Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka gati udhëzuesin për mënyrën sesi do të ndahen 20 milionë eurot e Skemës Kombëtare të Mbështetjes.
Në themel të saj qëndrojnë subvencionet për mollët, ullinjtë, arrorët, lajthitë por nuk mbeten pas as fermat, sektori i peshkimit, përpunimi dhe certifikimi.
Si do të ndahet torta mes gjithë palëve? Në pranverë hapet edhe sipari për IPARD me 94 milionë euro mbështetje. Procedurat dhe hapat që duhet të ndjekë çdo aplikant për të përfituar nga tre mundësitë e financimit
Nga Nertila Maho
Një lum miliona eurosh është lakuar së fundmi si një mbështetje për bujqësinë dhe kjo ka turbulluar mendimet e të gjithë atyre që kanë një ngastër tokë për të parë këtë sektor si një mundësi investimi. Po, a është në të vërtetë kështu? Përpara gjithë entuziazmit ka me dhjetëra pyetje, por ndër më kryesoret: A mund të përfitojnë të gjithë? Çfarë kushtesh duhet të plotësoj? Si do të zbatohet kjo mbështetje? A mund të përfitoj vetëm nga njëra skemë apo mund t’i kombinoj të gjitha? Janë të paktën 20 milionë euro nga Skema Kombëtare e Mbështetjes, 94 milionë euro nga IPARD, një program i përbashkët mes qeverisë dhe Bashkimit Europian dhe për ata më ambiciozë mbetet edhe Fondi i Garancisë.
Kush mbështetet me subvencione, ndarja mes individit dhe biznesit
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka para sfidën e qartësimit se kush përfiton nga skemat e saj, sepse në parim mund të mbjellin shumë, por në praktikë një pjesë e tyre prodhojnë për vetëkonsum. Gjithsesi, kushtet dhe procedurat kanë filtruar edhe pjesën e përfituesve, duke dhënë mesazhin se kush prodhon për vete nuk përfiton nga skemat e mbështetjes. Kush hyn në sektor për të bërë biznes ka disa mundësi, por edhe një sërë kushtesh që duhet të plotësojë.
“Çdo fermer që është i interesuar për të aksesuar skemat kombëtare duhet të jetë i formalizuar. Është një kusht që ka qenë dhe do të mbetet i tillë. Pra duhet të regjistrohet në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe të marrë një NIPT si fermer. Pjesa e atyre që e kanë këtë NIPT duhet që të paraqiten për të rifreskuar të dhënat pranë këtij institucioni, në mënyrë që gjithçka të jetë e saktë. Në momentin që ka përfunduar kjo procedurë, çdo fermer mund të aplikojë për të qenë pjesë e skemës kombëtare. Çdo fermer duhet që para se të paraqitet tek punonjësi i Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor Rajonal, të dijë edhe regjistrin e fermës. Ky dokument është një përmbledhje e gjendjes që ka fermeri aktualisht.
Deklarimin e plotëson punonjësi i AZHBR nga konfirmimi që bën fermeri. Ky deklarim duhet të jetë real, sepse në momentin që bëhet një kontroll në terren, çdo mospërputhje përbën arsye për skualifikim”, – ju përgjigj Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural interesit të “Monitor”. Hapi i radhës, sipas të njëjtit dikaster, është verifikimi i dokumentacionit. Kjo më herët duhet të bëhej hap pas hapi me dokumente që dorëzoheshin vetëm nga fermeri, ndërkohë që sot punonjësi i Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor Rajonal ka akses në sistem dhe një pjesë të dokumenteve i kontrollon vetë, ndërsa pjesën tjetër në formë shkresore me shkëmbim brenda institucioneve.
Në momentin që konstatohet se fermeri ka deklaruar të vërtetën, atëherë emri i tij shpallet online si fitues i skemës. Pas kësaj, hapi i radhës është dorëzimi i disa dokumenteve që lidhen me pronësinë ose fatura të tjera, kjo varet nga skema. Në fund, bëhet edhe kalimi i parave. Gjithsesi përfitues, përveç fermerit të pajisur me NIPT mund të jenë grupet e fermerëve, personat fizikë apo juridikë, Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor, Organizatat Jofitimprurëse apo Organizatat e Menaxhimit të Peshkimit që përmbushin kriteret e përgjithshme dhe të jenë të regjistruar në portalin E-albania.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural konfirmon se ka një rritje interesi për mundësitë e financimit në bujqësi por, nga gjithë alternativat, më pak atraktivja mbetet pjesa që lidhet me Fondin e Garancisë.
