Auditimi i brendshëm, hapi i parë drejt qeverisjes

27/03/2012 16:05 0 komente

Të gjithë tani dimë për skandalet e mëdha financiare të viteve të fundit si Enron e Worldcom në SHBA dhe së fundmi Parmalat në Itali. Secili nga këto skandale u shoqërua me pasoja katastrofike për punonjësit, aksionerët dhe kreditorët e shoqërive në fjalë, si dhe për ekonominë e vendeve ku ato kishin pjesën më të madhe të aktiveve. Shumë nga mashtrimet financiare që drejtuesit e këtyre kompanive kishin realizuar, kishin shumë vite që kryheshin në fshehtësi dhe aksionerët, e kreditorët e palët e tjera të interesuara nuk kishin aspak dijeni mbi dëmin që po iu shkaktohej. Në të gjitha rastet, mashtrimet ishin rezultat i një mosfunksionimi të drejtë të qeverisjes së këtyre kompanive (Corporate Governance). Qeverisja e kompanisë është e përkufizuar si « sistemi me të cilin shoqëritë drejtohen dhe kontrollohen. Struktura e qeverisjes së kompanisë përcakton shpërndarjen e të drejtave dhe përgjegjësive ndërmjet pjesëmarrësve të ndryshëm në kompani si, bordi, drejtuesit, aksionerët dhe palë të tjera të interesuara, si dhe detajon rregullat e procedurat për marrjen e vendimeve në kompani. Nëpërmjet këtij mekanizmi përcaktohet struktura që vendos objektivat e shoqërisë, si dhe sigurohen mjetet përmes të cilave këto objektiva mund të arrijnë rezultate, të cilat mund të monitorohen “ (OECD Principles on Corporate Governance 1999).Dy faktorë të rëndësishëm që sigurojnë një qeverisje të shëndoshë të kompanive, janë Auditimi i Brendshëm dhe Auditimi i Jashtëm. Auditimi i JashtëmNë të vërtetë, Auditimi i Jashtëm ka dështuar shpesh në identifikimin e rasteve të mosfunksionimit të qeverisjes së kompanive dhe ndonjëherë me pasoja fatale dhe për vetë shoqëritë e auditimit. Të kujtojmë që skandali i Enron shkaktoi shkrirjen e Arthur Andersen, një nga pesë kompanitë më të mëdha të auditimit në Botë dhe skandali i Parmalat rezultoi në shkrirjen e Grant Thornton në Itali dhe burgosjen e dy prej partnerëve të shoqërisë. Tashmë, auditorët e jashtëm mundohen të kufizojnë riskun e dështimit të auditimit përmes klauzolave shtesë në kontrata që i mbrojnë ata nga risku.Kompanitë e auditimit në përgjithësi nuk e quajnë veten përgjegjëse për qeverisjen e kompanive. Shumë nga lexuesit mund të dinë që qëllimi i Auditimit të Jashtëm është ¦të mundësojë auditorin të japë një opinion, nëse pasqyrat financiare janë përgatitur në të gjitha aspektet thelbësore në përputhje me kuadrin e caktuar të raportimit financiar – Standardet Ndërkombëtare të Auditimit (ISA 200)Nga qëllimi i vetë Auditimit të Jashtëm mund të shohim që ai është i fokusuar në dhënien e një opinioni mbi pasqyrat financiare. Kjo sigurisht e kufizon kontributin që ai ka në një qeverisje të shëndoshë të kompanisë.Në të kundërt, përgjegjësia kryesore mbi qeverisjen e shëndoshë të kompanisë bie mbi Komitetin e Auditimit dhe Bordin Drejtues. Pikërisht për të arritur një qeverisje të shëndoshë të kompanisë, si dhe për të mbrojtur interesat e të gjitha palëve të interesuara në aktivitetin e shoqërisë, këto dy organe mbështeten mbi punën e auditimit të brendshëm.