Në 6 mujorin e parë të 2014 sektori i komunikimeve elektronike ka pasur rënie të numrit të pajtimtarëve të telefonisë celulare si në përdorues aktivë edhe në përdorues të kartave SIM aktive, përkatësisht rreth 5.8% dhe 7.2% në krahasim me fund vitin 2013, sipas të dhënave të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP).
E njëjta dukuri vërehet edhe tek pajtimtarët e telefonisë fikse, ku reduktimi është rreth 9.2%.
Në fund të qershorit të 2014 numri i pajtimtarëve të telefonisë celulare të matur sipas kartave SIM aktive shkoi rreth 4.9 milion nga 5.3 milion që ishte në fund të 2013 dhe numri i pajtimtarëve të matur sipas përdoruesve celularë aktivë(pajtimtarë që kanë përdorur shërbime celulare në 3 muajt e fundit) u reduktua nga 3.7 milion në 3.5 milion.
Penetrimi i telefonisë fikse dhe celulare ka qënë përkatësisht rreth 9.2% dhe 123%. Rritje në 6-mujorin e pare, sipas AKEP pati numri i pajtimtarëve që përdorin internet nga rrjete fikse dhe rrjetet 3G.
Numri i pajtimtarëve me akses broadband fiks dhe celular (3G me karta USB/modem) në fund të Qershorit arriti në rreth 324 mije, që përbën një rritje me 10.4% në krahasim me fundvitin 2013. Të dy segmentet e aksesit broadband, fiks dhe 3G (me karta USB/modem), kanë pasur rritje me rreth 3.3% dhe 22 % krahasuar me 2013, respektivisht.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.