“Ky instrument është një kombinim i bashkëpunimit të qeverisë shqiptare dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Janë gjashtë banka të nivelit të dytë që kanë përgatitur produkt specifik për bujqësinë që buron nga Fondi i Garancisë, i cili mbulon 100 milionë euro.
Ky fond garanton riskun e bankës dhe nuk kërkohet kolaterali që është tipik për këto raste. Pavarësisht përpjekjeve nuk është se ka pasur ndonjë bum në kërkesa, sepse normalisht ajo mbetet një kredi. Ne gjithsesi jemi në tratativa me BERZH për të rritur më tej pjesën e garancisë”, konfirmon Ministria e Bujqësisë. Për të përfituar nga ky fond, duhet që të plotësohen kushtet që kërkohen nga banka për një kredi, ku mes të tjerave është dhe një plan biznesi. Vetë banka ka filtrat e saj të vlerësimit të riskut dhe të përcaktimit të masës që kërkohet nga fermeri për financim. Gjithsesi nuk ka një tavan sesa mund të kërkohet, kjo varet nga situata që arrin të provojë me dokumente.
Gati udhëzuesi për skemën e mbështetjes, masat e parashikuara
Në fund të vitit 2017, në Konferencën Kombëtare të Bujqësisë u bë prezantimi i parë i skemës së mbështetjes në bujqësi. Kjo e fundit kishte në themel modelin ekzistues, por me disa risi. Masat e parashikuara mbështesin pesë objektiva dhe në total fondi arrin në 20 milionë euro për vitin 2018. Por çfarë mbështetet?
Së pari, rritja e konkurrueshmërisë për 15 produkte bujqësore, nëpërmjet: shtimit të sipërfaqeve të mbjella, perime, drufrutorë, ullinj, agrume dhe bimë mjekësore, me kultivarë të kërkuar nga tregu; përmirësimin e teknologjive të kultivimit dhe certifikimin e produkteve, rritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve të grumbullimit, ruajtjes, pastrimit, seleksionimit, paketimit dhe përpunimit të tyre.
Së dyti, përmirësimin e zinxhirit të sigurisë ushqimore të produkteve blegtorale, nëpërmjet:
pagesave të kafshëve të matrikulluara të lindjeve të reja, pagesave për dorëzimin e qumështit cilësor, investimeve në thertore, në pikat e grumbullimit dhe përpunimit të produkteve, makineri dhe pajisje në fermat blegtorale.
Së treti, nxitjen e formalizimit dhe kooperimit të prodhuesve nëpërmjet pagesave për furnizimin me inpute dhe pagesave ndaj prodhimit të dorëzuar.
Së katërti, përmirësimin e menaxhimit të peshkimit dhe së pesti mbështetjen e diversifikimit të aktiviteteve ekonomike në zonat rurale. Pas gati dy muajsh nga prezantimi i vijave të përgjithshme të skemës, Ministria e Zhvillimit Rural ka gati draftin e udhëzuesit sesi do të zbatohet kjo skemë konkretisht. Në çfarë mase do të jetë përfitimi për secilën kategori dhe kufizimet. Janë në total 51 masa të cilat pritet të marrin formën finale në javët në vazhdim duke hyrë në fuqi. Nga këto 9 masa janë pjesë e paketës së 100 fshatrave. Miratimi i udhëzuesit i hap rrugë çeljes së fondit 20 milionë euro.
Një politikë e nisur nga ish-Kryeministri Berisha në mandatin e tij të parë, e lakuar si e pastudiuar dhe spontane që kishte në objekt nxitjen e mbjelljes së ullirit, shegës, lajthisë dhe arroreve përmes subvencioneve, duket se po i mbijeton edhe “epokës” së Rilindjes.
Skema Kombëtare e Mbështetjes ka planifikuar që vetëm për vitin 2018, të paktën 300 milionë lekë të shkojnë si subvencione të mbjelljeve të reja drufrutore, por jo vetëm. Nga 51 masa të parashikuara në total, 11 i përkasin këtij kontingjenti.
