Të frikshme, drastike, shkatërruese, të paimagjinueshme, shtypëse, diktatoriale, prishje e balancave të një vendi e deri te falimente me pasoja të rënda sociale afatshkurtër dhe ekonomike në afatin e mesëm, që mund të dëmtonin zhvillimin e vendit. Si asnjëherë tjetër, përfaqësues të institucioneve të biznesit dhe ekspertë janë shprehur tepër të ashpër në opinionet që kanë dhënë për “Monitor” lidhur me formën dhe mënyrën se si qeveria po zhvillon aksionin antiinformalitet, duke i quajtur qartazi veprimet e qeverisë si “jo të zgjuara”. Ndërsa janë të gjithë absolutisht dakord që informaliteti duhet luftuar, nuk pajtohen me mënyrën represive që po ndiqet dhe sidomos me ashpërsimin e gjobave, që shkojnë deri në 10 milionë lekë, për bizneset e mëdha që nuk dokumentojnë mallin.
“Këto masa cenojnë rëndë reagimin qytetar, që sipërmarrja private në tërësinë e saj pati në mbështetje të iniciativës së qeverisë për formalizimin e ekonomisë, thotë Nikolin Jaka, kreu i Dhomës së Tregtisë së Tiranës. “Në asnjë rast, një mazhorancë e zgjuar dhe që vlerëson partneritetin dhe dialogun me sipërmarrjen private nuk mund të propozojë masa drastike duke shumëfishuar penalitetet, në një proces ku fillimi duket i mbarë, madje në rastin konkret jashtë çdo lloj parashikimi dhe perceptimi të çdonjërit prej nesh”, shton ai.
Për Gjergj Buxhukun e Konfindustrias, “çdo tejkalim i ndëshkimit fiskal është i dëmshëm, sepse goditjet mund të jenë shkatërruese për bizneset, pa i dhënë mundësi të dytë”.
Zenel Hoxha, President dhe CEO, Dhoma Shqiptaro–Britanike e Tregtisë dhe Industrisë është më i ashpër, kur thotë se në ndryshimet e miratuara në ligjin e procedurave tatimore, është fakti i ashpërsimit në mënyrë realisht të “frikshme” për të gjithë subjektet.
Për prof. dr. Sotiraq Dhamo, përgjegjës i Departamentit të Kontabilitetit, Fakulteti i Ekonomisë, për një shkelje (siç është malli pa dokument) biznesi përballet me pesë penalitete: siç është gjoba në masën 10 milionë lekë, sekuestrimi, TVSH-ja, rivlerësimi i të ardhurave dhe ndjekja penale. “Kjo është një gjë e paimagjinueshme që nuk ndodh në asnjë vend tjetër, ndaj duhet të qartësohet sa më shpejt”.
Për Hajredin Fratarin e Konfindustrias, gjobat katastrofike në ligjin e ri të procedurës tatimore do të shndërrohen në një bumerang jo vetëm për ekonominë, por edhe për qëllimin afatshkurtër të qeverisë për më shumë të ardhura.
Opinione
Flet Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë
Nuk mund të propozohen masa drastike duke shumëfishuar penalitetet
Në asnjë rast, një mazhorancë e zgjuar dhe që vlerëson partneritetin dhe dialogun me sipërmarrjen private nuk mund të propozojë masa drastike, duke shumëfishuar penalitetet, në një proces ku fillimi duket i mbarë, madje në rastin konkret, jashtë çdo lloj parashikimi dhe perceptimi të çdo njërit prej nesh.
Si e vlerësoni aksionin kundër informalitetit që po ndërmerr qeveria? Çfarë efektesh do të ketë në klimën e biznesit? Si do të ndikojë në rritjen e bazës së tatimpaguesve?
Ekonomia jonë identifikohet nga problematika të ndryshme. Një ndër problemet shqetësuese që, në mënyrë parazitare kishte bllokuar ekonominë dhe konkurrencën, ishte informaliteti dhe evazioni fiskal. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, prej gjashtë vjetësh, informalitetin dhe evazionin fiskal e ka ngritur si shqetësim duke e trajtuar si plagën më të rëndë të ekonomisë shqiptare. Në këtë kontekst, ne kemi mbështetur dhe mbështesim me forcë iniciativën e qeverisë shqiptare në luftën kundër informalitetit dhe evazionit fiskal, duke shpresuar që kjo nismë të kthehet në sisteme sigurie të funksionimit të administratës fiskale dhe sipërmarrjes private në zbatim të ligjit. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, ashtu siç ka premtuar në prononcimet e saj, po e ndjek me vëmendje të veçantë këtë iniciativë dhe reformë, duke denoncuar të gjithë fenomenet negative që nuk janë në shërbim dhe respekt të iniciativës dhe sistemit ligjor. Ka pasur raste sporadike të cilat kanë cenuar sipërmarrjen private, duke krijuar një imazh dhe profil jo të duhur për inspektorët kontrollues.
