Bashkimet bankare

22/03/2019 10:04 PM 0 komente

Commerzbank dhe banka Deutsche do të fitonin shumë pak nga bashkimi i të dyjave. Normat e ulëta të interesit dhe sistemi i tre-shtyllave tkurrin fitimet

 

Ekonomia e Gjermanisë mund të jetë ngadalësuar, por kapitali i tij financiar po lulëzon, shkruan The Economist.

Kulla të reja po rriten për t’iu bashkuar atyre të Commerzbank, Deutsche Bank, DZ Bank, Helaba dhe shumë të tjerave në qytetin e Frankfurtit. Përveç këtyre, shumë të tjera kanë nisur të projektohen. Nëse nuk do të kishit lexuar asnjë lajm financiar gjatë dekadës së kaluar, ju mund të supozonit se edhe bankat e Gjermanisë gjithashtu po lulëzonin.

Por ju do të gaboheshit rëndë. Bankierët ankohen shpeshherë në lidhje me normat e interesit dhe se ata duhet t’i paguajnë 0.4% në vit interes Bankës Qendrore Europiane për të depozituar para, ku këto të fundit nuk po tregojnë asnjë shenjë rritjeje. Kjo e fundit ka lidhje edhe me një problem të vjetër: tregun bankar jashtëzakonisht të mbingarkuar të Gjermanisë. Vendi ka 1,580 banka, të grupuara në tre “shtylla” të sektorit privat, publik dhe kooperativave.

Edhe pse totali i përgjithshëm po tkurret me 40-60 në vit, shtylla e sektorit publik ende përmban 385 banka kursimesh (Sparkassen), kryesisht në pronësi të bashkive, dhe gjysmë duzinë institucionesh shtetërore huadhënëse rajonale (Landesbanken), si Helaba, që gjithashtu veprojnë si rregullatorë për bankat e kursimeve (Sparkassen).

Ekzistojnë edhe 875 banka kooperative. Rregullatori dhe huadhënësi i tyre, DZ Bank, është banka e dytë më e madhe e Gjermanisë sipas aseteve. Disa, për të qenë të sigurt, kanë gjetur mënyra për të fituar para. DiBa, një bankë online në pronësi të ING, një huadhënësi holandez, ka shënuar kthime dyshifrore nga kapitali (ROE).

Por sipas Oliver Wyman, një firmë këshilluese, mesatarisht kthimet nga kapitali i bankave gjermane u zvogëluan nga niveli i dobët prej 4% në 2010 në nivelin e tmerrshëm prej 1% në vitin 2016. Bankat e mëdha të sektorit privat janë ato të cilat vuajnë më shumë nga mungesa e hapësirave. Ato duhet të konkurrojnë me bankat e sektorit publik dhe ato të sektorit të kooperativave, objektivat e të cilave shkojnë përtej fitimeve. Aksionerët e bankave private e konsiderojnë 10% si një kthim nga kapitali (ROE) në nivele të mira. Por të pakta kanë qenë ato banka të mëdha europiane që kanë shënuar një nivel të tillë kthimesh.

Edhe bankat gjermane ndodhen larg arritjes së një niveli të tillë. Pasojat e krizës financiare të viteve 2007-‘08 patën një ndikim shumë të keq edhe në bankën më të madhe të Gjermanisë, Deutsche Bank, e cila e rikuperoi veten me shumë vështirësi. Që nga viti 2015, ajo ka kaluar një ristrukturim të dhimbshëm, duke përfshirë shkurtime në investimet bankare globale, ku përpara periudhës së krizës ajo konkurronte me disa prej më të fuqishmeve të Wall Street. Në 2018, ajo shënoi fitimin e saj të parë vjetor në katër vjet, ku kthimi i saj nga kapitali ishte vetëm 0.4%.

Edhe pse qeveria gjermane ka vetëm 15% të aksioneve tek Commerzbank, ndërsa te Banka Deutsche nuk zotëron fare aksione, thuhet se qeveria e këtij shteti dëshiron t’i bashkojë këto dy banka në një të vetme. Thuhet se Commerzbank mund të bashkohet me një bankë franceze ose italiane, ndërsa drejtuesit e bankës Deutsche do të parapëlqenin një marrëveshje me UBS të Zvicrës, por ministrat e qeverisë gjermane ndoshta nuk do të jenë të gatshëm të pranojnë që një tjetër bankë e madhe në vend të kalojë në pronësi të të huajve (banka HVB me qendër në Mynih, është në pronësi të UniCredit të Italisë).

Në një fjalim të mbajtur në lidhje me strategjinë industriale muajin e kaluar, Peter Altmaier, ministri i Ekonomisë, e përfshiu bankën Deutsche në listën e “kampionëve kombëtarë”. Fitimet kryesore në rastin e arritjes së një marrëveshjeje për bashkimin e këtyre bankave do të vinin nga ulja e kostove dhe rritja e shkallës në sektorin bankar të shërbimeve me pakicë. Deutsche ka rreth 1,500 degë (duke përfshirë ato të Postbank, të cilat i ka blerë gjatë periudhës 2008-10) ndërsa Commerzbank ka 1,000 degë.