Çfarë është Auditimi i Brendshëm?Përkufizimi që është pranuar gjerësisht sot në botën e biznesit është ai i dhënë nga Instituti për Auditimin e Brendshëm (qershor 1999) që e përkufizon atë si më poshtë: Auditimi i Brendshëm është një aktivitet i pavarur për kontrollin në organizatë dhe për këshillimin e drejtuesve me qëllim shtimin e vlerës dhe përmirësimin e operacioneve të organizatës. Ai e ndihmon organizatën të realizojë objektivat e saj përmes një pune sistematike e të disiplinuar për të vlerësuar dhe përmirësuar efektivitetin e administrimit të riskut, kontrollit dhe procesit të qeverisjes.Puna e Auditimit të Brendshëm përqendrohet në:- Ekzaminimin dhe vlerësimin e mjaftueshmërisë dhe efektivitetit të sistemit të kontrolleve të brendshme;- Kontrollin e zbatimit dhe efektivitetit të procedurave të administrimit të riskut dhe të metodave të vlerësimit të riskut;- Kontrollin e sistemit të informacionit financiar dhe administrues;- Kontrollin e saktësisë dhe besueshmërisë së informacionit kontabël dhe të raporteve financiare;- Kontrollin e procedurave dhe metodave për ruajtjen e aktiveve;- Vlerësimin e eficiencës dhe efektin financiar të operacioneve në kompani;- Kontrollin e procedurave të vendosura për zbatimin e kuadrit ligjor dhe rregulloreve të brendshme e të jashtme;- Zhvillimin e hetimeve me objekte të veçanta (p.sh. për zbulimin e mashtrimeve financiare, për zbatimin e procedurave të veçanta të kontrollit, për zbatimin e kodit të etikës në organizatë etj.).- Një detyrë shtesë për Auditimin e Brendshëm të bankave, sipas Komitetit të Baselit për Mbikëqyrjen e Bankave është kontrolli i mjaftueshmërisë së kapitalit.Në konceptin organizativ duhet pasur kujdes që të sigurohet pavarësia e departamentit të Auditimit të Brendshëm. Në përgjithësi, për të siguruar këtë pavarësi ky departament duhet t i raportojë Komitetit të Auditimit dhe jo drejtuesve të shoqërisë. Për më tepër, duhet siguruar që anëtarët e Auditimit të Brendshëm të mos kenë konflikt interesi në kompani në lidhje me punën që ata kryejnë.Ata duhet të kenë akses të plotë në të gjithë dokumentacionin e kompanisë dhe duhet të jenë në dijeni të plotë të planeve të drejtuesve të shoqërisë në mënyrë që të jenë në gjendje të identifikojnë në kohë risqet e mundshme. Puna e tyre është e orientuar drejt mbulimit të risqeve që ata identifikojnë paraprakisht. Këto risqe duhet të adresohen në programet e auditimit të brendshëm ku listohen të gjitha procedurat e auditimit që departamenti i Auditimit të Brendshëm do të kryejë në mënyrë që të sigurojë mbulimin e këtyre risqeve. Cila është situata në tregun shqiptar ?Për të dhënë një ide më të qartë të situatës në tregun shqiptar unë po mundohem ta trajtoj në aspektin e kuadrit rregullator, d.m.th. atë të praktikës së ndjekur kryesisht nga kompanitë shqiptare.Kuadri rregullatorËshtë e rëndësishme të sqaroj që në ligjin shqiptar nuk ka asnjë referencë për standardet e Auditimit të Brendshëm ose të ketë kërkesa specifike ndaj kompanive, si atyre të regjistruara si Shoqëri me Përgjegjesi të Kufizuar dhe atyre të regjistruara si Shoqëri Anonime për ekzistencën e një departamenti të auditimit të brendshëm.Kuadri rregullator bankar kërkon që bankat të kenë një Komitet Auditimi të përbërë prej tre vetësh. Kjo është përgjithësisht në përputhje me kërkesat e Komitetit të Baselit për Mbikëqyrjen e