Është shumë e rëndësishme që të gjitha palët të kuptojnë që kjo reformë i shërben qëndrueshmërisë ekonomike, rritjes së nivelit dhe cilësisë së jetesës së qytetarëve shqiptarë, duke formalizuar sipërmarrjen dhe duke zbatuar ligjin.
Nga ana tjetër, palët duhet të kuptojnë që kjo reformë duhet të shoqërohet dhe me aplikimin e modelit qytetar, duke vënë në funksion logjikën dhe partneritetin për shkeljet e konstatuara.
Ndryshimet në ligjin për Procedurat Tatimore parashikojnë edhe dhjetëfishimin e penaliteteve për të gjithë elementet që lidhen me evazionin e plotë dhe të pjesshëm, cili është opinioni juaj?
Ndryshimet e fundit që iu bënë ligjit për Procedurat Tatimore në Kuvendin e Shqipërisë, duke e shoqëruar me procedura të përshpejtuara përbëjnë një veprim të nxituar të mazhorancës aktuale. Në radhë të parë, ky ligj vjen në kundërshtim me frymën e partneritetit dhe dialogut me sipërmarrjen private.
Së dyti, cenon rëndë reagimin qytetar, që sipërmarrja private në tërësinë e saj pati në mbështetje të iniciativës së qeverisë për formalizimin e ekonomisë.
Duke iu referuar statistikave deri në miratimin e ndryshimeve ligjore të ligjit të Procedurave Tatimore, formalizimi i sipërmarrjes private flet për një numër rreth 30 mijë sipërmarrje të reja dhe të riaktivizuara.
Në asnjë rast, një mazhorancë e zgjuar dhe që vlerëson partneritetin dhe dialogun me sipërmarrjen private nuk mund të propozojë masa drastike duke shumëfishuar penalitetet, në një proces ku fillimi duket i mbarë, madje në rastin konkret jashtë çdo lloj parashikimi dhe perceptimi të çdo njërit prej nesh.
A mendoni se, në këtë mënyrë, rrezikohet që të rritet papunësia?
Është më se normale që kjo reformë do të karakterizohet me efekte dhe ndikim social, por e trajtuar në këndvështrimin e duhur nuk mundet që një qeveri, për hir të interesave populiste apo partiake, të lejojë deformimin e sistemit ekonomik të saj dhe të mundësojë lulëzimin e informalitetit dhe evazionit fiskal.
Gjithashtu, një qeveri e zgjuar dhe e kujdesshme për qytetarët e vet nuk duhet të hartojë politika të taksave të larta dhe reforma drastike, siç është kjo e fundit dhe duke lënë mënjanë hartimin e politikave zhvillimore që mundësojnë përfshirjen e çdo qytetari shqiptar, i aftë mendërisht dhe fizikisht për punë.
………….
Flet Gjergji Buxhuku, Administrator i Alb-Konfindustria
Goditjet mund të jenë shkatërruese për bizneset
Më shumë sesa për masën e gjobës, jam i shqetësuar për procedurën e “barrës së provës” në rastet e ndëshkimit fiskal. Institucionet fiskale duhet të jenë të detyruara me ligj, që të garantojnë drejtësinë e ndëshkimit të tyre për të mos i lënë vend subjektivizmit, korrupsionit dhe mungesës së profesionalizmit.
Si e vlerësoni aksionin kundër informalitetit që po ndërmerr qeveria, çfarë efektesh do të ketë në klimën e biznesit? A mendoni se do të ketë efekte në rritjen e bazës së tatimpaguesve?
Para së gjithash uroj, që zbardhja e ekonomisë shqiptare, të mos jetë menduar thjesht një aksion, por të jetë një proces me qëllime të përcaktuara saktë, profesional dhe i shtrirë në kohë nga ekzekutivi. Unë e vlerësoj si një qëllim me vlera shtetformuese në afatgjatë, që duhet mbështetur plotësisht, në radhë të parë si mënyra më efektive për të luftuar plagën kanceroze më të rëndë të ekonomisë sonë: daljen e paligjshme të parave të shqiptarëve jashtë vendit.
Por, për të qenë të suksesshëm, duhet treguar kujdes dhe zgjuarsi në mjetet, mënyrat dhe kohën e zbatimit. Përndryshe, rrezikojmë që përfitimet e mirëpritura jo vetëm të mos arrihen, por mund edhe të kthehen në të kundërtën e tyre për bizneset dhe qytetarët.
Kemi të bëjmë me një proces tejet të ndërlikuar nisur nga shkalla e lartë e informalitetit të ekonomisë së ndërtuar në 25 vjet, numri i lartë i njerëzve që preken, institucionet e dobëta fiskale dhe gjyqësore në zbatimin e ligjit, kontrollin hapësinor, korrupsionin si dhe shkallën e ulët të konkurrencës së prodhimeve dhe shërbimeve vendore ndaj të ngjashmëve të tyre të huaj, etj.
