Gianluigi Donnarumma është 18-vjeçari më i paguar në historinë e futbollit. Ai do të firmosë me Milanin një kontratë për katër vitet e ardhshme (në vend të pesë) për 6 milionë euro neto në sezon. Kontrata do të parashikojë vetëm një klauzolë për prishjen e kontratës, gjithashtu do të jenë standarde komisionet e agjentit Raiola. Ja gjithë detajet e marrëveshjes.
Takimi i gjatë, mbyllet sot, rreth orës 6 pasdite, me gjithë fytyrat e qeshura – duke filluar nga i ati Alfonso dhe e ëma Marinella. Në krah të familjes Donnarumma ishin edhe agjentët Mino dhe Enzo Raiola, përballë administratorit të deleguar të Milanit, Marco Fassone dhe drejtorit sportiv Massimiliano Mirabelli.
Palët kanë gjetur më së fundi argumentet për të lënë mënjanë polemikat dhe për të hedhur firmën e shumëpritur. Prej ditësh Donnarumma kishte dhënë sinjale për rinovimin. Njëkohësisht vëllai i tij, Antonio do të jetë portieri i tretë i kuqezinjve dhe do të fitojë 1 milionë euro në sezon.
6 milionë euro në vit plus klauzolat – 18-vjeçari Gianluigi (i cili sot fiton rreth 150 mijë euro) do të fitojë 6 milionë neto deri në vitin 2021. Në fillim kontrata e Donnarumma-s do të ishte pesë vjet, por mesa duket do të jetë 4-vjeçare dhe do të zgjasë deri në vitin 2021. Reflektimet e këtyre ditëve lidheshin me dy klauzola të vëna nga Milani, 50 milionë euro në rast të moskualifikimit në Champions League në sezonet e ardhshme dhe 100 milionë në rast se Milan renditet në katër vendet e para. Por në fund u vendos vetëm një klauzolë, 75 deri në 80 milionë euro, sido që të jetë klasifikimi i skuadrës së Montella-s.
Po komisionet e Raiola-s? Do të jenë ato standarde, pa përqindje apo bonuse. Gigio pritet në nisë stërvitjen në Milanello të martën e ardhshme, më 11 korrik. Por me shumë mundësi do të kthehet nga pushimet në Spanjë që këtë fundjavë, për të hedhur firmën e shumëpritur.
Nëse krahasojmë pagën e 18-vjeçarit me atë të yjeve të tjerë në moshën e tij, atëherë përmendim: Cristiano Ronaldo tek Manchester United, kishte një pagë prej 2,1 milionë eurosh, Pato tek Milan 1,7 milionë, Messi tek Barcelona 1,2 milionë, Balotelli tek Inter 1 milionë dhe Buffon tek Parma vetëm 0,4 milionë euro.