Bankat e mëdha ndërkombëtare po përgatiten që të largojnë disa prej funksioneve të tyre nga Britania në fillim të 2017-s, për shkak të pasigurisë të marrëdhënies së ardhshme të vendit me Bashkimin Europian, tha një zyrtar i njërës prej bankave më të mëdha.
Për gazetën ‘Observer’, Anthony Browne, shefi ekzekutiv i grupit lobues i Shoqatës së Bankave të Britanisë, tha se ‘debati politik dhe publik po na çon në drejtimin e gabuar dhe bizneset nuk mund të presin deri në momentin e fundit’.
Shumica e bankave ndërkombëtare tashmë kanë skuadra projektimi që do të përcaktojnë se cilët prej funksioneve duhet të lëvizin në mënyrë që të vazhdojnë që t’ju shërbejnë klientëve, datën kur do të ndodhë kjo dhe sa mirë do ta përballojnë,- tha Browne.
Bankat më të vogla kanë planifikuar që të zhvendosen para Krishtlindjeve, ndërsa ato më të mëdhatë pritet që të zhvendosen në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm.
Shumë prej bankave të mëdha europiane kanë zyrat e tyre qendrore në Britani, ku sektori financiar punëson më shumë se dy milionë njerëz dhe përbën 12% të ekonomisë.
Bankat në Londër varen nga pasaporta europiane për t’iu shërbyer klientëve në 28 vendet anëtare të BE-së nga një bazë dhe huadhënësit shqetësohen se kjo e drejtë do të marrë fund pas daljes së Britanisë nga BE-ja.
Browne tha se, ndërkohë që ministri i Financave, Philip Hammond, dhe ministri i Brexit, David Davis po bëjnë zhurmën e duhur, ai po shqetësohet se disa prej mbështetësve të daljes së Britanisë nga BE-ja besojnë se bankat nuk kanë nevojë për pasaporta dhe mund të mbështeten në të ashtuquajturën ekuivalencë, nën të cilën BE-ja mund të lejojë aksesin në tregjet e saj për vendet ligjet e të cilëve janë të ngjashëm me ato të bllokut.
Regjimi i ekuivalencës së BE-së është një hije e lehtë e pasaportës, mbulon vetëm një numër të vogël shërbimesh, mund të tërhiqet pa asnjë lajmërim, si dhe me shumë siguri do të thotë se Mbretëria e Bashkuar duhet t’u nënshtrohet ligjeve mbi të cilat nuk ka asnjë ndikim,- tha ai.
Për pjesën më të madhe të bankave, ekuivalenca nuk do t’i ndalojë nga zhvendosja e funksioneve të tyre.
Bankat kanë paralajmëruar se po bëjnë plane për të zhvendosur funksionet në Europën Kontinentale në rast se Britania nuk negocion për të pasur akses në tregun e vetëm të përbashkët pas daljes së saj nga unioni.
Kryeministrja Theresa May ka thënë se do t’i fillojë bisedimet e daljes nga BE-ja në fund të marsit 2017, pas votës për t’u larguar në referendumin e qershorit.
Ajo ka thënë se do të luftojë për të pasur akses në tregun e vetëm të përbashkët, por disa prej udhëheqësve kanë këmbëngulur se aksesi do të varet nëse Britania do të pranojë lëvizjen e lirë të krahut të punës nga BE-ja, një kusht ky që Britania është zotuar për ta kufizuar.
/Reuters/