Në kompanitë e basteve, situata nuk është aq shumë entuziaste, sa duket në rrugë. Teksa një grup tifozësh ja kishin marrë ulërimës me flamuj, shamatë bori siç e do zakoni në këto raste, në lokalin ku viheshin bastet situata nuk është hiç optimiste. Nuk luhen më shumë të mëdha dhe ato që hidhen janë racionale. Këtë e tregojnë edhe rezultatet e koeficienteve.
Deri para pak momentesh koeficientet e basteve janë 2.75 për Shqipërinë dhe po kaq për Serbinë. Punonjësit pohojnë se, më shumë bastet anojnë nga barazimi.
Megjithëse tendenca ndryshon në orët e mëvonshme, kompanitë e basteve nuk presin superfitime këtë natë. Por nuk përjashtohet mundësia që nëse rezultatet shkojnë në favor të Serbisë kompanitë të fitojnë. “Ka ikur koha e superfitimeve në ndeshjet e mëdha “ thotë punonjësi i shërbimit në njësi bastesh në zonën e ish Bllokut në Tiranë. Ai kujton pesë vite më parë ku, luheshin shuma me 400 mijë euro për ndeshje të forta, ndërsa tani të rralla janë shumë deri në 1 milionë lekë.
Teksa menaxherët e basteve sportive nuk janë optimistë për të ardhurat që sigurojnë nga superndeshjet, bilancet e tyre në tatime tregojnë të kundërtën.
Bizneset e lojërave të fatit dhe bastet, ndryshe nga sektorët të terë si ndërtimi, industria kanë pësuar rritje me 2014 sipas pasqyrave financiare që kanë dorëzuar në QKR.
Këto aktivitete vitin që shkoi edhe pse përballë një aksioni të rreptë policor, njohën një rritje të shpejtë, ku xhiroja e disa kompanive pësoi rritje deri në 80 për qind.
Menaxherët në kompanive e pranojnë këtë situatë duke argumentuar se ka rënë loja me shumë të mëdha, po është rritur baza e lojtarëve me shuma të vogla. Ka shumë të rinj që luajnë me 2000 lek për rezultate ndeshjesh që më shumë janë bingo se sa përllogaritje që vijnë nga njoha e futbollit. Këto lloj bastesh në të shumtën e rasteve shkojnë fitime për kompanitë pohojnë menaxherët.
Aktualisht në të gjithë vendin numërohen 5 kompani baste sportive me 3163 pika të tilla (adresa dytësore), sipas të dhënave në Njësinë e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.
Numri i madh i pikave të basteve është i përqendruar në pesë kompani, ku më e madhja shihet të jetë Top Bast me 1117 pika në të gjithë vendin. Më pas vjen Top Start, Loto Sport, i.T.S.Ae “Xhoi Co 21”.
Pikat e basteve (përfshirë adresat sekondare) përbëjnë 80% të totalit të lojerave të fatit.
Sipas të dhënave zyrtare, numri total i pikave të lojërave të fatit (gjithnjë përfshirë adresat sekondare) është 3979.
Disiplinimi i pikave ta paktën gjeografikisht është peng i një projektligj të ri në sektorin e lojërave të fatit i cili ka ngelur prej në sirtarët e Kuvendit edhe pse është miratuar nga komisionet parlamentare.
Sipas projektligjit të ri të lojërave të fatit, sallat e bastet sportive do të jenë jo më afër se 200 m larg njëra-tjetrës, çdo pikë tjetër që nuk e respekton këtë distancë me hyrjen në fuqi të ligji të ri mbyllet.
Gjithashtu me ligjin e ri biznesi i basteve sportive kushtëzohet nga numri i pikave të bastit dhe rritja e kapitalit për krijimin e tyre.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.