Çfarë do të bënte industria botërore e turizmit pa kinezët?

22/06/2018 10:04 PM 0 komente

Thuhet se ai është destinacioni i dytë më i vizituar nga turistët kinezë në Britani, pas Pallatit të Buckingham, edhe pse Liu Xiaoming, ambasadori i Kinës në këtë shtet, që nga viti 2009, me shaka thotë se ka refuzuar ftesat e vazhdueshme për të marrë pjesë në ceremonitë e mbjelljes së pemëve atje, shkruan The Economist.

Ky qytet i shndërruar në një atraksion për një numër të madh turistësh kinezë është Bicester, një qytet në Oksfordshire, i famshëm kryesisht për qendrën tregtare, Bicester Village. Kjo qendër është rreth 1 kilometër e gjatë me dyqane të shumta, ku mund të gjenden marka nga më të njohurat në botë, me çmime më të lira, si Boss, Gucci, Salvatore Ferragamo, Versace etj. Z. Liu e shpjegon zgjedhjen e tij për të mos vizituar Bicesterin, duke thënë se “Kina është një vend në zhvillim” dhe nuk do të ishte e drejtë, që ai si ambasadori i saj, të promovonte “Mekën e Shopping-ut”.

Sidoqoftë, vitin e kaluar, kjo qendër tregtare u vizitua nga 6.6 milionë turistë, një shifër thuajse e njëjtë me numrin e turistëve që vizituan Muzeun Britanik, ku rreth gjysma ishin turistë kinezë, nga njerëz të thjeshtë e deri te diplomatë. Një zyrtar kinez në moshë të mesme deklaroi se gjatë vizitës së fundit njëjavore në Britani, shpenzoi më shumë se 1,000 paund (1,400 dollarë amerikanë) pasi bleu një bluzë të Charles Tyrwhittit dhe një xhaketë të Burberry. Një tjetër turist, një profesor kinez i dalë në pension, tha se shpenzoi 200 dollarë duke blerë vetëm një bluzë të Boss. Një zonjë nga provinca qendrore kineze e Hunanit tha se shpenzoi rreth 190 paund për disa shishe me locion për kujdesin ndaj lëkurës të Estée Lauder.

Të gjithë turistët e intervistuar shprehen se kanë shpenzuar shumë më pak se sa do të shpenzonin në Kinë për mallrat që kishin blerë, të ndihmuar kryesisht nga një paund i dobët dhe mospagimi i TVSH-së për turistët e huaj. Sipas firmës Global Blue, turistët kinezë blenë më shumë se një të katërtat e të gjitha produkteve pa taksa që janë shitur në Britani vitin e kaluar. Shpenzimet e tyre u rritën me gati një të tretën në vitin e kaluar. Për t’i ardhur në ndihmë turistëve kinezë, qyteti Bicester ka prezantuar së fundmi disa lehtësi për ta, siç është edhe pagesa përmes WeChat, një platformë kineze rrjetesh sociale dhe pagesash. Një numër i madh turistësh kinezë shprehin pakënaqësitë dhe problemet si pasojë e prapambetjes së vendeve të tjera në fushën e pagesave elektronike. Pothuajse në të gjitha qytetet e mëdha kineze, askush nuk paguan më me para në dorë.

 

Luksi i madh i jetës

Ekonomikisht, nuk ka asnjë dyshim se numri i turistëve kinezë që po udhëtojnë jashtë vendit, po ndikon në ndryshimin e botës. Konkretisht, ata janë duke u shndërruar në mbështetësit kryesorë të markave luksoze. Sipas McKinsey, një firmë konsulence, kinezët përbëjnë një të tretën e shpenzimeve globale për mallrat luksoze. Sipas të dhënave të kësaj firme, nga viti 2008 e deri në 2016, ata ishin përgjegjës për tre të katërtat e rritjes në shpenzime të tilla.