Për të kuptuar se çfarë mund të ndodhë me ekonominë dhe shoqërinë shqiptare mjafton të hipotetizojmë se nisma kundër paligjshmërisë arrihet brenda një dite.
Të nesërmen do të ndesheshim me: mijëra të vetëpunësuar të papunë, të cilët do të drejtohen për të kërkuar ndihmë sociale në shtet; dhjetëra mijë fermerë të paformalizuar në masën mbi 95% (sot) që nuk mund të shesin dot prodhimet; rritje me të paktën mbi 400 milionë euro importe bujqësore; goditje ndaj një numri të madh industrish vendase nga konkurrenca ‘dumping’ e prodhimeve të huaja. Praktikisht kolaps i plotë ekonomik!
Në kushtet e mësipërme, edhe nëse do të kishim në periudhën afatshkurtër rritje relative të numrit të bizneseve të regjistruara në afatmesëm, objektivisht do të kishim rënie.
Ndryshimet në ligjin për procedurat tatimore parashikojnë edhe dhjetëfishimin e penaliteteve për të gjithë elementet që lidhen me evazionin e plotë dhe të pjesshëm, cili është opinioni juaj?
Padyshim, që penalitetet ndaj bizneseve duhet të jenë në përpjesëtim të drejtë me shkallën e dëmit. Çdo tejkalim i ndëshkimit fiskal është i dëmshëm, sepse goditjet mund të jenë shkatërruese për bizneset, pa i dhënë mundësi të dytë. Kuptohet, se çfarë do të thotë kjo për sipërmarrjen dhe nismat investuese vendore dhe sidomos të huaja. Por, më shumë sesa për masën e gjobës, unë jam i shqetësuar për procedurën e “barrës së provës” në rastet e ndëshkimit fiskal. Institucionet fiskale duhet të jenë të detyruara me ligj, që të garantojnë drejtësinë e ndëshkimit të tyre për të mos i lënë vend subjektivizmit, korrupsionit dhe mungesës së profesionalizmit. Të mos harrojmë se sa më shumë rritet masa ligjore e ndëshkimit, aq më shumë rritet edhe vlera e korrupsionit.
A mendoni se, në këtë mënyrë, mund të rrezikohet që të rritet papunësia?
Besoj se po, por nuk e di nëse në buxhet është përcaktuar rritje e ndihmës sociale për shkak të luftës kundër informalitetit.
…………………
Flet Zenel Hoxha, President dhe CEO, Dhoma Shqiptaro–Britanike e Tregtisë dhe Industrisë
Ashpërsim i masave në mënyrë të “frikshme”
Ndryshimet në ligjin për Procedurat Tatimore kanë për qëllim luftën kundër informalitetit dhe parimisht biem dakord që duhet të ndërmerret për të formalizuar sa më shpejt ekonominë.
Në lidhje me ndryshimet dhe penalizimin e subjekteve në rast se ato kapen duke ushtruar aktivitet në një adresë të padeklaruar, kjo është në një linjë me qëndrimin e deritanishëm të organeve tatimore, të cilat kanë bërë njoftime të vazhdueshme për një kohë të gjatë për azhurnimin e të dhënave të bizneseve. Autoritetet iu kanë kërkuar, në këtë mënyrë, të gjitha subjekteve që të bëjnë ndryshimet e tyre në QKR, me qëllim shmangien e penaliteteve që mund të pasojnë si rezultat i ushtrimit të aktivitetit në vende të padeklaruara, e cila në njëfarë mënyre, është edhe ndihmë në formalizimin dhe identifikimin e të gjitha subjekteve dhe vendeve të ushtrimit të aktivitetit të tyre.
Një nismë tepër pozitive, e cila ka gjetur mbështetje edhe nga tatimpaguesit është auditimi i kompanive të tyre nga një prej kompanive të quajtura “Big Four”, auditim i cili do të pasqyrohet direkt në raport–kontrollet e organeve tatimore dhe do të shmangë në këtë mënyrë, kontrollin nga këto organe.
Ajo që të bën përshtypje në ndryshimet e miratuara në ligjin e procedurave tatimore është fakti i ashpërsimit në mënyrë realisht të “frikshme” për të gjithë subjektet. Qoftë për ato subjekte që janë tashmë të formalizuara dhe zbatues rigorozë të ligjeve në fuqi, qoftë edhe atyre që deri më tani, kanë ushtruar veprimtarinë e tyre tërësisht në informalitet. Themi që janë të “frikshme”, sepse subjekti në këtë mënyrë penalizohet dy herë njëkohësisht:
– Gjobë në masën 10.000.000 lekë
– Konfiskim të mallrave pa dokumente tatimore.
