
Ja përse G8 është mbledhur më 18 qershor në Irlandën e Veriut me moton: luftë kundër evazionit fiskal ndërkombëtar, pasuar në korrik me mbledhjen e G20 në Rusi. Lufta do të mbështetet në shtimin e shkëmbimeve automatike të informacionit fiskal midis vendeve për t’u dhënë përgjigje pyetjeve:
-kush i zotëron realisht përfitimet e kompanive dhe trusteve në parajsat fiskale?
-cili duhet të jetë plani i veprimit kombëtar?
Qëllimi: është të arrihet ndalimi i reduktimit të detyrimeve fiskale në nivel global nëpërmjet teknikave të evazionit fiskal, i parealizuar nga marrëveshjet mbi sekretet bankare dhe kundërparajsave fiskale.
Teknikat më të përdorura nga shumëkombëshet për të shmangur detyrimet fiskale janë:
TRANSFERIMI I ÇMIMIT
Aplikuar nga vëllezërit Vestey, konsiderohet si një nga teknikat më të vjetra. Dy britanikët të cilët kishin aktivitet të tregtisë së mishit, shfrytëzuan politikat neoliberale financiare jashtë vendit të tyre duke ngritur një perandori.
William dhe Edmund Vestey janë pararendës modernë të manipulimeve të transferimit të çmimit. Teknika e tyre fillimisht mbështetet në zotërimin e kanaleve në prodhim-shpërndarje të produktit. Duke përqendruar në duart e tyre çdo qindarkë fitimi brenda vendit, ata i hodhën sytë përtej kufijve të Mbretërisë.
Si operuan përtej kufijve vëllezërit Vestey?
Ata ndërtuan shumëkombëshen e tyre të përbërë nga një numër i madh shoqërish, shpërndarë nga pak kudo, të cilat u faturonin shërbimet filialeve, me qëllim të kishin mundësi të transferimit gjeografikisht të fitimit, duke e përqendruar atë në një vend të vetëm me fiskalitet të dobët.
Transferimi i çmimit, ligjëruar në disa vende, bëri që shumëkombëshet t’i mbifaturojnë shërbimet e tyre drejt entiteteve të grupeve të tjera, duke zvogëluar tatimin e përgjithshëm.
Produktet e transituara në parajsa fiskale, të veshura me mbifaturim çojnë në tregtimin e tyre me çmim nën kosto, duke deformuar tregun. Mund të duken qesharake situata të tilla lehtësisht të zbulueshme në tregtinë e mallrave, por jo në atë të shërbimeve, ku tregu virtual është më i vështirë për t’u vlerësuar.
MASHTRIMI GOOGLE: TEKNIKA E DYFISHTË IRLANDEZE DHE TEKNIKA E SANDWICH HOLANDEZ
Bazuar në teknikat e mësipërme, “Google” i shmanget tatimit për patentën dhe pronën intelektuale.
“Google” shfrytëzon hapësirat ligjore të vendeve jashtë SHBA dhe paguan vetëm 2.4% tatimfitimi.
2.4%?????!!!!!!!!!
Po. “Google” realizon 88% të qarkullimit të shumëkombëshes në filialin e vet në Irlandë, “Google Irleand”, e cila mbulon Lindjen e Mesme, Afrikën dhe Europën. Në Irlandë, taksa e korporatave është 12.5%, por në Irlandë kjo shoqëri nuk ka të drejta të pronësisë intelektuale për shfrytëzimin e patentave dhe të markave. Këtë e ka filiali në Bermudes, “Google Irleand Holding”. Pagimi i honorareve ndaj tij, korrespondon me fitimet e realizuara në Europë. “Google” shmang në këtë mënyrë pagimin e taksave mbi korporatat në Irlandë. Kjo teknikë quhet “teknika e dyfishtë irlandeze”.
Si shmanget taksa prej 12.5% në Irlandë?
Zgjidhjen e ofron legjislacioni fiskal irlandez, i cili taton fitimet e realizuara në territorin e tij, me përjashtim kur transferohen në disa vende të Komunitetit Europian si Holanda.
Përse Holanda? Në referencë të legjislacionit fiskal holandez, ai përjashton nga tatimfitimet të cilat dalin jashtë kufijve, si p.sh. në Bermudes. Në këtë mënyrë “Google Holland Holdings” mbledh 99.8% të shumave “Google Irleand Holdings” të cilat i transferon në Bermudes. Kjo teknikë elegante, quhet “sandwich holandez”.
