Bullgaria do të kërkojë të hyjë në Paradhomën e Eurozonës dhe në Bashkimin Bankar të këtij blloku brenda këtij viti, deklaroi ministri i Financave, Vladisllav Goranov. Ndryshe nga vendet e mëdha dhe më të pasura të BE-së, që ende përdorin monedhën e tyre, si Suedia dhe Polonia, Bullgaria, anëtarja më e varfër e BE-së, është e etur të bashkohet me Eurozonën dhe dëshiron të fillojë periudhën dyvjeçare të pritjes, duke u bashkuar me mekanizmin e kursit të këmbimit të BE-së, ERM2.
Por Komisioni dëshiron që Bullgaria, së pari të bashkohet me Bashkimin Bankar të BE-së dhe, menjëherë më pas, me ERM2. Bullgaria fillimisht duhet të hyjë në mekanizmin e kursit të këmbimit të BE-së, ERM2 dhe menjëherë më pas, vendi do të paraqesë një kërkesë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Bankar. Por së fundmi, Bullgarisë i është dhënë mundësia për të aplikuar si për ERM2, ashtu edhe për Bashkimin Bankar në të njëjtën kohë.
Ministri Goranov ka deklaruar se hyrja në njërën prej tyre nuk është domosdoshmërisht parakusht për hyrjen në tjetrën.
Pesë kushtet zyrtare që Bullgaria duhet të plotësojë për adoptimin e euros janë niveli i borxhit publik, inflacionit, deficitit buxhetor, normave të interesit dhe anëtarësimit në ERM2. Bullgaria i plotëson këto kushte dhe prandaj anëtarësimi i saj në ERM2 do të zyrtarizohet shumë shpejt. Por për Bullgarinë, pengesa më e madhe është vështirësia në përmbushjen e dy kushteve jozyrtare.
Përmes Bashkimit Bankar, Banka Qendrore Europiane ka të drejtën të kontrollojë në mënyrë direkte tre bankat më të mëdha në vend, por mund të kontrollojë edhe ato më të voglat.
Bankat më të mëdha në vend janë banka italiane Unicredit Bulbank, banka DSK (në pronësi të bankës hungareze OTP) dhe banka bullgare, FIBANK, e cila ka pasur probleme serioze në vitet e fundit, për këtë arsye edhe u shpëtua nga shteti.
Sipas Bloomberg, BQE-ja nuk është shumë entuziaste për hapjen e dyerve të Eurozonës ndaj Bullgarisë, duke qenë se kanë kaluar vetëm katër vjet pas rënies së Bankës Tregtare të Korporatave (ÇB), banka e katërt më e madhe në vend, e cila shkaktoi dorëheqjen e Guvernatorit të Bankës Qendrore, si dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Kushti i dytë është konvergjenca ekonomike.
Problemi kryesor me të cilin përballet Bullgaria është konvergjenca e standardeve të jetesës me atë të vendeve të Eurozonës. PBB-ja nominale për banor në këtë vend ishte rreth 8,600 dollarë amerikanë në vitin 2017, rreth 25% e mesatares së BE-së. “Rezultati përfundimtar, ashtu siç unë e shoh, është se brenda një viti, ne do të jemi në gjendje të krijojmë një bashkëpunim të ngushtë me Bashkimin Bankar dhe mekanizimin ERM2 të BE-së”, u shpreh ministri Goranov në një konferencë biznesi.
Por ai nuk e konfirmoi faktin nëse, Bullgaria do të vazhdojë të aplikojë për t’u bashkuar me ERM2 deri në fund të qershorit, ashtu siç ishte planifikuar në fillim, por tha vetëm se ekspertët bullgarë do të zhvillojnë takime me zyrtarët e BQE-së në ditët në vijim. Sipas disa analistëve bullgarë, BE-ja dhe BQE-ja po mundohen që të ngadalësojnë rrugën e adoptimit të Bullgarisë ndaj euros, duke këmbëngulur më parë në hyrjen e Bashkimit Bankar, një proces i cili mund të zgjasë të paktën gjashtë muaj dhe mund të mbikëqyrë aktivet në bankat e saj.
Ministri Goranov tha më tej se, përpjekja e Bullgarisë për t’u bashkuar me ERM2, nuk duhet të keqinterpretohet si një përpjekje për t’u bërë pjesë e zonës Schengen, sepse Bullgaria prej vitesh i ka plotësuar kriteret teknike për të qenë pjesë e Schengen, por shqetësimet rreth korrupsionit vazhdojnë ta mbajnë atë jashtë kësaj zone