Në një vit aktivitet, Alpet ka siguruar 17% të tregut shqiptar të karburanteve dhe brenda vitit 2006 pritet të mbulojë gati një të tretën e tij. Shumicës prej jush do t i ketë rënë në sy shtimi i pikave të karburantit nën emrin Alpet këto muajt e fundit. Të shtyrë nga ky kuriozitet, ju drejtuam zyrave të shoqërisë për të mësuar çfarë fshihet pas mbretëreshës së gjelbër që ka pushtuar rrugët e Tiranës dhe më gjerë. Shoqëria Vil Oil sh.a. & Alpet lindi në fillim të vitit 2005, kur kompania turke Alpet, për të hyrë në tregun shqiptar, bleu gjysmën e aksioneve të kompanisë shqiptare Vil Oil. Në vitin e parë të aktivitetit, konsorciumi realizoi një xhiro prej 44 milion dollarësh dhe arriti të zinte rreth 17% të tregut të brendshëm të karburanteve. Brenda këtij viti, Alpet pretendon të arrijë të mbulojë 30% të tregut vendas.Sipas njërit prej aksionerëve, Apostol Goçi, suksesi i shpejtë në treg shpjegohet së pari me cilësinë e lartë të produkteve Alpet. Sipas tij, në një treg që prej vitesh vuan nga cilësia e dobët e karburanteve, cilësia e lartë është dhe do të vazhdojë të mbetet kali i betejës së Alpet. Ekspansioni i shpejtë në treg është bërë i mundur edhe falë investimeve të mëdha, që për vitin 2005 ishin 1.8 milion euro, ndërsa për vitin 2006 do të dyfishohen. Si lindi?Në fillim të vitit 2005, shoqëria shqiptare e karburanteve Vil Oil bëri një shtesë kapitali duke i shitur gjysmën e aksioneve gjigantit turk Alpet, për një vlerë totale që arriti në 5 milion euro. Këtu nis historia e Vil Oil sh.a. & Alpet, ose thjesht Alpet siç njihet në treg. Alpet është një nga shoqëritë në pronësi të kompanisë turke Altinbas Holding, ndërsa Vil Oil sh.a. një shoqëri shqiptare me aksionerë dy biznesmenët vendas Apostol Goçi dhe Alban Aliko. Në pak më shumë se një vit aktivitet, Alpet ka arritur të zotërojë 17% të tregut shqiptar. Aktualisht, Alpet shtrihet në të gjitha qendrat kryesore urbane të Shqipërisë, me 30 pika karburanti të shpërndara në të gjithë territorin e vendit. Brenda këtij viti, shoqëria ka deklaruar se synon ta dyfishojë numrin e tyre. Revolucion cilësor dhe teknologjikXhiro vjetore e kompanisë për vitin 2005 ishte 44 milion dollarë, në një kohë që pothuajse gjysma e kësaj shifre i është paguar shtetit shqiptar në taksa dhe tatime. Sipas njërit prej aksionerëve, Apostol Goçi, çelësi i këtij suksesi të menjëhershëm në treg kanë qenë investimet e shumta dhe cilësia e produkteve Alpet. Pikërisht duke bërë diferencë me cilësinë e karburanteve, që ka qenë dhe vazhdon të jetë një problem i rëndë në tregun shqiptar, Alpet synon të fitojë besimin dhe paratë e konsumatorit shqiptar. Vetëm për vitin 2005, sipas vetë shoqërisë janë investuar 1.8 milion euro dhe për vitin 2006 janë planifikuar të investohen 3.6 milion euro të tjerë. Alpet është e para shoqëri që ka filluar zbatimin e një projekti novator në tregun shqiptar, atë të furnizimit me karburant duke përdorur një kartë elektronike. Kjo metodë ndiqet deri tani në 5 pika në qytetin e Tiranës, ku janë vendosur makina elektronike që bëjnë të mundur furnizimin me kartë. Tërheqja e kartës mund të bëhet në zyrat qendrore të Alpet, ku duke regjistruar