ARBITRAZHI FISKAL
Teknika bazohet në hapjen e problemeve ligjore midis shoqërive të ngritura në vende të ndryshme, njëra me fiskalitet të zhvilluar dhe tjetra të dobët. Konflikti ngritur pranë arbitrazhit ndërkombëtar, fitohet nga vendet me fiskalitet të dobët, duke faturuar të gjitha shpenzimet e shoqërisë tjetër. Këto shpenzime ulin artificialisht fitimin dhe reduktojnë detyrimin fiskal të shoqërive.
Kundrejt një shpërblimi 10%, shoqëritë fituese kthejnë shumat në shoqërinë e parë, në një numër llogarie personale apo në një shoqëri të tretë të formuar për llogari të shoqërisë së parë.
NËNKAPITALIZIMI I NDËRMARRJEVE
Ngritja e ndërmarrjeve në vende me tregues të lartë fiskalë dhe me mjete të dobëta për t’i realizuar është një formë për transferimin e kapitaleve drejt vendeve të pazhvilluara. Subjektet ngritur në vendet me fiskalitet të lartë dhe pamundësi mbledhjeje, çojnë në sipërmarrje me vështirësi financiare dhe mungesë likuiditetesh. Një shoqëri mëmë ose organizëm financiar jashtë vendit, bën transferimin e shumave drejt ndërmarrjes në vështirësi. Fitimi i realizuar zvogëlohet nëpërmjet zbritjes së interesave të kredive. Kjo metodë quhet “thin cap”.
KONTRATAT E PËRPUNIMIT (fason)
Teknika përdoret nga shumëkombëshe të cilat transferojnë kundrejt vendeve me fiskalitete të dobët gjithçka, përjashtuar fabrikën. Nëpërmjet kontratave të realizuara, kapitalet fluturojnë jashtë. Shoqëria mëmë shërben si një shpërndarëse kontratash nënkontraktorëve dhe ndonjëherë financuese e tyre.
Si e shohim Shqipërinë përballë këtyre teknikave të evazionit fiskal ndërkombëtar?
Shqipëria është një vend me pamundësi të realizimit të treguesve fiskalë, tregues i qartë është niveli i lartë i borxhit. Dinamika e zhvillimit të tregjeve kombëtare (pasqyrë e situatave kaotike mikro dhe makroekonomike) dhe ndërkombëtare (pasqyrë e krizës financiare) do të sjellë së shpejti zhvendosje të ekuilibrave të tyre duke krijuar ekuilibra të rinj, rrjedhojë e daljes nga situatat jonormale ku ndodhen. Kjo vërehet lehtë në një pjesë të sipërmarrjeve në vend, të cilat kundër realitetit, zhvillohen suksesshëm.
Në këndvështrimin e zhvillimit të tregjeve ndërkombëtare, Shqipëria në stadin e zhvillimit ekonomik, është favorizuese për zhvillimin e teknikave të mësipërme.
A duhen stimuluar, duhen luftuar, apo ato do të zhvillohen nën moton “tolerancë zero”? A shërbejnë marrëveshjet e nënshkruara midis vendeve, për zhvillimin jo vetëm të politikave makroekonomike, por edhe për favorizimin e sipërmarrjeve, apo ato do të mbeten gjithmonë objekt i goditjeve dhe përfitimit për “të mbushur” arkën e shtetit? Cila është kostoja e informalitetit dhe luftës kundër tij krahasuar me koston e zhvillimit të një ekonomie formale me rregulla ku të gjitha palët të mbeten të kënaqura?
Munden politikat fiskale në vendin tonë të shërbejnë si katalizatorë të zhvillimit dhe nxitjes së politikave makro dhe mikroekonomike për realizimin e treguesve ekonomikë në vend?
Cili duhet të jetë marketingu fiskal i qeverisë shqiptare që do ta çojë atë drejt suksesit të politikave fiskale?
Planet e veprimit dhe të zhvillimit të politikave fiskale, në funksion të nxitjes ekonomike në vend, në rajon dhe më gjerë mund t’u japin përgjigje pyetjeve më lart.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.