Sipas Autonomous Research, në rastin e një bashkimi të mundshëm këto të dyja do të kishin rreth 20% të totalit të depozitave, pothuajse pjesën më të madhe. Ekzistojnë disa mbivendosje në lidhje me klientët e biznesit, ku Commerzbank fokusohet më shumë në shërbimin Mittelstand, në grupin e firmave gjermane private të orientuara kryesisht nga eksporti, ndërsa Deutsche është më shumë e fokusuar te kompanitë më të mëdha. Commerzbank ka hequr dorë nga investimi në sektorin bankar, ndërsa Deutsche edhe pse e dobësuar, nuk ka hequr ende dorë. Banka Deutsche, pasi vendosi të shesë Postbank në 2015 dhe ta marrë atë dy vjet më vonë, është ende duke lidhur dy sisteme së bashku. Të dyja bankat tashmë janë duke reduktuar shpenzimet së bashku edhe me numrin e stafit të tyre dhe një bashkim do të shtonte mundësinë e një raundi tjetër.

Por kjo marrëveshje do të bënte shumë pak në drejtim të lehtësimit të dhimbjes më të madhe të bankave: struktura e tregut bankar të Gjermanisë. Sektorët publikë dhe kooperativë janë rivalë seriozë dhe që përbëjnë shumicën kryesore të depozitave, hipotekave dhe kredive ndaj kompanive. Pa një konsolidim të shpejtë në këto shtylla, bashkimi nuk do të sillte begatinë e shpresuar tek Commerzbank dhe banka Deutsche. Sigurisht që në dekadën e kaluar janë parë edhe veprime, përveç krijimeve të qëndrueshme të bashkimeve midis bankave fqinje të kursimeve dhe kooperativave.

 

 

Bashkimi i Bankës DZ dhe WGZ, një marrëveshje e ngjashme por më e vogël, në vitin 2016 bashkoi majën e shtyllës së sektorit të kooperativave. Në sektorin publik, kriza financiare detyroi shpërbërjen eventuale të WestLB, shumica e së cilës u absorbua nga Helaba në vitin 2012. HSH Nordbank, një tjetër bankë në pronësi të shtetit (Landesbank), u ble vitin e kaluar nga investitorët privatë, si pasojë e numrit të lartë të kredive të këqija dhe më pas u rikapitalizua me ndihmën e shtetit, por tashmë nën emrin e ri Banka Tregtare e Hamburgut (Hamburg Commercial Bank).

Helmut Schleweis, kreu i Shoqatës së Bankave të Kursimeve Gjermane (DSGV), e cila përfaqëson bankat e sektorit publik, ka bërë thirrje për krijimin e një “Super banke shtetërore” (super Landesbank). Sipas Handelsblatt, një gazetë financiare, z. Schleweis donte të fillonte me bashkimin e bankës Helaba dhe NORD / LB, një tjetër bankë shtetërore e zhytur nga niveli i lartë i kredive të këqija dhe si përfundim të sillte në bankën LBBW, nga jugperëndimi, Deka Bank, një menaxher të aseteve, dhe Berlin Hyp, një huadhënës hipotekor.

Në fund të vitit të kaluar Helaba e pa me përparësi rastin e një bashkimi të mundshëm me NORD / LB, të cilat së bashku do të kishin një shtrirje nga lumi Main në Baltik, por bashkimi nuk u realizua si pasojë e mosrënies dakord të termave ndërmjet këtyre dy bankave. Që prej asaj kohe, DSGV dhe qeveria e shtetit të Saksonisë së Poshtme kanë filluar një plan për rikapitalizimin e NORD / LB. Cerberus, një firmë amerikane e kapitalit privat, thuhet se mund të jetë një prej blerësve të mundshëm. (Cerberus ka aksione në të dyja bankat si në atë Commerzbank dhe në bankën Deutsche, si aksione në Bankën Tregtare të Hamburgut).

Por me aq sa u tha më sipër, krijimi i një “super banke shtetërore” (super Landesbank) duket i pamundur. E megjithatë, bindja e pronarëve të sektorit publik, me axhendat e tyre politike, që të heqin dorë nga një pjesë e madhe e bankës së tyre lokale në këmbim të një sasie më të vogël aksionesh në një bankë kombëtare do të ishte një sipërmarrje e vështirë. Për shembull, një shoqatë rajonale e bankave të kursimit zotëron rreth 70% të Helabës; shteti i Baden-Württemburg zotëron 41%, dhe qyteti i Shtutgartit 19%, të LBBW.

Bashkimet midis shtyllave konsiderohen si një çështje e paimagjinueshme dhe e pamundur tani për tani. Klaus-Peter Müller, një ish-shef i Commerzbank, dikur deklaroi se e admironte aq shumë një bankë kursimesh (Sparkassen) dhe nëse do t’i krijohej mundësia do ta blinte një të tillë. Të tjerë arrijnë në përfundimin se sistemi me tre shtylla i ka shërbyer mjaft mirë vendit, edhe nëse ky i fundit ka krijuar shqetësime te disa prej bankave më të mëdha në Frankfurt.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of