E para ndër masat është mbështetja për mbjelljen e mollës me kultivarë të kërkuar nga tregu, në vlerën 350 mijë lekë/hektari për pemëtoret intensive, dhe në vlerën 250 mijë lekë /hektari për pemëtoret me teknologji të përmirësuara. Skema ka parashikuar subvencion për mbjelljen e qershisë me kultivarë të kërkuar nga tregu, në vlerën 250 mijë lekë/hektari. Mbjellja e arrës me kultivarë të kërkuar nga tregu, është parashikuar në vlerën 300 mijë lekë/hektari për mbjelljet me fidanë të shartuar. Lajthia dhe shega do të trajtohen në të njëjtën masë subvencioni ku, me kultivarët e kërkuar nga tregu do të jepet një vlerë 250 mijë lekë/hektari. Gështenja do të mbajë edhe masën më modeste mes pjesës së drurëve me një masë 150 mijë lekë për hektar.
Për ullinjtë ka një trajtim të kategorizuar në dy pjesë. Së pari, mbjellja nga e para e plantacioneve me fidanë autoktonë në vlerën 250 mijë lekë/hektar, për format intensive të kultivimit, kurse për format tradicionale, në vlerën 180 mijë lekë/hektari. Së dyti është parashikuar edhe variant i plotësimit të bimëve në ullishtat e vjetra apo të degraduara në masën 60 mijë lekë/hektar.
Agrumet janë përfshirë gjithashtu në listën e 15 produkteve që mbështeten dhe mbjellja me kultivarë të kërkuar nga tregu do të ketë një kufi 200 mijë lekë/hektari. Edhe mbjellja e vreshtave pritet që të financohet në vlerën 300 mijë lekë/hektari për kultivarët për rrush tavoline dhe 350 mijë lekë/hektari me kultivarë autoktonë në vlerën 350 mijë lekë/hektari. Dy kategoritë e fundit që do të mbështeten janë luleshtrydhet në serra dhe/ose tunele në vlerën 200 mijë lekë/hektari dhe mbjellje bimësh mjekësore dhe aromatike, në vlerën 200 mijë lekë/hektari.
Kufizimet në sipërfaqe për të përfituar sipas kategorive
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka sqaruar në udhëzuesin e saj për zbatimin e Skemës Kombëtare të Mbështetjes kufizimet në sipërfaqe për të përfituar. Pra sa duhet të jetë sipërfaqja maksimale dhe minimale. Për të gjitha kulturat, nga mollët e deri tek bimët mjekësore, sipërfaqja e mbjellë duhet të jetë jo më e madhe se 20 hektarë. Ndërkohë, për fermerët individualë, sipërfaqja minimale nuk duhet të jetë më pak se 0.5 hektar në një bllok të vetëm dhe jo më pak se 0.3 hektarë, kur u bashkëngjitet blloqeve ekzistuese. Për grupet e fermerëve nuk duhet të jetë më pak se 1 hektar, në një bllok të vetëm. Për Shoqëritë e Bashkëpunimit Bujqësor (SHBB) jo më pak se 5 hektarë, ndërsa madhësia e ngastrës të jetë, jo më pak se 0.3 hektarë, kur nuk është në bllok.
Gruri, tërshëra, elbi dhe thekra do të mbështeten
Një element interesant i skemës kombëtare të mbështetjes është parashikimi për subvencione tek kategoria e drithërave. Udhëzuesi parashikon që fermerët apo subjektet që kultivojnë jo më pak se 5 hektarë tokë bujqësore, në pronësi private ose të marrë me qira nga fermerë të tjerë që e kanë tokën në pronësi private, do të mbështeten në vlerën 25 mijë lekë/hektari nëse mbjellin grurë dhe elb, kurse për thekrën, tërshërën dhe koçkullën mbështetja do të jetë në vlerën 20 mijë lekë/hektari.
Fermat, kusht numri i krerëve, subvencion dhe për bletarinë
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka parashikuar që të vijojë subvencionet për zgjerimin e fermave. Kështu për krerë të lindur të matrikulluar, për fermat me mbi 100 krerë dele dhe/ose dhi është parashikuar një subvencion në vlerën 500 lekë/krerë kurse për fermat me mbi 10 krerë lopë, mbështetja është menduar në vlerën 2 mijë lekë/krerë. Sakaq është menduar që, së bashku me rritjen e numrit të krerëve, të ofrohet edhe opsioni për enë të certifikuara për transportin e qumështit nga ferma në pikat e grumbullimit dhe përpunimit.
