Në mbrëmjet e fundjavës që sapo lamë pas, alternativat e zgjedhjes për shikuesit kanë qenë të shumta, me programe argëtuese dhe humori, por dhe me telenovelat turke, që po rezultojnë mjaft të ndjekura.
Rekordin e audiencës së fundjavës e ka arritur “Big Brother”, reality show që po kulmon sa më shumë i afrohet fundit dhe ka arritur një rating (Rating – tregon shikueshmërinë gjatë një fashe kohore apo programi televiziv, e shprehur kjo si përqindje e totalit potencial të audiencës; pra duke përfshirë edhe familjet që nuk janë duke parë televizor) të premten e 9 majit, deri në 38%, sipas matjeve nga kompania “Telemetrix”, që mundëson llogaritjen e audiencës në kohë reale, në bazë të një teknologjie dhe sistemeve më të fundit në këtë fushë. (Ky rating është matur duke bashkuar ratings e të tre kanaleve, Top Channel, Big Brother 1 dhe Big Brother 2, ku transmetohet i njëjti emision së bashku me të njëjtat blloqe publicitare, për të treguar audiencën e saktë të Big Brother, sipas burimeve nga Telemetrix).
Audienca e Big Brother është ndjeshëm më e lartë nga ajo e disa javëve më parë, konkretisht në 4 prill, kur programi ishte ende në fillimet e tij dhe kur arriti një rating maksimal prej rreth 25%. Ky program ia ka dalë të konkurrojë me rating edhe “Portokallinë”, që historikisht është programi i “Top Channel” me audiencë më të lartë.
“Zonë e lirë” shfaqet me një rating relativisht të ulët, që arrin maksimumin prej 10% në momentin që “Big Brother” ka ndërprerje publicitare. Ndërsa shikueshmëri më të qëndrueshme ka telenovela “Sulejmani i madhërishëm”, me një rating mesatar prej rreth 6%.
E shtunë, reziston “Al pazar”
Ndonëse me një rating në rritje, programi i gatimit “Mastershef” në Top Channel tërheq një audiencë më të ulët se humori i “Al Pazar” në Vizion Plus. Megjithatë, diferenca mes dy programeve është ngushtuar, teksa gara për shefin më të mirë të kuzhinës po ashpërsohet.
E diel, “Dashuri e ndaluar” i merr audiencë “Portokallisë”
Dy seritë e reja të telenovelës “Dashuri e ndaluar”, që transmetohen në Klan të dielën në mbrëmje, ndonëse nuk ia kalojnë “Portokallisë” kanë arritur që t’i marrin ndjeshëm audiencë programit të humorit, që historikisht ka pasur vëmendjen maksimale të dielën. Rating i Portokallisë arrin maksimumi në 30% përgjatë kohës që transmetohen të dy programet, për t’u rritur menjëherë pas përfundimit të telenovelës në rreth 37%. “Apartamenti 2XL” i Vizion Plus është zgjedhja e shikuesve kryesisht në kohën që Top Channel ka ndërprerje publicitare.
Televizionet e tjera kanë rezultuar me një shikueshmëri të ulët mbrëmjen e të dielës.
Metodologjia
Telemetrix SH.A., që operon zyrtarisht që prej muajit shtator 2012 me instalimin e matësve të parë, ofron matjen e shikueshmërisë televizive në Shqipëri, realizimi i së cilës bëhet nëpërmjet teknologjisë dhe sistemeve më të fundit të përdorura në këtë fushë, si dhe një paneli të përzgjedhur rigorozisht për të arritur përfaqësueshmërinë e tregut, sipas burimeve zyrtare nga kompania.
“Kompania ka investuar gjerësisht në krijimin dhe prodhimin e një matësi elektronik – TiViMat (koncepti i ‘peoplemeter”) si dhe në programimin e një ‘software’ të fuqishëm për realizimin e matjes së shikueshmërisë televizive. Skuadra e ‘Telemetrix’ ka projektuar dhe zhvilluar të gjitha platformat e monitorimit dhe raportimit të të dhënave të shikueshmërisë për përdorim të klientëve të saj
“Telemetrix” ka krijuar një panel prej 350 familjesh të përzgjedhura rigorozisht sipas kritereve të paracaktuara, të vendosura në 6 qytete kryesore të Shqipërisë; Tirana, Durrësi, Elbasani, Shkodra, Fieri dhe Berati.
Baza e të dhënave të gjeneruara nga “Telemetrix” është “në nivel minute; “Rating per Minute” në nivel familjeje (household).