në kartë disa qindra litra karburant njëherësh, klienti, përveç komoditetit, përfiton edhe një ulje çmimi nga 5 deri në 7 lekë për litër.Gjithashtu, Alpet është e vetmja kompani që përdor një sistem kontrolli satelitor për pikat e saj të karburantit. Të gjitha të dhënat, përfshi shitjet e karburanteve, konsumin dhe sasinë e mbetur në secilën prej depozitave, transmetohen në qendrën e komjuterizuar të kontrollit, që ndodhet te zyrat e kompanisë në Sky Tower. Një nga produktet më cilësore që Alpet ka hedhur në treg, është 100 oktan Ultra Force, një lloj benzine pa plumb, që prodhohet me porosi nga rafineritë e naftës. Ky lloj karburanti përdoret nga makinat relativisht luksoze, të prodhuara pas vitit 2000 dhe megjithë koston e lartë, aktualisht zë rreth 5% të shitjeve të Alpet.Aksioneri Goçi bën gjithashtu të ditur se brenda gushtit të këtij viti, kompania do ta heqë nga tregu karburantin D2. Tani me dy markaVil Oil sh.a. & Alpet ka hyrë në treg edhe me një markë të dytë të quajtur Exen. Aktualisht, ajo ka vetëm dy pika karburanti në vend, por në muajt në vazhdim shoqëria pohon se edhe Exen do të rritet me të njëjtin ritëm si Alpet. Exen ka një logo ku kombinohen e kuqja dhe grija, për të krijuar një imazh të pavarur nga imazhi i gjelbër në të bardhë i Alpet. Hedhja në treg e markës Exen përbën një strategji marketingu që synon ta bëjë të pranishëm shoqërinë në treg me dy patenta dhe imazhe të ndryshme, por që në thelb, sipas drejtuesve, do të garantojnë të njëjtën cilësi. Një nga projektet më interesantë të Alpet është ngritja e një filiali që do të shtrihet në të dy krahët e autostradës Tiranë-Durrës. Projekti parashikon ndërtimin e dy pikave të karburantit në dy krahët e rrugës, të cilët do të bashkohen me njëra-tjetrën nga një urë-restorant, e cila do të kalojë disa metra mbi sipërfaqen e rrugës. Kjo pikë mbikalimi do të kushtojë rreth 2 milion euro dhe për fillimin e punimeve pritet vetëm leja e ndërtimit. Alpet po punon edhe në sektorin e marketingut, duke iu ofruar klientëve të rregullt disa shpërblime, që për momentin janë simbolike, por në perspektivë, Alpet ka programuar shtrirjen e biznesit në Kosovë dhe në Maqedoni.Alpet është një ndër 9 ndërmarrjet e ndryshme të shoqërisë turke Altinbas Holding, e themeluar në Gaziantep të Turqisë në 1975. Alpet e zhvillon aktivitetin e saj kryesor në Turqi ku ka rreth 500 pika karburanti të shpërndara në të gjithë vendin. Përveç Shqipërisë ajo vepron edhe në Qipron turke, ku sipas të dhënave të vetë kompanisë ka rreth 60 pika karburanti. Klientë dhe bashkëpunëtorë prestigjiozëMes klientëve Alpet rendit edhe shumë prej institucioneve shtetërore, ku përfshihen Presidenca, Bashkia Tiranë, Ministria e Brendshme, Garda e Republikës etj. Sipas z.Goçi, kontrata për furnizimin me benzinë të mjeteve të Ministrisë së Brendshme ka një vlerë prej afro 1.5 milion eurosh.Për blerjen e karburanteve jashtë vendit, firma vepron nëpërmjet bankave BNP Paribas dhe Credit Agricole, ndërsa transaksionet në Shqipëri kryhen nëpërmjet bankave Raiffeisen, Alpha, Banka Tirana, Banka Popullore, Banka Amerikane dhe BKT.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.