Kjo është parashikuar në masën 70% të vlerës për njësi, por jo më shumë se 2.5 mijë lekë/njësia. Një zë i veçantë mes masave është edhe ai për ndërtimin e ambienteve për mbarështimin e kafshëve, stabilimenteve për rritjen e shpendëve, si dhe makineri apo pajisje për mekanizimin dhe modernizimin e proceseve të punës në fermat blegtorale.
Kufizimi, edhe në këtë rast, ka të bëjë me numrin e krerëve ku përcaktohet jo më pak se 10 lopë, ose jo më pak se 100 të imta, ose jo më pak se 10 dosa dhe në rastin e shpendëve jo më pak se 10 mijë shpendë, por jo më shumë se 15 milionë lekë. Edhe bletaria do të ketë vendin e saj në skemën kombëtare të mbështetjes ku është vendosur që për çdo koshere të jepen të paktën 1 mijë lekë, por kjo për ferma që kanë jo më pak se 100 koshere me blerë. Gjithsesi, në total, masa e financimit nuk duhet të kalojë 150 mijë lekë.
Sektori i peshkimit, të paktën sipas shifrave të dhëna nga qeveria, solli në ekonominë shqiptare 85 milionë euro në 2017, të ardhura nga eksportet. Deri në vitin 2021, objektivi i shpallur i qeverisë është që kjo vlerë eksportesh të arrijë në nivelin 150 milionë euro. Në mbështetje të sektorit të peshkimit është menduar që përmes skemës kombëtare të jepet një shtysë. Kjo lidhet që nga nxitja e volumit të peshkut që nxirret nga deti e deri tek marrja e standardeve.
Konkretisht është menduar që për ambientet e grumbullimit dhe ruajtës frigoriferike prodhime peshkore (përfshirë dhe akuakulturën), të jepen jo më shumë se 20 milionë lekë për një subjekt. Për linjat e filetimit, tharjes, tymosjes së produkteve peshkore nga liqenet të jepen jo më shumë se 3 milionë lekë nga Organizatat e Menaxhimit të Peshkimit. “Për standardet IFS (Standardi Ndërkombëtar i Ushqimit), BRC (Konsorciumi Britanik i Shitjes me Pakicë) dhe/ose FS (Miqtë e Detit) në stabilimentet e përpunimit të prodhimeve peshkore në masën 50% të vlerës totale të faturave tatimore, por jo më shumë se 325 mijë lekë për standard për produkt” – thuhet në udhëzuesin e ministrisë.
Ashtu sikurse deklaroi edhe kryeministri në një takim me peshkatarët pak javë më parë, një tjetër mbështetje është parashikuar për sistemet e monitorimit të anijes për pajisjet MTU (Njësi Transmetuese të Sinjalit) të instaluara në bordin e anijeve të peshkimit për identifikimin dhe lokalizimin e anijeve nëpërmjet satelitit. Kjo mbështetje është parashikuar deri në 85 mijë lekë për njësi sipas faturës tatimor.
Po kështu është menduar që deri në 70% të vlerës, por jo më shumë se 20 milionë lekë të jenë mbështetje për instalimin e bankinave lundruese prej betoni, nga Organizatat e Menaxhimit të Peshkimit. Në vlerën 20 lekë/kg është menduar të jetë subvencionimi për açuge dhe sardele të peshkuara, për anijet e peshkimit. “Pagesa të kryhet kundrejt sasive të tregtuara në stabilimentet shqiptare të përpunimit të këtyre produkteve, të vërtetuara me fatura tatimore përfshirë vlerën e TVSH, por jo më shumë se 2 mijë tonë në total”, – thuhet në udhëzuesin e Ministrisë.
Certifikimi, Global GAP dhe ISO
Një element i skemës lidhet me pjesën e certifikimit. Në shumë raste, mungesa e tij kthehet barrierë për të çarë tregjet e huaja. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka menduar që të mbështeten të paktën dy lloj certifikimesh. Së pari, zbatimi dhe certifikimi Global GAP në masën 50% të vlerës totale të faturës tatimore, por jo më shumë 175 mijë lekë, për secilën nga produktet si dhe për lakrën, lulelakrën dhe brokolin për sipërfaqe të mbjellë, por jo më pak se 1 hektar. Së dyti, zbatimin dhe certifikimin për standardin ISO 22000:2005 për operatorët e biznesit ushqimor, në masën 50% të vlerës totale të faturës tatimore, por jo më shumë se 120 mijë lekë.
