Gjatë vitit të kaluar, 34,099 kontribuues të rinj iu shtuan skemës së pensioneve, raportohet në të dhënat zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
Në total, numri i kontribuuesve në skemë u rrit me 4.7 për qind dhe ndikimin më të madh e kanë dhënë të punësuarit në biznesit privat. Në bizneset private u raportuan 32,327 persona të siguruar rishtas vitin e kaluar, me një rritje prej 9.9 për qind. Kjo rritje ka ardhur për dy arsye kryesore, formalizimi dhe rritja e punësimit në sektorin e fasonit.
Qeveria shqiptare vitin e kaluar hyri në fazën e dytë të luftës antiinformalitet, e cila u përqendrua në formalizmin e punonjësve në sektorin privat. Gjithashtu sektori i industrisë, sidomos sektori fason, është zgjeruar me shpejtësi vitin e kaluar, duke dhënë një kontribut të theksuar në punësim.
Në të kundërt, sektori i vetëpunësimit po reflekton një krizë. Vitin e kaluar kanë dalë nga skema e sigurimit rreth 10 mijë persona, duke e ulur numrin e kontribuuesve në këtë kategori në 110,472 mijë më 2017 nga raport me 120,460 mijë që ishin më 2016.
Gjithashtu, kontribuuesit në ndërmarrjet shtetërorë u rritën me 3,4 për qind. Përmirësim i numrit të kontribuuesve u pa edhe në fshat, me rreth 10 për qind. Gjithsesi, kontribuuesit në fshat janë shumë të pakët në numër në raport me vitin 2014, para se të aplikohej reforma e re pensioneve që rriti masën e kontributit për këtë kategori.
Prej rritjes së numrit të kontribuuesve, të ardhurat në skemën e sigurimeve u rritën në 86 ,9 miliardë lekë ose 8.3 për qind më shumë se një vit më parë, sipas të dhënave zyrtare të ISSH-së. Të ardhurat u rritën prej arkëtimeve në personat fizikë dhe juridikë, që përfaqësojnë të punësuarit në sektorin jobujqësor.
Por, nga ana tjetër, shpenzimet për skemën kanë vijuar rritjen edhe gjatë vitit të kaluar, me një total 114 miliardë lekë ose 4.4 për qind më pak se vitit i kaluar. Gjithsesi, deficiti i skemës është zbutur disi, për shkak se ritmet e rritjes së të ardhurave kanë qenë më të larta se rritja e shpenzimeve.
Nr. Kontri. 2016 | Nr. Kontri. 2017 | Ndry. ne nr. | Ndry. ne % | |
Sipas subjekteve | 661,655 | 694,413 | 32,758 | 5.0 |
Ndërmarrje buxhetore | 137,012 | 141,436 | 4,424 | 3.2 |
Firma private | 325,303 | 357,630 | 32,327 | 9.9 |
Te vetëpunësuar | 120,460 | 110,472 | -9,988 | -8.3 |
te vetëpunësuar ne bujqësi | 53,168 | 58,528 | 5,360 | 10.1 |
Vullnetarisht | 7,323 | 8,027 | 704 | 9.6 |
Nga shteti | 40,780 | 41,014 | 234 | 0.6 |
Të papunë që përfitojnë pagesë papunësie | 5,561 | 7,106 | 1,545 | 27.8 |
persona në pagesë kalimtare | 105 | 46 | -59 | -56.2 |
ushtarakë në reformë | 10,208 | 9,840 | -368 | -3.6 |
punonjës të nëntokës | 3,013 | 3,041 | 28 | 0.9 |
punonjës të industrisë ushtarake | 535 | 479 | -56 | -10.5 |
gra të pensionuara për vitin korent | 21,358 | 20,502 | -856 | -4.0 |
Me përfitim afatshkurtër | 15,851 | 16,958 | 1,107 | 7.0 |
paaftësi e përkohshme mbi ditën e 14 | 1,419 | 1,600 | 181 | 12.8 |
barrëlindje | 14,403 | 15,322 | 919 | 6.4 |
paaftësi nga aksidentet në punë | 29 | 37 | 8 | 27.6 |
Numri i kontribuuesve urbanë në total | 665,118 | 693,857 | 28,739 | 4.3 |
Numri i kontribuuesve rurale në total | 53,168 | 58,528 | 5,360 | 10.1 |
Numri total i kontribuuesve | 718,286 | 752,385 | 34,099 | 4.7 |
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.