Bankave. Megjithatë, një nga kërkesat e këtij komiteti është që dhe çdo bankë të ketë një departament Auditimi të Brendshëm.Përsa i përket shoqërive me përgjegjësi të kufizuar, ligji nuk kërkon krijimin e një Komiteti Auditimi dhe nuk ka asnjë kërkesë për funksionimin e Auditimit të Brendshëm. Kompanive të regjistruara si Shoqëri Anonime u kërkohet të kenë një Këshill Mbikëqyrës, por përgjegjësitë e tij nuk janë aq të detajuara sa ato të Komitetit të Auditimit të njohur në kuadrin rregullator bankar.Praktika në kompanitë shqiptareBankat janë pa dyshim më të përparuarat në këtë drejtim, megjithatë buxheti që i jepet Auditimit të Brendshëm është akoma i vogël. Mjaft banka nuk kanë pasur për një kohe të gjatë një Auditim të Brendshëm dhe vetëm së fundmi kanë krijuar departamente me vetëm një auditor të brendshëm. Nga statistikat mund të shihet se për banka me madhësi të ngjashme në vende të tjera Departamenti i Auditimit të Brendshem ka mesatarisht një personel prej 3 deri në 5 vetësh. Kjo sigurisht siguron një portofol të përshtatshëm aftësish dhe orë pune të mjaftueshme si për të identifikuar risqet e bankës, ashtu dhe për të mbuluar këto risqe me procedura të përshtatshme auditimi. Kompanitë shtetërore, sidomos ato më të mëdhatë, kanë auditorë apo kontrollorë të brendshëm. Megjithatë numri i tyre është mjaft i kufizuar krahasuar me riskun që këto shoqëri mbartin në aktivitetin e tyre. Gjithashtu, puna e tyre është më tepër e orientuar drejt shkeljes së ligjeve ose rregulloreve të miratuara me Vendime të Këshillit të Ministrave dhe jo drejt identifikimit dhe mbulimit të risqeve në mënyrë të pavarur. Gjithashtu, pavarësia e tyre është e kompromentuar përderisa ata në përgjithësi raportojnë te drejtuesit e kompanisë dhe jo te Komiteti i Auditimit që shpesh nuk ekziston. Kompanitë private, sidomos ato që nuk kanë pjesëmarrje nga investitorë strategjikë, kanë një mungesë totale të Auditimit të Brendshëm. Në mungesë të një kuadri rregullator, në një situatë ku shumë kompani janë të drejtuara në një formë hierarkike ku aksionerët janë dhe drejtues të kompanisë, si dhe në një treg ku informacioni financiar dhe operacional është gjerësisht pronë e vetëm disa individëve në kompani, Auditimi i Brendshëm e gjen veten të përjashtuar. Si përfundim mund të themi që:- Kuadri rregullator në Shqipëri si për qeverisjen e kompanive dhe për funksionimin e Auditimit të Brendshëm është mjaft i mangët ;- Praktika e Auditimit të Brendshëm është e kufizuar;- Ato pak kompani që e kanë adresuar çështjen e ndërtimit të një Auditimi të Brendshëm e kanë bërë duke dedikuar pak burime financiare për këtë funksion;Në asnjë rast nuk ka një proces të formalizuar për identifikimin e risqeve të kompanisë dhe kryerjen e procedurave të auditimit për mbulimin e këtyre risqeve.