Kushtet për të përfituar nga Skema Kombëtare e Mbështetjes
• Aplikues të jenë shtetas shqiptarë, ose kompani me bashkëpronësi, njëri nga të cilët të jetë shqiptar;
• Përfituesi të ketë bërë “shlyerjen koherente të sigurimeve shoqërore” sipas statusit të aplikuesit;
• Përfituesit nuk duhet të jenë debitorë ndaj Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural apo Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural;
• Përfituesit (persona fizikë dhe juridikë), nuk duhet të jenë debitorë për tatim-taksat;
• Nga masat mbështetëse 2018, mund të përfitojë vetëm një pjesëtar i familjes aplikuese, vërtetuar me certifikatë familjare të periudhës dhjetor 2017;
• Financimi i shumës së përfituar bëhet nëpërmjet bankave të nivelit të dytë;Si do të ndahen paratë
• Mbjellje të reja drufrutore 300 milionë lekë
• Sera diellore 700 milionë
• Investime (grumbullim-përpunim)i 730 milionë
• Agroturizëm 320 milion
• Përmirësim teknologjish/certifikim 100 milionë
• Kooperim/ formalizim 180 milionë
• Matrikullim etj. 280 milionë11 Detajet që duhet të dini rreth aplikimit
1. Aplikues për të përfituar nga masat e mbështetjes mund të jenë fermerët me NIPT, grup fermerësh, personat fizikë, personat juridikë, SHBB-të, OJF-të dhe OMP-të, që përmbushin kriteret e përgjithshme dhe specifike të përcaktuara në këtë udhëzim dhe të jenë të regjistruar në portalin E-albania;
2. Informacion më i detajuar për mënyrën e aplikimit, kriteret e përfitimit dhe procedimit deri në përfitimin e mbështetjes financiare gjendet pranë Agropikave, Drejtorive të Bujqësisë, Zyrave Rajonale dhe Qendrore të AZHBR, si dhe në faqen e internetit www.azhbr.gov.al dhe www.bujqesia.gov.al
3. Aplikimi bëhet sipas parimit “zero dokumente” në momentin e aplikimit, duke u paraqitur me kartën e identitetit ose pasaportën biometrike të aplikuesit apo përfaqësuesit ligjor.
4. Periudha e aplikimit për të gjitha masat mbështetëse do të qartësohet me miratimin e udhëzimit. Gjatë periudhës së aplikimit, sportelet e pranimit të aplikimeve pranë agropikave, apo zyrave rajonale të AZHBR/DB do të qëndrojnë të hapura, nga dita e hënë deri ditën e premte, nga ora 8:oo deri në 16:30;
5. Aplikimi do të bëhet online, në faqen e internetit https://e-albania.al/, pranë Agropikave dhe 36 zyrave të Drejtorive të Bujqësisë/zyrave rajonale të AZHBR-së, ku aplikuesi është rezident;
6. Aplikuesi, plotëson Formularin e Aplikimit, i asistuar nga punonjësi i AZHBR-së;
7. Aplikuesit, me status “fermer”, para plotësimit të formularit të aplikimit, duhet të kenë plotësuar Regjistrin e Fermës, me të dhënat të këtij udhëzimi;
8. Në çdo zyrë aplikimi, specialisti i ekstensionit bujqësor asiston aplikuesit me këshilla dhe informacionin e nevojshëm;
9. Në momentin e përfundimit të aplikimit shfaqet varianti i printueshëm i pranimit të aplikimit, me kodin e aplikimit, masën e aplikimit, datën dhe orën e aplikimit, i cili duhet të mbahet në dy kopje dhe firmoset nga aplikuesi dhe punonjësi i AZHBR-së. Aplikuesi duhet të ruajë formularin e printuar nga sistemi, ndërsa kopja tjetër në rastin e shpalljes fitues të aplikuesit, bëhet pjesë e dokumentacionit të dosjes përkatëse.
10. Me përfundimin e fazës së aplikimit, sistemi gjeneron automatikisht listat e renditjes së aplikuesve për çdo masë mbështetëse.
11. AZHBR shpall, në faqen e saj të internetit, listën me renditjen e aplikuesve në rang kombëtar, për çdo masë mbështetëse.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.