Një Shqipëri siç duhet të jetë, pa mbeturina të hedhura sa andej këndej, me cilësi të lartë shërbimi dhe një turizëm që është në shërbim të të gjithëve. Agjencia Kombëtare e Turizmit ka prodhuar dhe shpërndarë tre spote reklamuese ndërgjegjësimi që kanë si subjekt aspekte negative që vihen re çdo ditë në vendin tonë, siç është ndotja e mjedisit, hedhja e mbeturinave pa kujdes, por edhe mungesa e shërbimeve në njësitë turistike e që shfaqen me doza negativiteti. Slogani i këtyre spoteve është “ Imazhi i vendit fillon nga ti. Ruaje Shqipërinë të bukur”. E në fakt përmirësimi i imazhit të vendit është pjesë e strategjisë së re të marketimit të vendit që po zbatohet nga Agjencia Kombëtare e Turizmit. Drejtuesit e AKT-së e vlerësojnë punën për ndërtimin e një strategjie, për imazhin e Shqipërisë turistike si një proces më vete, i cili kërkon bashkëpunimin e disa aktorëve. Mësohet se qëllimi i kësaj strategji e cila pritet të jetë gati në fund të këtij viti do të jetë ofrimin e një imazhi sa më koherent dhe konkurrues për Shqipërinë në arenën ndërkombëtare të turizmit.
Si pjesë e kësaj strategjie për të përmirësuar imazhin e Shqipërisë, Agjencia Kombëtare e Turizmit dhe Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit do të organizojnë një udhëtim për një grup të përbërë nga 30 agjencish turistike të huaja dhe përfaqësues të medias ndërkombëtare 28 gusht – 31 gusht. Bëhet fjalë për ardhjen për herë të parë të një ndër grupimet më elitare dhe profesionale në ushtrimin e turizmit të aventurës në rang botëror. Por jo vetëm kaq, agjentë të kompanive të mëdha dhe “travel ëriter”, (shkrimtarë udhëtimesh), gazetarë me reputacion nga SHBA, Kanadaja, Suedia, sa për t’ju përmendur disa nga vendet ku ata vijnë, do të njihen nga afër me çdo mrekulli që natyra i ka falur Shqipërisë, në një tur ku AKT-ja është kujdesur që të jetë sa i jashtëzakonshëm aq edhe i vështirë për t’u harruar nga secili pjesëmarrës, në mënyrë që promovimi dhe marketingu mbi vendin tonë të jetë real dhe i ofruar në mënyrën më profesionale.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.