Çmimet e grurit në rënie

26/06/2013 11:15 AM 0 komente

Gruri në Çikago ra me ritmet më të shpejta javët e fundit, pasi Japonia pezulloi importet nga SHBA, kur qeveria zbuloi që një lloj prodhimi i pamiratuar dhe i modifikuar gjenetikisht po rritej në një fushë të Oregonit.

Japonia, blerësi më i madh i grurit amerikan pas Meksikës, pezulloi importet e grurit të bardhë perëndimor dhe grurit për bukë nga SHBA-ja, tha Hiromi Iwahama, drejtor për tregtinë e grurit dhe operimin në Ministrinë e Bujqësisë. Shkencëtarët thanë se gruri “mashtrues” në Oregon ishte një lloj prodhimi i testuar nga viti 1998 deri në vitin 2005 nga “Monsanto Co.” (MON), prodhuesi më i mirë në botë i farës. Japonia gjithashtu anuloi blerjen prej 24,926 tonësh metrikë të grurit të bardhë.

Konstatimet mund të dëmtojnë perspektivën e eksportit amerikan, në një kohë kur Departamenti Amerikan i Bujqësisë (USDA) është duke pritur prodhimin rekord botëror, nxitur nga një rritje 48 për qind në prodhimin rus dhe një fitim prej 40 për qind nga Ukraina. Eksportet nga Amerika ndoshta do të bien 9.8 për qind në 25.2 milionë tonë në vit që fillon më 1 qershor, sipas USDA.

“Gjithsesi, kjo nuk është diçka që ne duhet ta marrim në konsideratë kur eksportet po kalojnë kohë të vështira”, tha Darrell Holaday, president i “Advanced Market Concepts” në Wamego, Kansas, në një intervistë telefonike. “Është një histori negative gjatë një periudhe negative për eksportin, dhe nëse Deti i Zi vazhdon të reagojë në këtë mënyrë, situata do të na përballë me një treg të vështirë dhe konkurrues gruri”.

Kontratat e së ardhmes së grurit për dorëzimet e korrikut ranë 1 për qind në 6.9575 dollarë një shinik (njësi matëse për drithërat) në Bordin e Tregtisë së Çikagos. Një shifër e afërt në atë çmim do të jetë rënia më e madhe që nga 15 maji. Çmimi ra 3.9 për qind në maj, pjesërisht sepse USDA më 10 maj parashikoi se kultivuesit botërorë do të korrnin 701.1 milionë tonë.

 

Vlerësimet e importit

Japonia është blerësi më i madh i grurit të Azisë pas Indonezisë, me importet që parashikohen në 5.89 milionë tonë në sezonin 2012-2013, me pak ndryshime nga periudha e kaluar, sipas Këshillit Ndërkombëtar të drithërave me bazë në Londër.

Japonia importoi 5.62 milionë tonë grurë mulliri vitin e kaluar fiskal, nga të cilat 3.26 milionë tonë, ose 58%, ishin nga SHBA. Kanadaja ishte furnizuesi i dytë më i madh në Japoni, me 1.32 milionë tonë, ndërsa Australia ka qenë i treti me 1.03 milionë. Japonia importoi 867,000 tonë grurë të bardhë perëndimor nga SHBA në vitin që ka përfunduar më 31 mars, treguan të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë.

“Nëse ka me të vërtetë shqetësime të mëdha dhe Japonia vazhdon të anulojë dhe të blejë diku tjetër, ky fakt mund t’i ‘rëndojë’ Çikagos”, tha Paul Gaffet, analist në “Offre & Demande Agricole” në Bourges, Francë, i cili këshillon 5,000 fermerë në shitjet e drithërave.

USDA tha se ishte duke hetuar se si farat e pamiratuara po rriteshin në nëntë vjet, pasi Monsanto me bazë në St. Louis përfundoi programin e saj të grurit.

 

Importet europiane

Komisioni Europian, krahu ekzekutiv i BE-së, kontaktoi Monsanto në kërkim të një metode për të zbuluar grurin e modifikuar dhe këshilloi vendet anëtare të testonin importet e grurit të butë të bardhë, sipas një deklarate të lëshuar në rrugë elektronike. Gruri i butë i bardhë siguron deri në 80 për qind të blerjeve vjetore të grurit amerikan nga BE-ja, thuhej në deklaratë.

Spanja importoi 477,946 tonë grurë amerikan vitin e kaluar që kushtonte 105 milionë euro, ndërsa Italia bleu 379,689 tonë për 120 milionë euro, tregojnë shifrat e tregtisë së BE-së.

“Kjo ngre dyshime”, tha Arnaud Saulais, ndërmjetës i grurit në “Starsupply Commodity Brokers” të Zvicrës. “Në fillim të gjërave të tilla si kjo, është vështirë të thuhet nëse situata do të rëndohet apo jo. Është si gripi i shpendëve. Ti nuk e di nëse ai do të kufizohet lokalisht apo do të përhapet në mbarë botën”.

Në shtator të vitit 2009, BE-ja izoloi shumicën e farës së lirit kanadez, pas zbulimit të mallrave që përmbanin një shumëllojshmëri të modifikuar gjenetikisht, e njohur si Triffid që nuk u lançua kurrë për prodhim komercial. Eksportet drejt BE-së nuk arritën të “rimëkëmben”, duke rënë në 14,828 tonë në vitin 2012 nga 336,844 tonë në vitin 2008, tregojnë të dhënat e tregtisë.

 

Kërkesa për viç

Japonia ndaloi importet e viçit të SHBA në vitin 2003, pas rastit të sëmundjes së lopës së çmendur, ose një gjeni defektoz të mbartur nga një kafshë që u gjet në shtetin e Uashingtonit. Ajo lehtësoi kufizimet vitin e kaluar, gati një dekadë më vonë, duke lejuar importet e mishit për kafshët më pak se 30 muajshe më 1 shkurt. Para kësaj date, ajo lejonte vetëm mish nga kafshët 20 muajshe ose më të vogla.

“Japonia mund të deklarojë disa gjëra publikisht, por ata kanë marrëveshje të mira cilësore dhe sasiore me fermerët për atë lloj gruri”, tha Holaday i “Advanced Market Concepts”. “Ne kemi përvojë me Japoninë dhe atyre iu desh kohë të shihnin anën e mirë të gjërave në BSE”.

Kontratat e së ardhmes së misrit për dorëzimet në dhjetor ranë 0.9 për qind në 5.605 dollarë një shinik në Çikago. Kontratat e së ardhmes së sojës për dorëzimet në korrik ranë 0.5 për qind në 14.9425 dollarë një shinik në CBOT.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of