Edhe pse parimisht jemi dakord me formalizimin e ekonomisë, nuk mund të biem dakord me këto masa tejet shtrënguese, të cilat përveçse do të sillnin pasoja negative, shumë pak do të mund të sillnin rezultatet aq të dëshiruara nga të gjithë, formalizimin. Themi pasoja për dy arsye:
E para, sepse zbatimi i një mase të tillë do të ishte fatale për subjektin tatimpagues dhe me shumë gjasa, do ta çonte atë drejt mbylljes – falimentimit të aktivitetit të tij tregtar, ndikimi negativ i së cilës do të reflektohej në mënyrë të menjëhershme me mbylljen e disa vendeve pune, praktikisht i bie që do të shtohej papunësia dhe gjithashtu, do të bënte që shteti të mos realizonte të ardhura për një periudhë afatgjatë (detyrime tatimore) nga një subjekt i cili me shumë gjasa, do të shkonte drejt falimentit.
E dyta, sepse këto masa tepër të ashpra, duke marrë një aspekt negativ që karakterizon shoqërinë tonë prej tashmë shumë kohësh, ndoshta do të ndikonin edhe në rritjen e korrupsionit me inspektorët tatimorë, e cila, për hir të së vërtetës, është aktuale dhe e prekshme çdo ditë nga njerëzit e biznesit. Përpara masave të tilla, të cilat janë me pasoja të rënda për subjektet tatimpaguese, do të nxiste më tepër palët për shmangien e atij penaliteti me anë të korrupsionit, i cili, deri më tani, edhe pse me disa “arrestime/kallëzime” sporadike, nuk është arritur të luftohet ashtu siç duhet nga qeveria.
……………
Flet prof. dr. Sotiraq Dhamo, përgjegjës i Departamentit të Kontabilitetit, Fakulteti i Ekonomisë
Penalitetet për mallin pa faturë, të paimagjinueshme, nuk ndodhin në asnjë vend tjetër
Si i vlerësoni përpjekjet e qeverisë për të luftuar ekonominë informale? A mendoni se do të sjellë rritje të bazës së tatimpaguesve dhe të të ardhurave?
Kjo çështje duhet parë në një spektër të gjerë. Në radhë të parë ka të bëjë me faktin nëse është një veprim i drejtë ose jo i qeverisë. Unë preferoj ta konsideroj si një reformë që po ndërmerr qeveria dhe në këtë aspekt, e konsideroj të drejtë. Ka ardhur koha që ekonomia, biznesi, por tatimorët të “shkunden” për të vënë drejtësi dhe për të garantuar konkurrencë të ndershme, por edhe që me të ardhurat e grumbulluara të ndërmerren investime. Nga këndvështrimi rregullativ, biznesi po ndërmerr disa hapa, qoftë institucionale apo/edhe operativë, siç janë edhe rregullimet ligjore e që duhet të vazhdojnë. Megjithatë duhet të bëhet transparencë në lidhje me hapat e mëtejshëm institucionalë, siç është rregullimi i administratës, bashkimi i tatimeve me doganat etj.
Një aspekt tjetër ka të bëjë me synimin, ku duhet kuptuar nëse e gjithë kjo po bëhet për të rritur të ardhurat apo për ta bërë ekonominë formale.
Nëse objektivi do të jetë vetëm rritja e të ardhurave, atëherë duhet të ngremë dyshime në lidhje me suksesin dhe zbatueshmërinë, por nëse kjo ka të bëjë me uljen e normës së informalitetit, në mënyrë progresive për një periudhë të caktuar, atëherë kjo justifikohet. Por, kjo nuk është shprehimisht e qartësuar.
Nga pikëpamja operative, qeveria duhet të parashikojë efektet e menjëhershme, të mesme, apo afatgjatë. Nëse do të synohet rritja e numrit të bizneseve e të regjistruara, e të ardhurave në afatmesëm kjo mund të shoqërohet me papunësi, ulje e konsumit, prandaj duhet të bëhet kujdes. Duhet të ketë një studim të hollësishëm për të parë edhe efektet sociale, sepse “e drejta” për ta nisur këtë luftë nuk duhet të justifikojë çdo mjet apo çdo pasojë. Sepse nëse luftohet informaliteti dhe pasojat janë negative, atëherë do të ketë edhe kosto sociale. Në këto kushte, qeveria duhet të bëjë transparencën në lidhje me atë që parashikon të arrijë nga kjo reformë dhe çfarë do të sjellë sepse, nëse kjo mungon, atëherë do të thotë se kemi të bëjmë me një “këndvështrim të ngushtë”. Në parim, lufta kundër informalitetit nuk kundërshtohet, por objektivi kryesor nuk duhet të jetë rritja e të ardhurave apo shtimi i numrit të bizneseve të regjistruara. Kjo reformë duhet të shoqërohet me rregullime ligjore dhe administrative, për të shmangur abuzimet për shkak të mungesës së paaftësisë dhe etikës joprofesionale. Me një administratë që perceptohet si e korruptuar është vështirë që të arrihet suksesi
Si i gjykoni ndryshimet në ligjin për Procedurat Tatimore? A mendoni se rritja e masës së gjobës do të sjellë efekte në parandalim?
