Prononcim i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP)
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) thotë se mbikëqyr dhe kontrollon veprimtarinë e sipërmarrësve të cilët ofrojnë shërbime të komunikimeve elektronike, përfshirë dhe ofruesit e shërbimit të internetit, por ligji “Për komunikimet elektronike” nuk zbatohet për përmbajtjen e shërbimeve të ofruara nëpërmjet rrjeteve të komunikimeve elektronike.
Si rrjedhojë, AKEP pohon se nuk ka të dhëna statistikore për operatorët që nuk janë pjesë e monitorimit të saj. AKEP mund të ndërhyjë vetëm në momentin që vjen një kërkesë nga një organ kompetent për mbylljen e një faqeje interneti që ofron përmbajtje apo shërbime të paautorizuara.
Një sërë operatorësh ndërkombëtarë që ofrojnë shërbime nëpërmjet internetit, si Paytv, NetFlix, apo Amazon Prime, baste online janë të pranishëm edhe në Shqipëri. A monitorohen këta operatorë nga AKEP?
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare – AKEP, bazuar në nenin 6, pika 1, e ligjit nr. 9918/2008 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, është organi rregullator në fushën e komunikimeve elektronike dhe të shërbimit postar, i cili mbikëqyr kuadrin rregullator të përcaktuar nga ky ligj, nga ligji për shërbimin postar dhe nga politikat e zhvillimit, të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave.
Për të përmbushur qëllimin dhe objektivat rregullatorë, të përcaktuara nga ky ligj, AKEP-i ka kompetencë të mbikëqyrë, kontrollojë dhe monitorojë veprimtaritë e sipërmarrësve të rrjeteve të komunikimeve elektronike dhe të shërbimeve të komunikimeve elektronike, në përputhje me këtë ligj dhe aktet e tjera në zbatim të këtij ligji; AKEP, autorizon sipërmarrësit për ofrimin e rrjeteve dhe/ose shërbimeve të komunikimeve elektronike, në përputhje me nenet 13, 14, 15 të ligjit nr. 9918/2008.
Në këtë kuadër, për t’ju përgjigjur pyetjes suaj nr. 1, AKEP, autorizon dhe më pas mbikëqyr/kontrollon veprimtarinë e sipërmarrësve të cilët ofrojnë shërbime të komunikimeve elektronike (një nga këto shërbime është edhe ofrimi i shërbimit të internetit (internet service provider).
Neni 2, i ligjit nr. 9918/2008, përcakton se: Ky ligj nuk zbatohet për përmbajtjen e shërbimeve të ofruara nëpërmjet rrjeteve të komunikimeve elektronike.
Operatorët që ju përmendni nuk janë pjesë e rregullimit / monitorimit nga AKEP.
A ka të dhëna se sa është numri i përdoruesve të këtyre platformave në Shqipëri?
Për sa i përket kësaj pyetje, në vazhdim të përgjigjes së dhënë në pyetjen e parë, për sa kohë që këta operatorë nuk janë pjesë e rregullimit dhe monitorimit nga AKEP, rrjedhimisht nuk kanë një autorizim nga AKEP dhe si pasojë, nuk raportojnë të dhëna statistikore në AKEP.
Si vepron AKEP në rastet kur konstatohet se ka pirateri? A ka bashkëpunim me autoritetet për rastet e piraterisë për të bllokuar providerat e internetit që ofrojnë shërbime të paautorizuara që gjenerojnë të ardhura në territor?
Në bazë të ligjit Nr.9918, datë 19.5.2008 “Për Komunikimet Elektronike në Republikën e Shqipërisë” (i ndryshuar), dhe më specifikisht nenit 15, pikës e) të këtij ligji, AKEP kërkon nga sipërmarrësit e komunikimeve elektronike mbylljen e aksesit ndaj faqeve elektronike me përmbajtje të paligjshme, ose të dëmshme sipas rregullimeve përkatëse ligjore në fuqi.
Me fjalë të tjera, kjo do të thotë që AKEP nuk është institucioni i cili vlerëson përmbajtjen ose content-in e një faqeje dhe, si pasojë, as nuk mund të jetë institucioni iniciues i procesit të mbylljes së një platforme ose faqe të caktuar, por vepron në bazë të kërkesave që vijnë nga organet apo institucionet kompetente. Vetëm në momentin që vjen një kërkesë nga një organ kompetent për mbylljen e një faqeje interneti, që ofron përmbajtje apo shërbime të paautorizuara, AKEP urdhëron sipërmarrësit e komunikimeve elektronike (ISP) për mbylljen e aksesit në atë faqe.
Në këtë aspekt, mund të përmendim bashkëpunimet që AKEP ka pasur dhe vazhdon të ketë me Policinë e Shtetit, Prokurorinë e Përgjithshme, Autoritetin e Certifikimit Elektronik dhe Sigurisë Kibernetike, Autoritetin e Mediave Audiovizive, Autoritetin e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare etj., për bllokimin e faqeve që ofrojnë përmbajtje të paligjshme ose shërbime të paautorizuara / të palicencuara.
AKEP mbikëqyr vazhdimisht sipërmarrësit e komunikimeve elektronike për sa i përket respektimit të detyrimit të bllokimit të aksesit në faqe që ofrojnë përmbajtje dhe/ose shërbime të paligjshme dhe në çdo rast, kur nuk plotësohen këto detyrime, mund të ndërmarrë masa administrative sipas kuadrit ligjor dhe rregullator përkatës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.