Përkundër problemeve të cilat janë në krijimin e Qeverisë së re dhe institucioneve të tjera, Autostrada “Arbën Xhaferi, e cila lidhë Kosovën me Maqedoninë nuk do të ndalet. Zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës (MI) dhe të Kompanisë “Bechtel & Enka” kanë thënë se janë duke punuar sipas planit dinamik të miratuar më herët.
Lah Nitaj, këshilltar në Ministrinë e Infrastrukturës (MI), ka thënë për Telegrafin se pavarësisht zhvillimeve politike në vend, autostrada për Shkup nuk do të ndalet. “Punimet janë duke vazhduar në autostradë, kompania e ka planin dinamik që është hartuar në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës më herët. Kompania e cila është duke i kryer punimet nuk është ankuar për ndonjë pengesë”, tha Nitaj.
Kurse, zëdhënësja e konsorciumit amerikano-turk “Bechtel & Enka”, Ela Ruçi ka konfirmuar për Portalin Telegrafi, se janë duke vazhduar punimet në autostradën “Arbën Xhaferi” që lidhë Kosovën me Maqedoninë. Sipas saj, përveç punëve të paparapara janë duke u bërë edhe testime të ndryshme laboratorike. “Po punohet, po gërmohet, po mbushet, po bëhen testimet laboratorike, e shumë punë të tjera sipas planeve të punës”, ka treguar ajo. Ruçi ka treguar se aktualisht është duke u punuar edhe në nyjën lidhëse të kësaj rrugë me autostradën Vermicë – Merdare. “Fokusi i konsorcioumi ‘Bechtel & Enka‘ është në nyjën lidhëse të Rrugës 7 me Rrugën R6 në dy drejtime”, tha ajo. Ndërkaq në Ministrinë e Financave (MF), kanë treguar së kanë paraparë një shumë të konsiderueshme të mjeteve edhe me buxhetin e vitit 2014 për realizimin projektit të Autostradës “Arbën Xhaferi” Prishtinë – Hani i Elezit. Për këtë projekt, sipas zyrtarëve në Ministrinë e Financave, për tre vite janë paparë 250 milionë euro. “Me Ligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2014, mjetet e ndara për Rrugën 6, respektivisht Autostradën Prishtinë-Hani i Elezit për vitin 2014 janë 49 milionë euro, kurse vlerësimet për vitet 2015 dhe 2016 për secilin vit janë në shumë prej 100 milionë euro”, është thënë në përgjigjet e Ministrisë së Financave.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.