Fituesit dhe humbësit në luftën tregtare Kinë-Amerikë. Lufta tregtare mund të jetë një katastrofë e vërtetë, por jo për të gjithë
Armagedoni* ekonomik duket sikur nisi në momentin kur Donald Trump mori detyrën si President i Amerikës më 21 janar, moment ky në të cilin ai nisi me kërcënime të shumta, ndër të cilat edhe vendosja e një tarife prej 45% mbi importet kineze.
Askush nuk del fitimtar në një luftë tregtare, u shpreh disa ditë më parë presidenti kinez Xi Jinping. Por ai nuk kishte plotësisht të drejtë, shkruan The Economist. Në një katastrofë, disa mezi mbijetojnë, ndërsa të tjerë dalin fitimtarë.
Këto tarifa të larta do të shërbejnë si një taksë për blerësit amerikanë të pajisjeve të tilla teknologjike si telefona, kompjuterë dhe veshje (shikoni grafikun më poshtë). Sipas disa të dhënave të publikuara në 2010, mallrat dhe shërbimet nga Kina përbënin rreth 3% të shpenzimeve të konsumit.
Importuesit amerikanë do të jenë ata që do të vuajnë më shumë nga kjo taksë. Importuesit e pajisjeve teknologjike dhe veshjeve gëzojnë marzhet më të larta të tregtisë me pakicë dhe asaj me shumicë në krahasim me importuesit e mallrave apo produkteve të tjera. Një tarifë kaq e lartë do t’i shkatërronte fare ata. Nga ana tjetër konkurrentët e tyre që tregtojnë produkte vendase mund të përfitojnë nga një situatë e tillë dhe të rrisin çmimet.
Një lëvizje e tillë në tregtinë midis Amerikës dhe Kinës mund të jetë e dhimbshme por jo e papërballueshme për ekonominë kineze. Analistë nga banka e investimeve, Morgan Stanley, parashikojnë se edhe në rastin e një skenari më të keq, me vendosjen e tarifës prej 45% në të dyja drejtimet e tregtisë midis Kinës dhe Amerikës, eksportet do të binin me 13% dhe Prodhimi i Brendshëm Bruto me 1.4 pikë përqindje.
Firmat më të mëdha kineze, përfshirë këtu edhe indeksin e aksioneve kineze MSCI, janë më pak të varura te konsumatorët amerikanë në krahasim me varësinë që kanëamerikanët në firmat kineze.
Fabrikat e prodhimit të lodrave në Meksikë dhe ato të veshjeve në Vietnam do të lumturoheshin sepse do të kishte një rritje të kërkesës. Sipas të dhënave të nxjerra nga Deutsche Bank, nëse importet amerikane bien me 10% do të krijohej një boshllëk i tillë, i cili nëse do të zëvendësohej nga Meksika, do të rriste eksportet e kësaj të fundit me rreth 3%. Por gjithmonë duke supozuar që ata mund të kalojnë përtej murit që do ndërtohet në kufirin Amerikë-Meksikë.
*Beteja e fundit midis së mirës dhe të keqes, përpara Ditës së Gjykimit të Madh.