Flet Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve Shqiptarë
Arben Shkodra, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Prodhuesve Shqiptarë thotë në një intervistë për Monitor se situata me nxitimin për hapjen e tregjeve rajonale është alarmante, pasi pasojat e mospërgatitjes do të jenë fatale dhe të pakthyeshme. Në fillim do ta ndiejnë fabrikat, të cilat ose do të përthithen nga fabrikat rajonale në rastin më të mirë ose do të falimentojnë, pohon ai.
Shkodra shton se bizneset nuk janë vënë në dijeni as formalisht për planin për krijimin e një tregu të përbashkët rajonal, ndërsa Serbia ka tre vite që punon në këtë drejtim, duke pasur një avantazh të lartë në raport me ne. Kësaj i shtohet dhe fakti që pothuajse gjithë rajoni po ndjek politika subvencionimi ndaj prodhimeve vendase, ndryshe nga Shqipëria.
Zoti Shkodra, Shqipëria është pjesë e një plani për krijimin e një tregu të përbashkët rajonal, si po pozicionohen prodhuesit vendas?
Po, është vërtetë. Por teksa ne nuk jemi vënë në dijeni as formalisht për këtë plan, Serbia ka tre vite që punon në këtë drejtim. Serbia është vendi i vetëm i cili ka ecur më përpara me qasjen e tregut të lirë në rajon. Maqedonia gjithashtu ka qenë shumë agresive me lehtësimet që ka bërë për investimet e huaja. Këto janë ato që në po shohim në rajon dhe ne themi a jemi gati ne?
Në këtë kuadër lind pyetja: a ka një analizë për efektet që do të ketë procesi i krijimit të zonës së lirë ekonomike? Marrim si shembull si është çmimi i qumështit në Shqipëri dhe në rajon, duhet të analizojmë të gjithë çmimet e prodhimeve tona me ato në rajon. Por po të marrim në analizë kostot për çdo produkt do të shohin se produktet tona janë më të shtrenjta.
Në momentin e qasjes së zonës së lirë, normalisht mbreti i tregut është çmimi. Produkti me lirë do të dominojë tregjet, pasi rregulli i artë i tregut të lirë është çmimi. Produktet shqiptare nuk do të jenë të afta të mbijetojnë më shumë se gjashtë muaj pas produkteve të importit. Pas gjashtë muajsh, tregu vendas do të kapet tërësisht pasi mallrat e importit për të njëjtën cilësi do të ofrojnë çmime më të lira. Atëherë kemi disa detyra shtëpie për të bërë. Shteti duhet të ulet me prodhuesit urgjentisht.
Si do të funksionojë zona e lirë e tregtisë në rajon?
Situata është alarmante. Zona e lirë ekonomike e rajonit është paradhoma BE-së. Nëse ne nuk e bëjmë mirë këtë ushtrim, imagjino çfarë do të ndodhë kur të firmosësh marrëveshjen finale të anëtarësimit me BE-në, një produkt polak, hungarez, rumun apo bullgar do të vijë shumë herë më shpejt nëse nuk do të kemi barriera. Nëse në këtë moment, nëse ti nuk ke analizuar dhe nxitur prodhimin vendas, atë pjesë me të cilën ti konkurron, pasojat do të jenë të rënda.
Por ky proces nuk do të thotë vetëm incentiva fiskale, por identifikim, markim dhe promovim i markës “made in Albania”. Gjatë periudhës së stabilizimit, ne duhet të kemi krijuar të gjitha mundësitë maksimale që prodhimet tona të kenë qasje në tregjet europiane.
Serbia, në këtë moment, po punon në mënyrë që përthithë prodhimet e rajonit dhi t’i shesë ato si marka të saj në tregjet e huaja. Pra janë disa gjëra që duhet të merren në analizë. Serbia ka edhe pozitë të favorshme gjeografike, pasi është më afër vendeve të Europës Qendrore. Por, përveç Serbisë, të gjitha vendet e tjera në rajon po përparojnë. Situata është alarmante, pasi pasojat e mospërgatitjes do të jenë fatale dhe të pakthyeshme.
Në fillim do ta ndiejnë fabrikat, të cilat ose do të përthithen nga fabrikat rajonale në rastin më të mirë ose do të falimentojnë. Serbia tani ka miratuar një ligj shumë të mirë për industrinë e riciklimit.
Ne duhet të ulemi dhe të analizojmë me seriozitet çdo sektor. Secili nga vendet po ecën. Edhe Kosova madje ka bërë shumë hapa para. Parlamenti i Kosovës i ka dhënë një hapësirë të veçantë klubit të prodhuesve duke iu lënë në dispozicion ambiente dhe zyra brenda Kuvendit, me qëllim që propozimet dhe shqetësimet e tyre të trajtohen në kohë nga ligjvënësit. Ky është një veprim konkret i shtetit të Kosovës për të marrë në konsideratë potencialet dhe mbrojtjen e prodhimit të vet.
