Për nevojat e financimit dhe rifinancimit të borxhit të brendshëm qeveria zhvilloi një ankand obligacionesh dy vjeçare dhe një ankand bonosh thesari 12 mujore me një vlerë prej 11 miliardë lekësh. Rezultatet treguan rënie të mëtejshme të normave të interesit për obligacionet dy vjeçare, teksa u vu re rritje e lehtë për interesat e bonove 12 mujore.
Qeveria e tregtoi obligacionin dy vjeçar me vlerë 4 miliardë lekë kundrejt interesit 1.45 për qind me një rënie 0.47 pikë përqindje në raport me ankandin e datës 7 janar të këtij viti. Interesi në këtë maturim erdhi në rënie për shkak se, oferta e bankave ishte më e lartë se kërkesa e qeverisë. Bankat ofruan 130 për qind të shumës që kërkonte që kërkonte qeveria.
Ndërsa në ankandin e datës 23 prill interesi i bonos 12 mujore shënoi rritje për herë të parë pas një rënie sistematike këtë vit.
Bonoja 12 mujore më vlerë 8 miliardë lekë u shit përkundrejt interesit 1.22 për qind nga 1.21 për qind që ishte në ankandin paraardhës të datës 2 prill. Në raport me ankandin paraardhës interesi u rrit me 0.06 pike %, ndërsa që nga fillimi vitit interesi për maturimin një vjeçar ra me -0.18 pikë %. Shkak për rritjen e interesit në ankandin e fundit ishte oferta e bankave e cila ishte më e ulët se kërkesa e qeverisë. Qeveria kërkoi të financonte bonon 12 mujore me 8 miliardë lekë, ndërsa bankat ofruan vetëm 7,6 miliardë lekë, duke ushtruar kështu presion në interesat e bonos 12 mujore.
Burimet nga Ministria e Financave sqaruan se ulja e interesave po ndikohet nga emetimi i Eurobondit vitin e kaluar me vlerë 500 milionë euro. Nga kjo shumë 350 milionë euro shkuan për rifinancimin e Eurobondit aktual, ndërsa pjesa tjetër prej 150 milionë eurosh po përdoret për financimin e deficitit buxhetor.
Për rrjedhojë qeveria ka më pak hapësirë se vitin e kaluar për financim nga tregu i brendshëm, teksa oferta e bankave ka mbetur e njëjtë. Ky fenomen ka sjellë rënien e interesave për të gjitha maturimet.
Interesat e obligacioneve afatgjata, me maturim 3, 5 dhe 7 vjeçar janë duke rënë me shpejtësi. Në ankandin e datës 28 mars obligacioni 5 vjeçar me interes fiks u shit nga qeveria kundrejt 2.90 për qind me një rënie prej 0.90 pikë përqindje në krahasim me ankandin paraardhës të datës 28 shkurt.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.