Kalimi i këtyre ndryshimeve me procedurë të përshpejtuar nënkupton se, ose jemi në një situatë emergjente, ose bëhet vetëm për të shkaktuar “frikë”. Nga ana tjetër, nënkupton se nuk është bërë propaganda e duhur, se nuk është dhënë informacioni i duhur në kohën e duhur, që të kuptohet drejt nga ata që janë ose do të jenë subjekt i ligjit. Për mendimin tim, për hyrjen në fuqi të ligjit, duhet të lihet një periudhë tremujore, që shërben si afat për njohjen me kuadrin. Duhet ta kemi të qartë se ligji hyn në fuqi që të zbatohet dhe jo që të dënojë.
Ndërsa sa i përket shkallës së gjobave, nuk është ajo që siguron zbatimin, por është administrata, sa më serioze të jetë ajo, aq më shumë do të gjejë zbatim ligji.
Në historikun ligjor, niveli i gjobave nuk ka qenë ndonjëherë i ulët, por kanë pësuar luhatje. Mund të sjellim në kujtesë faktin se ishte pikërisht kjo qeveri, e cila uli gjobat që zbatoheshin për mosdeklarimin e punonjësve, pasi i konsideroi mbi nivelin e drejtësisë sociale. Pra, në vetvete, gjoba e lartë shoqërohet me një mori problematikash që lidhen me aspektin social, me përpjesëtim në raport me shkeljen, me atë që e vendos (a duhet të vendoset një gjobë e lartë nga një inspektor i thjeshtë?!). Nga ana tjetër, gjobat e larta dhe jo të drejta, sjellin edhe kundërshtim, gjë që shoqërohet me kosto edhe në sistemin e drejtësisë (fluks gjykimesh). Dhe këtu ngrihet çështja a do të sjellin efektin e duhur, pra a do të kufizojnë shkeljet apo do të shkatërrojnë biznesin? Autoritetet duhet të garantojnë barazi, një mjedis ku ligji kërkohet dhe zbatohet njësoj, pasi kështu do të mund të evidentohet saktë ai që shkel ligjin, në mënyrë të ndërgjegjshme duke ditur pasojat.
Por, vendosja e gjobave (me apo pa të drejtë) do të shtojë edhe rastet në gjykim, që, nga ana tjetër, shoqërohen me kosto?
Po, kjo është e pashmangshme. Apeli tatimor po përballet me një ngarkesë të madhe, gjykatat administrative po kështu.
Ndaj, duhet të gjenden mjetet e duhura që të garantohet ecuria dhe zbatimi i duhur i kësaj reforme, si dhe të mos ndërpritet për çështje politike apo ndryshimesh në qeveri. Në çdo rast, tatimet duhet të konsultohen edhe me biznesin që të mund të merren informacione konkrete për situatën që po kalohet.
Nuk duhet të harrojmë që për një shkelje (siç është malli pa dokument) biznesi përballet me pesë penalitete: siç është gjoba në masën 10 milionë lekë sekuestrimi, TVSH-ja, rivlerësimi i të ardhurave dhe ndjekja penale. Kjo është një gjë e paimagjinueshme që nuk ndodh në asnjë vend tjetër, ndaj duhet të qartësohet sa më shpejt. Pra, që referoma të quhet e tillë dhe të ketë sukses, duhet që të ketë konsensus të gjerë shoqëror dhe politik.
……………
Hajredin Fratari Konfindustria
Aksioni i tatimeve, i denjë për një regjim diktatorial
Në përpjekje për të riparuar pasojat që ka lënë kriza ekonomike në rritjen ekonomike globale, të gjitha vendet janë duke gjetur mënyra që të rikuperojnë zhvillimin nëpërmjet nxitjes së biznesit. Hajredin Fratari nga Konfindustria Shqiptare thotë se, trendi europian për ringritjen aktualisht i ka kthyer sytë nga masat lehtësuese ndaj biznesit. Sipas tij, shembull mbetet Italia fqinje, që po lehtëson barrën fiskale ndaj biznesit për t’i dhënë shans rritjes së ekonomisë nëpërmjet krijimit të një ambienti komod për biznesin dhe që nxit investimet. Ndërsa ka vlerësuar si të paprecedentë aksionin e dhunshëm të qeverisë ndaj biznesit, ai thotë se, të tilla masa janë të denja vetëm për një regjim diktatorial dhe jo një ekonomi tregu. Nga ana tjetër, gjobat katastrofike në ligjin e ri të procedurës tatimore do të shndërrohen në një bumerang jo vetëm për ekonominë, por edhe për qëllimin afatshkurtër të qeverisë për më shumë të ardhura. Fratari pohoi se, një e treta e aktiviteteve të biznesit, sidomos jashtë Tiranës, kanë mbyllur aktivitetin.