Po Shqipëria a ka avantazhe?
Kemi veshmbathjet me cikël të mbyllur, vajin e ullirit, ujin, peshkun, minerale etj. Ne fillimisht duhet të identifikojmë produktet unike shqiptare, pra një lloj shporte me prodhime me të cilat ne mund të konkurrojmë tregjet rajonale. Kjo shportë duhet fillimisht të evidentohet dhe më pas cikli i prodhimit të secilit prej artikujve të lehtësohet nëpërmjet politikave mbështetëse, të cilat duhet të udhëhiqen nga qeveria. Për shembull, vajin e ullirit e kemi unik.
Por më parë duhet të ndërtojmë një strategji se si mund ta lehtësojmë vajin e ullirit dhe ta bëjmë atë të aksesueshëm në tregjet rajonale. Në të njëjtën mënyrë duhet të trajtojmë edhe prodhimet e peshkut, të cilin duhet të mendojmë ta përpunojmë, t’i rrisim vlerën dhe më pas të mundësojmë eksportin. Pra në bazë të gjithçkaje duhet të jetë ekonomia komplementare. Ne duhet të zhvillojmë prodhimin e produkteve me të cilat mund të jemi lehtësisht konkurrues në rajon.
Por ndërkohë, çfarë po bëhet për t’i paraprirë situatës?
Po presim që qeveria të organizojë tryezën zyrtare me ne ku të na thotë se çfarë ideje kanë ato për procesin dhe çfarë angazhimi duan që të kemi ne në këtë proces. Pastaj menjëherë duhet të ngrihen tryezat e përbashkëta në mënyrë që ne të nisim me zgjidhjen e problematikës. Ne kemi disa problematika që duhet t’i diskutojmë.
Cilat janë problematikat?
Ne kemi disa problematika, ku së pari shohim mungesë vëmendje ndaj prodhimit vendas. Ne kemi paraqitur disa kërkesa për të lehtësuar prodhimin vendas, të cilat nuk u morën në konsideratë në paketën fiskale të vitit 2018. Por gjatë vitit të ardhshëm, ne presim qasje me procedura lehtësuese. Ne duam që në këtë kuadër të rishikohet e gjithë procedura për stimulimin e prodhimit vendas, taksat dhe tarifat ndaj tyre, gjë të cilën shtetet e tjera tashmë po e bëjnë. Ne duam që të rishikohen disa elemente të kostos, të cilat kanë të bëjnë me taksat dhe kosto të shtuara. Rishikimi i tyre është shumë i lehtë. Ne tani i kemi të gjitha të evidentuara.
Të nxitet prodhimi vendas
Ne shohim mungesë vëmendje ndaj prodhimit vendas. Ne kemi paraqitur disa kërkesa për të lehtësuar prodhimin vendas, të cilat nuk u morën në konsideratë në paketën fiskale të vitit 2018. Por gjatë vitit të ardhshëm, ne presim qasje me procedura lehtësuese.
Çfarë ndërhyrjesh duhen?
Janë një sërë ligjesh, VKM dhe udhëzimesh që duhet të ndryshohen, procedurash dhe tarifash që ulin kostot dhe e bëjnë konkurrues prodhimin vendas. Nuk mund të ketë prodhimi vendas taksa të shtuara territoriale. Nuk mund të ketë taksa vendore. Këto taksa duhen vënë ndaj magazinave doganore dhe ndaj mallrave të importit. Duhet të aplikohen lehtësi procedurale, sidomos ato që kanë të bëjnë me procedurat doganore dhe duhet hequr urgjentisht një taksë për ambalazhin. Është një taksë e cila e vetme e rëndon produktin tonë edhe në eksport. Duhet të ketë një regjim të veçantë për procedurat doganore për artikujt agroushqimor.
Duhet shmangur radha, pasi ushqimet prishen dhe skanimi nuk duhet të përdoret për të gjitha këto produkte. Ne kemi probleme me skanimin. Për shkak të kanabisit, çdo eksport skanohet. Kjo duhet të jetë me kampionim. Kemi edhe kostot e energjisë elektrike në prodhim. Nuk duhet të tarifojmë njësoj si për magazinën e importuesit edhe për atë të prodhuesit, nëse duam të kemi prodhimin vendas të lehtësuar. Ju keni parë që çmimi i birrës së importit është më i lirë se prodhimi vendas, pasi prodhuesi atje ka çmim më të lirë energjie dhe taksa më të ulëta në tërësi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.