Banka Botërore në analizën që u ka bërë e financave publike shqiptare, arrin në përfundimin se produktiviteti i TVSH-së në Shqipëri është 53%, në një kohë kur mesatarja për Europën Lindore është 66%. Kjo do të thotë se, në Shqipëri, për çdo 1% e normës së tatimit të TVSH, administrata tatimore mbledh TVSH në vetëm 53% të konsumit të përgjithshëm, duke lënë 47% të pataksuar. Në këtë 43% të konsumit të pataksuar, janë të përfshira përjashtimet ose korrupsioni dhe evazioni fiskal, që bëjnë të pamundur tatimin e bazës së plotë. Të dhënat referohen në një raport të BB-së për informalitetin, në qershor të vitit 2014.
Akoma më rëndë paraqitet produktiviteti në Tatimin mbi të Ardhurat Personale në vetëm 6% dhe tatimi mbi fitimin me vetëm 17%. Për të ardhura personale do të thotë se, vetëm 6% e bazës (PBB) tatohen në të vërtetë. Produktiviteti i tatimfitimit është pak më i mirë. Analiza tregon se, pothuajse në të gjitha llojet e tatimeve ka shumë vend për përmirësim të administrimit.
Analistët e Bankës Botërore sugjerojnë se ende gjenden hapësira të mëdha në luftën ndaj informalitetit në Tatimin mbi Vlerën e Shtuar dhe në Tatimin mbi të Ardhurat Personale. Ndërsa analiza e produktivitet të taksave tregon se, tashmë ka një evazion evident shumë të lartë, metoda e hendekut tatimor sugjeron se, administrata tatimore mund të përmirësojë mbledhjen e TVSH-së në Shqipëri nga 10 deri në 20%. Në nivele edhe më të larta sugjerohet përmirësim që mund të vijnë për Tatimin mbi të Ardhurat Personale dhe tatimfitimin. Sidomos të ardhurat nga TAP të paktën do të dyfishoheshin nëse do të zbatoheshin politikat më të efektshme.
Ekspertiza e Bankës Botërore sugjeron se hendeku tatimor në tatimin mbi fitimin është rreth 38%, por në raste të veçanta evazioni në këtë tatim shkon edhe 66%. Kjo situatë vjen nga nënraportimet që bëjnë kompanitë për fitimet dhe shpenzimet e fryra. Ekspertiza e Bankës sugjeron se, ka ende një hapësirë për rritjen e mbledhjes së të hyrave të duhanit, alkoolit dhe të karburantit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.