Adoptimi i euros nga Kroacia është edhe lëvizja e shumëpritur e Rusisë

08/02/2019 10:04 PM 0 komente
Kryeministri Andrej Plenkoviç

Pretendimi i Kroacisë se po zbaton siç duhet reformat e kërkuara nuk është aspak i saktë.

Për më tepër, korrupsioni endemik jo vetëm që vazhdon të luajë rol kyç në problemet financiare, por ai ia ka lehtësuar Rusisë përpjekjet për t’u infiltruar në rajonin e Ballkanit. Herën e fundit që një ekonomi me rrezik të lartë iu bashkua Eurozonës, rezultoi në shpëtimin grek. Por me kërkesat në rritje nga anëtarët e tij më të rinj, Brukseli po shqyrton zgjerimin e vazhdueshëm të Eurozonës shkruan Dr. Theodore Karasik*.

Problemi është se kjo mund të rrezikojë jo vetëm stabilitetin e Eurozonës, por ndoshta edhe vetë të ardhmen e BE-së. E fundit në listë është Kroacia, gjithashtu anëtarja e fundit e BE-së. Në maj të 2018, Kryeministri Andrej Plenkoviç deklaroi se monedha euro mund të miratohet në një periudhë 7 deri në 8 vjet.

Dhjetorin e kaluar, guvernatori i Bankës Kombëtare Kroate, Boris Vujčić, njoftoi planet për të nisur zyrtarisht procesin e miratimit të euros si monedha zyrtare e Kroacisë. Vetëm një javë më parë këtë vit, Guvernatori Vujčić, e theksoi sërish faktin se qëndrimi i Kroacisë jashtë euros nuk ka më kuptim. Miratimi i monedhës së përbashkët, Euro, nga qeveria kroate do të ishte një gabim shumë i rëndë, në një vend ku gjyqësori vuan nga niveli i lartë i korrupsionit, që fatkeqësisht po shfrytëzohet edhe nga Rusia për të zgjeruar ndikimin në Ballkan.

Në 2017, qeveria kroate shpëtoi nga falimenti Agrokor, kompaninë e madhe multi-miliarda dollarëshe. Të ardhurat e Agrokor përbënin rreth 15% të PBB-së kroate, pothuajse të njëjtën përqindje që përfaqëson edhe qyteti i Londrës ndaj PBB-së së Mbretërisë së Bashkuar.
Rënia e kompanisë mund të kishte shkatërruar me shumë shpejtësi ekonominë e Kroacisë.

Me rreth 60,000 të punësuar në Europën Juglindore dhe me shitje vjetore që shkonin 6.5 miliardë euro, shpërbërja e Agrokor mund të ketë shkaktuar efekt domino te jostabiliteti financiar në rajon. Fatmirësisht kjo nuk ndodhi dhe kjo falë Putinit. Paketa e shpëtimit të qeverisë kroate përfundoi duke i dhënë dy bankave ruse, Sberbank dhe Vneshtorgbank, 47% të aksioneve në Agrokor. Me pak fjalë, kjo marrëveshje i dha mundësinë Putinit për të vendosur në mënyrë indirekte ndikimin e tij në ekonominë kroate dhe në firmën më të madhe të ish-Jugosllavisë.

Menjëherë pas shpëtimit, Gazprom shfrytëzoi klimën politike miqësore ndaj Rusisë, duke nënshkruar një kontratë 10-vjeçare për të furnizuar Kroacinë çdo vit me 1 miliard metra kub gaz. Me 70% të tregut të saj të gazit të mbuluar, Kroacia nuk ka nevojë për importe të tjera.
Ky shtet zgjoi mundësinë e mbështetjes nga Rusia, në vend që të kishte zgjedhur atë të SHBA-së ose të Europës. Si rezultat, edhe ndaj paketave të shpëtimit të Agrokor janë hedhur akuza të shumta për korrupsion. Sipas partive opozitare, email-et e publikuara në vitin 2018 zbuluan se ministrat e lartë të kabinetit ishin në dijeni të parregullsive financiare të kompanisë dhe e rregulluan paketën e shpëtimit në mënyrë që të përfitonin sa më shumë për veten.
Qeveria kroate i mohon akuzat e mësipërme, por sipas një studimi të Institutit të Financave Publike në Zagreb, të financuar nga Komisioni Europian, Kroacia është “një terren pjellor për korrupsion”, si pasojë e një sistemi ligjor joefikas dhe të korruptuar. Pikërisht ky nivel i lartë i korrupsionit në vend e ka fuqizuar më shumë Putinin.

Ndërsa organi shtetëror mbikëqyrës i Kroacisë kundër korrupsionit, USKOK, “bën një sy qorr dhe një vesh shurdh” ndaj akuzave për korrupsion që implikojnë qeverinë e Plenkovicit, ai është duke ndjekur një çështje të një profili të lartë kundër Zsolt Hernadi, kryetarit të kompanisë kombëtare të naftës MOL, edhe pse ai nuk ka prova kundër tij.
Në vitin 2013, qeveria kroate akuzoi z. Hernadi për marrje ryshfeti nga ish-kryeministrit Ivo Sanader. USKOK e mbështeti më vonë kërkesën e qeverisë kroate për miratimin e urdhrit të Interpolit për arrestimin e z. Hernadi.

Interesi i Rusisë është një sekret i cili po ruhet shumë mirë. Një vit pasi Kroacia kishte shprehur pretendimet se z. Hernadi mund të kishte marrë ryshfet, Gazprom ofroi blerjen e aksioneve të MOL-it në kompaninë INA. Në vitin 2017, ai mori një ofertë të ngjashme nga gjiganti rus i naftës Rosneft. Plani kroat duket si pjesë e strategjisë së madhe të Putinit për të përdorur energjinë si armën e tij më të fuqishme për të rrethuar Europën, sipas Organizatës së Këshillit Atlantik. Pretendimi i Kroacisë, se ajo po zbaton ashtu siç duhet reformat e kërkuara, nuk është i saktë. Për më tepër, korrupsioni endemik jo vetëm që vazhdon të luajë rol kyç në problemet financiare, por ai ia ka lehtësuar Rusisë përpjekjet për t’u infiltruar në rajonin e Ballkanit.

Strategjia e Putinit po realizohet lehtësisht në Kroaci, aty ku sistemi i korruptuar gjyqësor i hap rrugë dominimit financiar të Rusisë.
BE-ja është më se e ndërgjegjshme se Kroacia po ndikon në rritjen e ndikimit rus në rajonin e Ballkanit, në kundërshtim të plotë me BE-në.
Në një kohë kur uniteti i Bashkimit po testohet ashpër dhe partitë euroskeptike po përjetojnë popullaritet në të gjithë kontinentin, mund të ndodhë që të rrezikohet edhe e ardhmja e projektit të BE-së. /Euronews

*Dr. Theodore Karasik është një prej anëtarëve më të rëndësishëm të Institutit të Lexington dhe një ekspert i çështjeve të sigurisë kombëtare. Ai ka punuar për Korporatën RAND dhe shkrimet e tij janë botuar gjerësisht në mediat ndërkombëtare.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of