………….
Përparim Tushaj, ConsultingALB:
“Revolucioni” tatimor mund të çojë në destabilizim
“Besoj që të gjithë jemi për shtet ligjor, trajtim të barabartë të shtetasve dhe bizneseve. Në këtë aspekt, si qytetar, përkrah punën e MF/Qeverisë për kthimin e vendit tim në një vend normal. Gjithsesi, unë jam gjithnjë për “evolution vs. revolution”. Mendoj që ndryshimet tatimore të miratuara janë “revolucion”, e revolucionet prishin balancat deri në destabilizim.
Me këto ndryshime preken të gjithë bizneset, por biznesi i vogël që është dhe punëdhënësi më i madh, preket shumë më tepër. Të gjitha vrojtimet në Shqipëri apo në vendet e zhvilluara, tregojnë që biznesi i vogël bën gabimet më të mëdha në raport me zbatimin e ligjit, pasi nuk ka mundësitë të paguajë ekspertë kontabël apo ligjorë.
Me këto ndryshime i takon që një biznes i vogël me xhiro 8 milionë lekë, që ka një fitim 10%, ose 800.000 lekë, nëse merr një gjobë për një neglizhencë pa dashje, duhet të punojë 8–10 muaj për të paguar gjobën; e kjo nuk ka kuptim në gjuhën e biznesit pasi mund ta falimentojë atë dhe ku është fitimi i shtetit në terma afatgjatë?!
Prandaj mendoj që duhet rregulluar me mekanizma të tjerë mundësisht progresive për të gjithë bizneset: p.sh. hera e parë x% të fitimit të vitit të kaluar, e dyta …, e treta… Dhe, mbi të gjitha, shteti duhet të jetë konsistent në kërkesat, i barabartë për të gjithë dhe punonjësit e administratës publike të jenë pasqyra më e mirë e zbatimit të ligjit. Të mos harrojmë, biznesi mban në këmbë shtetin me taksa, me të punësuar dhe duhet edukuar e ndihmuar për t’u zhvilluar me tutje”.
……………………
Bledar Mehmeti, Shoqata e Energjisë së Rinovueshme
Qeveria ndikoi vendimin e gjykatës për çmimet e HEC, rrezikojmë investimet
Pak ditë më parë, Shoqata e Energjisë së Rinovueshme ka humbur gjyqin me Entin Rregullator të Energjisë në lidhje me rishikimin me ulje të çmimit të shitjes së energjisë ndaj KESH për periudhën rregullatore 2012-2014. Bledar Mehmeti, një nga përfaqësuesit e shoqatës, pohoi për “Monitor” se, vendimi i gjykatës ka qenë i ndikuar politikisht për shkak se është në kundërshtim me parimet ligjore, çka mund të bëhet shkak që të në ardhmen të prodhojë gjoba arbitrare ndaj bizneseve të HEC-eve të vogla.
Vitin që shkoi, Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka marrë një vendim të pazakontë duke axhustuar me ulje çmimin e energjisë elektrike që KESH jep ndaj HEC-eve të vogla deri në 15 megavatorë. Çmimi i shitjes së HEC-eve të reja deri në 15 MW për periudhën rregullatore 2012-2014 ishte 9.3 lekë për kilovat. Me axhustimin që ka bërë Enti Rregullator i Energjisë, çmimi i shitjes për vitin 2013 u llogarit me 9.73 lekë/kWh dhe për vitin 2014 u rillogarit me 7.95 lekë/kWh. Rillogaritja për vitin 2014, nga 9.3 lekë në 7.9 lekë, shënon një ulje rreth 14% të fitimeve që HEC-et kishin përfituar nga shitja e energjisë.
Mehmeti arsyeton se, vendimi i gjykatës ka qenë i anshëm, pasi vendimi i ERE-s për axhustimin e çmimit ka kosto, të cilat nuk ishin njoftuar më parë. Së dyti, ERE nuk ka dhënë asnjë arsye për këtë rishikim të çmimit dhe së treti nuk kishte njoftim paraprak. Përfaqësuesit e HEC-eve kanë shpjeguar se, ndërkohë të gjitha detyrimet tatimore për vitin 2012-2014 janë kryer duke marrë në konsideratë çmimin 9.3 lekë. Mehmeti pohoi se, bilancet në tatime janë me çmimet e parishikuara çka mund të bëhen shkak edhe për penalitete të mëtejshme nga administrata tatimore për mënyrën se, nuk ka zgjidhje me interpretimin e bilancit.
………………..
Artan Xhiani, ekspert kontabël pranë UHY Elite sh.p.k
Ndryshimet të pakonsultuara, zbatimi problematik
Si i vlerësoni ndryshimet e fundit në ligjin e Procedurave Tatimore?
Duke marrë në konsideratë faktet e mëposhtme:
- Përmasat e mëdha të ekonomisë informale
- Kulturën e brishtë fiskale të komunitetit të biznesit dhe të konsumatorit
- Nivelin e integritetit të punonjësve të administratës tatimore
Ne e konsiderojmë të nevojshme forcimin e zbatimit të ligjit dhe përshkallëzimin e disa masave në drejtim të përmirësimit të situatës në raport me faktorët e mësipërm.
Të gjithë i dëshirojmë këto që thamë më lart, por që të arrihet kjo, duhet që veprimet dhe masat të jenë të studiuara, të kujdesshme dhe të pranuara gjerësisht nga shumica e aktorëve të përfshirë.
Në këtë pikë, ne mendojmë se nuk është bërë sa duhet në drejtim të një studimi dhe të përfshirjes së palëve të interesuara në procesin e hartimit të këtyre ndryshimeve. Nëse ligjvënësit vendosin ligje të tilla, pa u konsultuar me palët e interesuara, gjasat janë që zbatimi i tij do të jetë problematik. Dhe përvoja të tilla në Shqipëri ka me shumicë.
Nga ana tjetër, duhet marrë në konsideratë dhe faktin se sa e përgatitur është administrata tatimore për t’u përballur me situatën dhe nivelin e informalitetit aktual. Duhet ta pranojmë të gjithë se midis tatimorëve ka nga ata që ende përpiqen të përfitojnë nga masa të tilla të ashpra të ligjit dhe për këta lloj personash, ky ligj duket sikur ua ka rritur vlerën “allishverisheve” midis tatimorëve të korruptuar dhe bizneseve që mund të kapen në shkelje të ligjit.
Sa mendoni se ndikojnë gjobat në klimën e të bërit biznes?
Ka një mendim të përgjithshëm si në komunitetin e biznesit, ashtu dhe nga ekspertët që i konsiderojnë masat e reja si tepër represive të cilat mund të sjellin efekte negative në terma afatshkurtër dhe një shëndoshje të biznesit në terma afatgjatë.
Për mendimin tonë, përshkallëzimi i gjobave duhet të ishte bërë më i studiuar në mënyrë që ato të sjellin jo vetëm të ardhura në tatime, por edhe të rrisin kulturën e tatimpaguesit. Gjobat absolute janë tepër ndëshkuese dhe nuk ndikojnë në rritjen e kulturës fiskale.
Prandaj ne mendojmë se disa prej tyre duhet të relativizohen. D.m.th., nuk mund të jetë e njëjta masë gjobe për mospajisje me kupon tatimor si për një kafe që kushton 100 lekë dhe për një mall tjetër, i cili kushton 140,000 lekë.
Nëse do të ketë aplikime gjobash të tilla të absolutizuara, atëherë biznesi do të kërkojë të tjera rrugë për të kompensuar këto gjoba. Dhe çfarë bëmë në këtë rast, sërish kemi dëmtuar kulturën fiskale.
Çfarë pasojash mund të ketë për biznesin?
Forcimi i ligjeve fiskale sjell falimentimin e bizneseve jo rentabël dhe aktualisht, shumë biznese nuk janë më rentabël, sepse kemi rënie të konsumit dhe inflacion të ulët. Por, a duhet t’i lërë qeveria që të falimentojnë të tërë ata që nuk janë rentabël?
A ka një studim se cilat do të jenë efektet në sektorin e punësimit dhe të ardhurave familjare të këtyre reformave?
A ka një studim se cila është nevoja për biznese konsumatore në raport me të dhënat gjeografike dhe demografike për një qendër të caktuar administrativ, pa cenuar iniciativën dhe konkurrencën?
Do të doja ta besoja se këtyre pyetjeve u është dhënë një përgjigje nga ata që kanë propozuar këtë ligj, por kam frikë se kjo nuk është marrë në konsideratë. Dhe nëse është kështu, efektet sociale do të jenë të konsiderueshme.
………………..
Aqif Toska, anëtar i Institutit të Kontabilistëve të Miratuar
Masat kanë sjellë frymë frike te bizneset
Kontabilisti Aqif Toska pohon se aksioni ndaj informalitetit është në tërësi një dukuri pozitive për vendin dhe për biznesin, duke synuar që të ulet niveli i informalitetit. Por, sa u përket masave ndëshkimore, ai tregon për “Monitor” se kanë sjellë një frymë frike mes biznesit. Nga përvoja e tij, në subjektet që kontakton, ata janë kryesisht të prirë që të shfaqen korrektë, duke dashur të shmangin gjobat në shifra aq të larta. “Gjobat veçse trembin bizneset, i bëjnë ato të varura për të parë me kujdes se çfarë do të ndodhë në kontrollin e radhës, duke humbur kështu fokusin kryesor tek ushtrimi i aktivitetit të tyre, e fundja, mbledhja e sa më shumë të ardhurave në fund të ditës”, – pohon z. Toska.