Pjesa më e madhe e blerjeve janë bërë jashtë Kinës, sepse çmimet e këtyre produkteve të luksit janë më të lira sesa në Kinë. Sipas firmës McKinsey, edhe në ato raste kur çmimet e produkteve nuk kanë ndonjë diferencë të madhe në krahasim me çmimin në vende të tjera, kinezët gjithsesi parapëlqejnë që t’i blejnë ato jashtë vendit. Sipas Organizatës Botërore të Turizmit të Kombeve të Bashkuara, në vitin 2016 ata shpenzuan në total më shumë se 260 miliardë dollarë, më tepër se dyfishi i shpenzuar nga amerikanët jashtë vendit dhe rreth një e pesta e shpenzimeve globale të turistëve ndërkombëtarë. Vetëm një dekadë më parë, shpenzimet e turistëve kinezë përbënin vetëm 3% të totalit të botës. Ndërsa shifrat e shpenzimeve të këtyre viteve të fundit duhet të trajtohen me shumë kujdes.

Kompania kërkimëre Gavekal Dragonomics thotë se shifrat zyrtare mund të mos jenë të sakta, sepse aty janë llogaritur edhe të dhëna nga njerëz të cilët nuk janë turistë. Sipas kësaj kompanie, shpenzimet e turistëve kinezë në vitin 2015 mund të kenë qenë më pak se 175 miliardë dollarë, rreth 30% më e ulët se shifra zyrtare. Edhe nëse shumë vizitorë kinezë nuk janë me të vërtetë turistë, ajo çka është e sigurt është se ata gjithsesi po shpenzojnë para në këto blerje. Dhe ata janë gjithnjë e më të interesuar të blejnë jo vetëm produkte të ndryshme, por produkte luksi të kushtueshme. Për shembull, numri i turistëve kinezë që po vizitojnë tani Antarktidën, llogaritet e dyti pas atyre nga Amerika. Gjatë sezonit turistik 2016-’17, numri i turistëve kinezë arriti deri në 5,100 nga 1,000 që u llogarit në vitet 2011-‘12.

Ky është vetëm fillimi, sipas ekspertëve. Shifrat janë shumë të larta, duke marrë në konsideratë edhe faktin se më pak se 10% e kinezëve kanë aktualisht pasaporta, krahasuar me më shumë se 40% të amerikanëve në 2017. Deri në fund të kësaj dekade, numri i mbajtësve të pasaportave në Kinë pritet të dyfishohet në 240 milionë, parashikon Ctrip, një kompani kineze udhëtimesh. Edhe Partia Komuniste dhe regjimi i ashpër në vend ndaj qytetarëve që dëshironin të udhëtonin në vende të huaja, tashmë duket më pak i shqetësuar nga efektet e këtij ndikimi të huaj.

Sipas zyrtarëve kinezë, turistët që vendosin të udhëtojnë jashtë, janë aq të pasur, saqë nuk do t’u bënin fare përshtypje arritjet e sistemeve demokratike. Infrastruktura në shumë prej vendeve perëndimore nuk është aq e mirë sa ajo në Kinë, njerëzit e pastrehë mbushin rrugët e qyteteve të mëdha perëndimore dhe krimi është një rrezik i vazhdueshëm, thotë një biznesmen kinez, të cilit Shangai i duket më i mirë sesa Nju Jorku. Shqetësimi më i madh i Kinës për rritjen e numrit të turistëve kinezë jashtë shtetit është prishja dhe dëmtimi i imazhit të saj.

Destinacionet e ndryshme turistike, ku numri i turistëve kinezë ka shënuar rritje, ankohen për zhurmën e madhe që ata bëjnë dhe për shpërfilljen dhe mosrespektimin e zakoneve vendase, gjë që shkaktoi protesta në Hong Kong, kundër qytetarëve kinezë të cilët po shkatërronin imazhin e vendit të tyre. Kohët e fundit, qeveria kineze ka shpërndarë fletëpalosje në aeroporte, duke i këshilluar qytetarët kinezë sesi duhet të sillen në vende të tjera që vizitojnë. Një tjetër grup vizitorësh kinezë që po shënon rritje jashtë vendit, është ai i studentëve, të cilët janë më të kujdesshëm ndaj mjedisit social dhe politik, por kjo jo domosdoshëmrisht i bën ata që ta çmojnë demokracinë liberale.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz