Janë mbi 1.2 milionë euro mallra të konfiskuara nga Doganat e Kosovës vetëm gjatë vitit 2013. Mallrat e konfiskuara në të shumtën e rasteve asgjësohen, por ka edhe të tilla që shiten në ankande publike.
Statistikat e përgjithshme të asgjësimeve për vitin 2013 për produkte ushqimore të asgjësuara nga Agjencia e Veterinarisë dhe Ushqimit në Kosovë, shprehur në kilogram kalon në një milion, ndërsa në litra e kalon mbi 400 mijë.
Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, tregon se asgjësimi bëhet konform rregullave të përgjithshme të ambientit, derisa shitja në ankande ndihmon në rritjen e të hyrave të doganave.
“Kur konfiskojmë mallra ushqimore, autoritetet e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë janë ato të cilat vendosin lidhur me trajtimin e atyre mallrave. Mallrat kryesisht shiten përmes ankandeve publike, për mallra që lejon ligji të shiten, kurse një pjesë e mallrave shkatërrohen nëse paraqesin rrezik potencial”, thotë Stavileci.
Me udhëzimin administrativ mbi trajtimin e mallrave të ndalura dhe të konfiskuara të Doganave të Kosovës, asgjësimi duhet të bëhet në mënyrë të përshtatshme dhe në vende të caktuara, të cilat i përshtaten llojit dhe viteve të mallit. Mallrat e asgjësuara duhet përgjithmonë të bëhen të papërdorshme nga ajo për të cilën kanë qenë fillimisht të destinuara.
Në udhëzimin administrativ, ndër të tjera thuhet se mallrat e ndjeshme, të cilat nuk mund të përdoren apo të shiten dhe përdorimi i të cilave është i ndaluar me ligjet në fuqi, duhet t’i nënshtrohen procedurës së asgjësimit.
Stavileci tregon se janë miliona euro mallra, të cilat konfiskohen në vit nga autoritetet doganore
“Kemi ngritur 151 kallëzime penale dhe kemi shqiptuar 862 kundërvajtje doganore”, bën të ditur Stavileci.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.