……………..
Gledis SHEHU Kontabilist dhe Ekspert Fiskal
Administrata tatimore ka dalë në terren për qëllime klienteliste
Si i vlerësoni ndryshimet e fundit në ligjin e Procedurave Tatimore?
Ndryshimi është shumë i qenësishëm dhe njëkohësisht i rëndësishëm, në kuadër të aksionit ndaj informalitetit, ajo çfarë është më e rëndësishmja është zbatimi i drejtë i tij. Kam vënë re se, shumë biznese kanë qenë të paregjistruara dhe njëkohësisht shoh një administratë tatimore, e cila ka dalë në terren për qëllime klienteliste dhe për qëllime të prishjes së konkurrencës.
Sa mendoni se ndikojnë gjobat në klimën e të bërit biznes?
Pa dyshim që gjobat nuk ndikojnë mirë në klimën e biznesit, por e rëndësishme është se gjithkush që bën biznes, duhet të bëjë një biznes-plan të saktë dhe dokumentacionin ta ketë konform legjislacionit në fuqi. Pa dyshim, legjislacioni tatimor në shumë raste është i ngurtë dhe nuk e lejon biznesin që të ketë frymëmarrje, por këto ndryshime duhet të vinin pasi të kemi formalizuar tregun dhe kemi rregulluar – “zhbalancuar konkurrencën e më të fortit”. Në klimën e të bërit biznes ndikojnë taksat e zhdrejta, gjobëvënia vetëm e bizneseve të formalizuara dhe jo lufta ndaj informalitetit.
Çfarë pasojash ka për biznesin?
Biznesi i vogël, përpara se të hapë aktivitetin, duhet të vijë në zyrat e specializuara, nga ku mund të marrë njohuri dhe parashikime mbi kostot e biznesit të tij, përpara se të marrë iniciativën. Kjo do të sjellë, pa dyshim, edhe rënien e kredive të këqija, pasi Biznes-Plani nuk do të bëhet vetëm për të bindur bankën, “për të marrë disa fonde më tepër”, por do të bëhet për të qenë të sigurt nga risqet që paraqet tregu dhe kostot administrative dhe fiskale.
………………….
Ilir Daiu, Kontabilist
Tkurrje të iniciativës për të bërë biznes
Çfarë mendimi keni për gjobat e miratuara së fundmi në ligjin e Procedurave Tatimore?
Mendoj se nuk ka qenë niveli i aktual i gjobave apo sanksioneve që ka ndikuar në masën e informalitetit në ekonominë shqiptare. Sanksionet e tanishme, në shumë raste, kryesisht për biznesin e vogël janë të larta dhe aspak liberale.
Në këndvështrimin tim, është shpesh (në rastin më të mirë) toleranca e organeve tatimore në mosdisiplinimin apo mospasjes në kontroll të bizneseve.
Do të doja të sugjeroja se, përpara sesa fokusi të vihet te gjobat, do të ishte mirë që të informohet biznesi sesa i kushton formalizimi një aktiviteti ekonomik duke i ndarë ato të grupuara sipas karakteristikave.
A mendoni se do të ketë Pasoja për Biznesin vendosja e masave të tilla?
Në klimë frike apo represioni, mendoj se do të kemi një tkurrje të iniciativës për të bërë biznes.
Duke konsideruar vështirësitë edhe të vetë ekonomisë shqiptare, do të kemi më tepër një shpërqendrim në punët e përditshme që, padyshim, reflektojnë në fund të ditës të ardhurat.
Është e natyrshme që shumë biznese mbyllen, por kjo jo për shkak të sistemit tatimor sesa për vetë aftësitë e tyre mbijetuese. Është e rëndësishme që biznesi të mos mbyllet nga klima që krijohet, nëse vihet theksi vetëm te ndëshkimi.
Niveli i biznesit të vogël në Shqipëri nuk e ka luksin që të ketë informacion për të gjitha detyrimet dhe shpesh gjobitja vjen edhe nga mospasja njohuri sesa nga dëshira për të shmangur.
Një kujdes i treguar nga institucionet shtetërore në këtë rast përveç zbutjes së klimës së tensionit nga gjobat, mendoj se do ta çlironte atmosferën nga ky kompleks dhe do të kishim më pak energji të harxhuara dhe më shumë mirëkuptim e bashkëpunim midis biznesit dhe institucioneve shtetërore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.