Çfarë veprimesh duhet të ndërmerren për ndërtimin e një Departamenti Auditimi?Veprimi 1: Bëni një hartë të kompanisë suaj, duke analizuar proceset kryesore dhe aktorët kryesorë që marrin pjesë në kompani. Veprimi 2: Identifikoni në nivel të përgjithshëm risqet e mundshme të kompanisë dhe nevojën për mbulimin e këtyre risqeve. Risqet mund të jenë të të gjitha llojeve si:- Gabime në sistemin kontabël dhe atë të raportimit financiar;- Moszbatim i ligjeve dhe rregulloreve të brendshme e të jashtme;- Drejtim i gabuar në kundërshtim me interesat e kompanisë;- Dështime të operacioneve të kompanisë, që rezulton në mungesën ose moszbatimin e kontrolleve, kryerjen e operacioneve në mospërputhje me strategjinë e kompanisë, dëmtimin apo humbjen e aktiveve të shoqërisë etj.Do të ishte më me efektivitet nëse ky vlerësim do të bëhej nga Komiteti i Auditimit ose ndonjë firmë e pavarur në mënyrë të tillë që të sigurohej paanësia e rezultateve. Gjithashtu, në këtë fazë, rëndësi do të kishin dhe komentet e auditorëve të jashtëm mbi sistemin e kontrollit të brendshëm.Veprimi 3: Zhvilloni universin e njësive të auditueshme nga Auditimi i Brendshëm. Veprimi 4: Kontrolloni politikat e kompanisë për të identifikuar nevojat dhe përgjegjësitë që kanë drejtuesit e kompanisë për kontrollin e brendshëm. Gjithashtu, lexoni statutin e Komitetit të Auditimit e Këshillit Mbikëqyrës, nëse ka, për të kuptuar përgjegjësitë e këtij të fundit në lidhje me sigurimin e një qeverisjeje të shëndoshë të kompanisë.Zhvilloni statutin e Auditimit të Brendshëm që të përcaktojë pozicionin e tij në organizatë, objektin e punës së tij, të drejtat dhe përgjegjësitë e tij në përputhje dhe me organet e tjera si Bordi Drejtues dhe Komiteti i Auditimit.Veprimi 5: Përcaktoni buxhetin e departamentit të Auditimit të Brendshëm, duke përfshirë madhësinë e stafit.Veprimi 6: Përcaktoni një program auditimi në përputhje me risqet e identifikuara më sipër. Programi i auditimit duhet të mbulojë punën e Auditimit të Brendshëm për të paktën një vit. Ky program do të përmirësohet në të ardhmen dhe me propozimet e Auditimit të Brendshëm.Veprimi 7: Merrni në punë personel në përputhje me nevojat e përcaktuara dhe me cilësitë e njohuritë e nevojshme për të mbuluar risqet e identifikuara.Veprimi 8: Paraqiteni audituesin e brendshëm me drejtuesit e kompanisë dhe më pas dhe me të gjithë personelin. Sigurohuni që ai ka gjithë mbështetjen e nevojshme dhe ka akses të plotë në të gjithë kompaninë.Veprimi 9: Përcaktoni sistemin e raportimit. Në këtë sistem duhet të adresohen objekti, forma dhe shpeshtësia e raportimit të Auditimit të Brendshëm. Këto duhet të jenë në përputhje të plotë me qëllimin e departamentit të Auditimit të Brendshëm të përcaktuar sipas statutit dhe sipas nevojave të kompanisë për të mbuluar risqet e ndryshme të identifikuara. Veprimi 10: Siguroni një sistem të matjes dhe sigurimit të cilësisë së punës të audituesit të brendshëm dhe të arritjes së objektivave të paravendosura.Kompani të ndryshme do të kenë specifikat e tyre në adresimin e çështjeve të qeverisjes së shëndoshë dhe të auditimit të brendshëm, por 10 hapat e mësipërme janë një strukturë e mirë për të ndërtuar një Departament të mirë dhe funksional të Auditimit të Brendshëm.Një nga kërkesat kryesore të rritjes së biznesit është dhe ndërtimi i një sistemi të shëndoshë qeverisjeje të kompanisë, ku interesat e të gjitha palëve në kompani të jenë mbrojtur në mënyrë të përshtatshme dhe kompania të arrijë të përmirësojë vetveten në procesin e përmbushjes së objektivave të saj. Auditimi i Brendshëm është pa dyshim mjeti më i mirë për arritjen e këtij qëllimi.

Shkruaj një koment

Ju duhet të logoheni për të komentuar.