Trendi rritës i normave të interesit ka vijuar edhe për kreditë në lekë gjatë tremujorit të fundit 2016. Banka e Shqipërisë, në raportin më të fundit për tendencat e kreditimit, pohon se normat e interesit të kredisë në muajt tetor dhe nëntor janë rritur lehtas për biznesin.
Teksa shihet se kredia për biznese vijon të shfaqet e përqendruar dhe me ritme rritjeje të moderuara. Në muajt tetor-nëntor, ritmet e rritjes së këtij portofoli u ngadalësuan në 2.3%, të ndikuara si nga një ofertë e shtrënguar për kredi, ashtu edhe nga një kërkesë e dobët.
Në mes këtyre zhvillimeve në kreditim shihet se normat e interesit në lekë kanë rënë lehtësisht për individët dhe janë rritur për bizneset. Ndërkohë, interesat e kredive në euro kanë qenë të qëndrueshme për bizneset dhe kanë shënuar rritje për individët.
Krahas normave më të ulëta të interesit për individët, bankat kanë ofruar edhe kushte më të mira jo-çmim për kreditë e dhëna.
Ndërsa për bizneset vihet re shtrëngim i kërkesave për kolateral. Norma mesatare e interesit të kredisë në lekë në muajt tetor dhe nëntor shënoi respektivisht 8.21% dhe 7.64%, duke regjistruar rritje nga tremujori i kaluar.
Sipas maturitetit, rritja është formuar te normat e interesit për kreditë afatshkurtra, ndërkohë që ato me maturitet të gjatë janë ulur. Në terma mesatarë, interesi në këta dy muaj është 0.41 pikë përqindje më i lartë se në tremujorin e tretë të vitit dhe afërsisht në të njëjtin nivel me një vit më parë.
Normat e interesit të kredisë së re në euro shënuan 4.91% dhe 4.59% përkatësisht në muajt tetor dhe nëntor, duke mbetur në nivele pothuajse të njëjta me mesataren e tremujorit të tretë. Kjo ecuri ka reflektuar rritjen e interesave në segmentin e kredisë afatshkurtër, e cila u kompensua nga ulja e interesave te maturiteti afatmesëm dhe ai afatgjatë.
Norma mesatare e interesit për kredinë e re në lekë për bizneset në muajt tetor dhe nëntor është rritur me rreth 0.44 pikë përqindje nga tremujori i tretë. Sipas qëllimit të përdorimit, normat e interesit janë rritur për kreditë për overdraft dhe për çelje biznesi. Ndërkohë, ato janë ulur për kreditë për kapital qarkullues dhe investime.
Analiza e pastruar nga efekti dhe pesha e një banke të veçantë te segmenti i overdraftit paraqet një tablo të kundërt, ku normat e interesave për kredinë e dhënë bizneseve janë në rënie. Zgjerimi i horizontit të analizës për të gjithë vitin tregon se normat e interesit për kreditë në lekë për biznese në intervalin tetor-nëntor kanë frenuar uljen dhe luhaten afërsisht tek mesataret e 9-mujorit.
Në terma vjetorë, normat e interesit të kredisë të aplikuara për bizneset kanë shënuar rënie (-0.2 pikë përqindje), e cila ka qenë më e theksuar te kredia për investime. Norma e interesit të kredisë për likuiditet formohet kryesisht nga ajo e overdraftit, e cila është kredi me norma të larta dhe të luhatshme interesi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.