“Drama” monetare: Bie paraja gjithsej në ekonomi në qershor, bashkë me kreditë e depozitat

03/08/2015 8:47 AM 0 komente

Ulja e vazhdueshme e masës monetare gjithsej, sinjal i ngadalësimit në ekonomi; Në rënie të ndjeshme ishte dhe kredia për ekonominë së bashku me depozitat…

Qershori ka pasur treguesit më të përkeqësuar monetarë që nga fillimi i këtij viti. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, paraja gjithsej në qarkullim (masa monetare) shënoi një rënie prej 942 milionë lekësh, duke shënuar të tretën herë me tkurrje brenda 6 muajve të parë të këtij viti.

Sipas ekspertëve, kjo rënie është shqetësuese, pasi tregon për një ngadalësim të aktivitetit ekonomik në vend. “Masa monetare në përgjithësi reflekton ose nivelin e çmimeve, ose sasinë fizike të mallrave të prodhuara. Në kushtet kur nuk kemi ndonjë ndryshim në inflacion, kjo do të thotë se vëllimi i aktivitetit fizik të prodhimit do të jetë kontraktuar”, ka pohuar ekonomisti Selami Xhepa pak muaj më parë për Monitor, duke komentuar tkurrjen e këtij treguesi në mars. Ai parlajmëronte se nëse do të vazhdojë për një kohë më të gjatë, kontraktimet monetare janë të njohura edhe në historinë e ekonomisë si shkaktarët kryesorë të recesioneve.

Rënia e qershorit nuk mund të konsiderohet as ciklike, pasi në të njëjtën periudhë të një viti më parë ndryshimi i këtij treguesi ishte pozitiv në plus 9.1 miliardë lekë.

Rritja e parasë në qarkullim është ngadalësuar ndjeshëm në muajt e parë të këtij viti. Në qershor ajo u rrit me 0.2% në raport me dhjetorin 2014. Në periudhat përkatëse të një viti më parë, zgjerimi ishte 0.32% dhe në 2013-n ishte 1.6%.

Në qershor rezultuan mjaft të përkeqësuar dhe ecuria e kredive dhe depozitave.

Totali i depozitave në sistemin bankar në qershor 2015 ra me 4.7 miliardë lekë (34 milionë euro) në raport me muajin e mëparshëm, tkurrja më e fortë mujore kjo, që nga tetori 2013. (Lexo: Paniku i krizes greke u reflektua edhe në Shqiperi)

Huaja për ekonominë ka shënuar një tjetër rënie të fortë në qershor, duke mos arritur të krijojë një tendencë të qëndrueshme rritjeje. Sipas statistikave të Bankës së Shqpërisë, stoku i huasë për ekonominë arriti në 552.4 miliardë lekë, duke u tkurrur me 7.4 miliardë lekë, apo 1.3% në raport me muajin e mëparshëm. ( Lexo: Kredia tkurret ndjeshëm në qershor, bie 1.3% dhe nga fillimi i vitit)

I vetmi tregues me rritje ishte ai i parasë jashtë bankave, që u zgjerua me 3.8 miliardë lekë në qershor, pas rritje me 5.3 miliardë lekë në maj, një tendencë që konstatohet gjithnjë kjo, sa herë që ka zgjedhje elektorale.

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of