Edhe pse jemi ende në ditët e para të verës, ato kanë qenë shumë të ashpra për Bashkimin Europian, shkruan The Economist. Në Itali, më 1 qershor, u formua qeveria e parë populiste që prej Luftës së Dytë Botërore. Ajo ka bashkuar në mënyrë të çuditshme partinë e krahut të majtë, Lëvizja Pesë Yjet, një parti e themeluar nëntë vjet më parë nga një komedian me Partinë e Ligës së Veriut.
Gjithashtu më 1 qershor, Mariano Rajoy, kryeministri spanjoll, u largua nga ky post, pas një mocioni mosbesimi, që solli në krye të vendit Pedro Sánchez, liderin socialist të opozitës, ku partia e këtij të fundit kontrollon vetëm 24% të Dhomës së Ulët.
Nuk është hera e parë që Spanja dhe Italia e befasojnë njëra-tjetrën përmes trazirave ekonomike dhe politike. Secila prej tyre ose të dyja qeveritë bashkë mund të mos rezistojnë për një kohë të gjatë në pushtet.
Kjo ka shkaktuar shqetësim dhe nervozizëm në tregjet e të dyjave, duke i rritur letrat me vlerë. Këtu përfundojnë edhe ngjashmëritë ndërmjet tyre.
Në ditët e sotme, Spanja cilësohet si një “vend i ndritur”, ndryshe nga Italia, e cila ka shumë për të mësuar nga fqinji i saj iberik.
Nga dy shtetet e Europës jugore, Spanja përjetoi krizën financiare më të keqe të vitit 2008. Shpërtheu flluska e pasurive të patundshme, e cila jo vetëm dëmtoi bankat, por edhe rriti në masë shkallën e papunësisë në vend, duke e çuar atë në 26%.
Në vitin 2012, Spanja u shpëtua nga partnerët e saj europianë, në kontrast me Italinë që arriti t’ia dilte mbanë. Por, vetëm si pasojë e përjetimit të këtyre problemeve, Spanja ka pasur rikuperim më të mirë.
Ajo reduktoi deficitin buxhetor, pastroi bankat dhe liroi tregun e punës. Falë rritjes që ka tejkaluar 3% në vit që prej vitit 2015, prodhimi i Spanjës në ditët e sotme është mbi nivelin që ajo kishte përpara krizës. Italia, nga ana tjetër, është marrë shumë pak me reduktimin e kredive të këqija apo humbjeve të pësuara nga bankat e saj dhe reformat në tregun e punës kanë qenë aq të pakta sa thuajse nuk janë për t’u marrë fare në konsideratë.
Rimëkëmbja e saj është ndër më të dobëtat e Eurozonës dhe prodhimi ende është në nivele më të ulëta se ai i shënuar përpara krizës financiare.
Shkëlqimi dhe rënia
Dallimi kryesor qëndron në udhëheqjen politike. Në shumë aspekte, z. Rajoy i ka shërbyer më mirë vendit të tij. Pas marrjes së detyrës në dhjetor të vitit 2011, në “zemër të krizës”, ai ia arriti t’ia dilte mbanë me sukses, duke mbajtur pushtetin pa shumicën parlamentare për gati dy vjet e gjysmë.
Por, padyshim që edhe ai kishte mangësitë e tij. Për shkak të paaftësisë, ai nuk mundi ta ndalte dramën në Katalonja, përpara se ajo të shndërrohej në një krizë të vërtetë, duke kulmuar me deklaratën e njëanshme të pavarësisë në tetorin e vitit të kaluar.
Kjo nxiti sundimin e drejtpërdrejtë nga Madridi, në momentin që separatistët, të cilët fituan një zgjedhje rajonale në dhjetorin e kaluar, më në fund ranë dakord për zgjedhjen e një qeverie të re. Mbi të gjitha, z. Rajoy nuk mund lirohej kurrë nga barra e rëndë e skandaleve të vjetra të korrupsionit në Partinë e tij Popullore. Këto dhe shumë akuza të tjera ngritën një mocion mosbesimi që rezultoi shkatërrimtar për të.
Megjithatë, ai e po e lë Spanjën në një situatë shumë më të mirë sesa Italia, jo vetëm ekonomikisht, por edhe politikisht. Problemi i madh i Italisë është se elektorati ka humbur besimin në politikat e partive kryesore. Mbi gjysma e votuesve në zgjedhjet e marsit të këtij viti, zgjodhën parti të ekstremeve politike.
Podemos-i, një parti e re antikapitaliste dhe që i përket krahut të majtë (dhe që mbi të gjitha dëshiron të hedhë poshtë reformat e punës), ka arritur të marrë vetëm 20% në sondazhet e kryera. Ndërsa Ciudadanos, një tjetër parti e re politike, gjerësisht liberale dhe teknokrate dhe një parti e qendrës, ka fituar më shumë pikë duke u shndërruar në partinë më popullore të vendit të saj. Në të vërtetë, toleranca ndaj refugjatëve dhe emigrantëve ka qenë një prej tipareve më mbresëlënëset të demokracisë spanjolle.
Por, edhe vështirësitë nuk janë të pakta. Papunësia, dhe stoku i borxhit, janë ende të mëdha. Kriza katalanase vazhdon të përkeqësohet. Por z. Sánchez ka premtuar se do ta mbajë buxhetin e qeverisë së vjetër dhe, me sa duket, edhe reformën e saj të punës. Shumë shpresojnë se ai do të jetë një zgjedhje më e mirë sesa paraardhësi i tij, z. Rajoy, në dhënien e një zgjidhjeje të duhur politike për Katalonian.
Por në momentin e duhur, të gjitha këto zhvillime mund të kërkojnë ndryshime të reja kushtetuese. Pa dyshim që progresi nuk do të jetë i lehtë, por politika e Spanjës duket më e qëndrueshme sesa ajo e Italisë. Reformat e ashpra dhe rimëkëmbja ekonomike kanë parandaluar disa prej paqëndrueshmërive më të mëdha politike, gjë për të cilën spanjollët i detyrohen shumë kryeministrit të mëparshëm, z. Rajoy.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.