Kontratë 5-vjeçare, klubit vjollcë i shkojnë 40 milionë euro. Juventus merr numrin 10, që e dëshironte aq shumë.
Federico Bernardeschi mund të quhet futbollist i Juventusit. Pas shumë javësh bisedime, më në fund marrëveshja u zhbllokua. Ndërsa tifozët e Fiorentinës janë të inatosur dhe sulmojnë fantazistin nga Carrara duke e ofenduar dhe duke e fyer pambarimisht.
Talenti italian, i cili nuk u paraqit në grumbullimin e Fiorentinës këtë javë duke pretenduar arsye shëndetësore përmes një certifikatë mjekësore, do t’u kushtojë bardhezinjve 40 milionë euro.
Fiorentina e ka pranuar këtë shifër pa bonuse ose shkëmbime lojtarësh. Juventus vendosi që në kontratë do të parashikohet një përqindje (10%) në favor të klubit vjollcë, në rast të një rishitjeje të futbollistit në të ardhmen.
Bernardeschi do të firmosë një kontratë 5-vjeçare me Juventusin, nga e cila do të përfitojë rreth 4 milionë euro në vit. Kjo është blerja e pestë e Juventusit në këtë merkato, pas Rodrigo Bentancur, Douglas Costa-s, Wojciech Szczesny dhe Mattia De Sciglio-s.
Tani bardhezinjtë do të hidhen në sulm për një mesfushor qendre, një pozicion që trajneri Allegri e konsideron ende të paplotësuar që pas largimit të Paul Pogba, një vit më parë.
Emrat që përfliten janë: Nemanja Matic, Emre Çan, Blaise Matuidi dhe Grzegorz Krychowiak.