Vëmendja zhvendoset nga Gjermania në Francë
Një Emmanuel Macron më dinamik se kurrë dhe një Angela Merkel në miniaturë, janë treguesit e një rendi të ri në Europë
Kush e drejton Europën? Në fillim të këtij viti, përgjigjja ishte mjaft e qartë. Angela Merkel po shkonte në mënyrë të pandalshme drejt një fitoreje të katërt, Anglia dhe Italia nuk ishin në pozita aspak të mira, ndërsa Franca ishte e frikësuar se mos Marine Le Pen do të shndërrohej në Donald Trump-in francez, shkruan The Economist. Por në fillim të kësaj jave gjithçka duket ndryshe. Znj. Merkel fitoi zgjedhjet e saj më 24 shtator, por me një numër shumë më të ulët votuesish dhe vendesh në Parlament, gjë që ndikoi shumë në rënien e saj si një nga figurat më të fuqishme politike të Europës dhe botës.
Gjermania do të përballet me një muaj bisedimesh të ndërlikuara. Rreth 6 milionë votues mbështetën një parti ksenofobike të qendrës së djathtë, shumë prej të cilëve nuk janë dakord me politikën e ndjekur nga znj. Merkel në lidhje me çështjen e emigrantëve. Ndryshe nga më parë, Alternativa për Gjermaninë, një forcë politike përçarëse dhe polarizuese, tani është partia e tretë më e madhe e Bundestagut. Megjithatë, në anën perëndimore të Rhine me një Parlament të dominuar nga partia e tij e re dhe e përkushtuar, Presidenti francez, Emmanuel Macron, po shpalos të gjitha ambiciet politike. Këtë javë, nëpërmjet një fjalimi që ai mbajti në lidhje me Bashkimin Europian, u mundua që të vendoste në qendër të të gjithë diskutimit ambicien politike për ta rikthyer Francën në qendrën më të rëndësishme të BE-së pas më shumë se një dekade. Por kjo gjë nuk varet vetëm nga planet e tij ambicioze, por mbi të gjitha nga suksesi që ai do të ketë në Francë, duke reformuar një shtet, i cili ka shumë kohë që nuk po shfaq asnjë ndryshim.
Udhëheqësi i Angela Merkel
Le ta fillojmë me Europën. Fjalimi i kësaj jave ishte i mbushur me ide, duke përfshirë një buxhet të përbashkët ushtarak dhe një agjenci për “risitë radikale”, si dhe dëshirën për të forcuar Eurozonën. Nga njëra anë, oferta e z. Macron për rolin e novatorëve intelektualë në Europë përshtatet me një traditë të gjatë franceze. Për më tepër, disa nga pikat më të rëndësishme të fjalimit të tij ishin vendosja e një takse të re për karbonin në kufijtë doganorë me BE-në, një propozim për taksimin e firmave të huaja të teknologjisë, një “kryqëzatë kundër dumping-ut social” me norma tatimi të harmonizuara të korporatave, duke mbështetur dhe duke ruajtur në këtë mënyrë përpjekjet e hershme franceze për të ndaluar shtetet anëtare të konkurrojnë në mënyrë të “paligjshme” ndaj njëri-tjetrit.
Megjithatë, z. Macron ka një objektiv më të rëndësishëm sesa drejtimi sipas modelit të vjetër francez. Dhe si një provë ndaj asaj që u tha më lart, këtë javë ai pranoi se Alstom, i cili prodhon trena të shpejtësisë së lartë, mund të devijojë nga ndikimi i shtetit në rast se bashkohet me rivalin e tij gjerman të sektorit privat. Qëllimi është që t’i japë fund populizmit duke krijuar një ekuilibër ndërmjet sigurimit të punës për qytetarët nga njëra anë dhe duke i inkurajuar ata që të përqafojnë risitë teknologjike nga ana tjetër, shumë prej të cilëve frikësohen sepse mendojnë se risitë teknologjike janë një prej shkaktarëve kryesorë të humbjes së vendeve të tyre të punës. Gjatë fjalimit të tij, z. Macron theksoi edhe çështjen e ndërprerjes dixhitale dhe përfundimin e një tregu të vetëm dixhital.
Reforma e Eurozonës do ta bënte atë më pak të ndjeshme ndaj krizës së ardhshme financiare. Merita e të gjithë këtyre ideve qëndron në faktin nëse ato do të bëjnë të mundur që Europa të drejtohet drejt marrjes së nismave të reja, të jetë sa më e hapur dhe sa më e sigurt. Ndërsa ana tjetër e medaljes është që ajo të shndërrohet në një kështjellë mbrojtëse dhe me rregulla të ashpra. Por asnjëra prej tyre nuk mund të ketë rezultat nëse z. Macron dështon të ketë sukses në politikat e tij të brendshme. Por nëse Franca mbetet më shumë një kërcënim për stabilitetin ekonomik të BE-së sesa një burim force, atëherë Presidenti i saj kurrë nuk do të mund të jetë më shumë sesa një lojtar si shumë të tjerë, pranë kancelares gjermane.
Politika e brendshme e z. Macron duket se po ecën me hapa të ngadaltë. Ai ka qenë pjesë e titujve kryesorë të faqeve të para të shtypit për shkak të madhështisë së planit të tij, apo për shkak të rënies së popullaritetit dhe arrogancës në lidhje me qasjen e tij “jupiteriane” ndaj pushtetit.
Ajo çka ishte e pritshme dhe e parashikuar nga disa, kohë përpara fitores së Macron, kundërshtimi mbi legjitimitetin e planeve të Presidentit që ata vetë zgjodhën, po ndodh. Me sa duket, reforma në Francë, ecën sipas të njëjtit model. Megjithatë, nëse e shikojmë më me kujdes dhe i kushtojmë vëmendje më të madhe, të shumtë mund të jenë ata që bien dakord me faktin se z. Macron po tenton të shkëputet nga ky model i njëjtë, dhe në këtë drejtim diçka e jashtëzakonshme ndodhi këtë verë. Ndërsa pjesa më e madhe e francezëve ishin me pushime, z. Macron negocioi dhe u ra dakord me sindikatat mbi një reformë të gjerë dhe liberalizuese të punës, të cilën ai e nënshkroi më 22 shtator, e gjithë kjo e arritur me fare pak përpjekje. Rreth 59% e francezëve thonë se ata e mbështesin reformën e punës. Më të shumta do të jenë protestat që do të pasojnë dhe më të vështira betejat që duhet të fitohen në lidhje me pensionet, taksat, shpenzimet publike dhe arsimin.
Z. Macron nuk duhet të gëzohet përpara kohe, por gjithsesi ai sapo e ka kaluar provën e parë më të madhe. Megjithatë, në shumë aspekte, 39-vjeçari Macron ende nuk është kuptuar mirë. Përpos të gjithave, duket se po lind një lider i cili është i guximshëm, i disiplinuar dhe plot me ide novatore. I guximshëm, sepse reformat e punës, ashtu siç e dinë fare mirë si Gjermania ashtu edhe Spanja, duan një periudhë të caktuar për t’u shndërruar në vende pune.
I disiplinuar, sepse ai e parashtroi qartë para zgjedhjes së tij atë që ai planifikonte të bënte sapo të vinte në pushtet. Sindikatat e punës u konsultuan deri në detaje dhe dy nga tre më të mëdhatë e pranuan reformën. Dhe ndryshimi është shumë më i madh nëse e krahasojnë këtë situatë me atë të paraardhësit të tij, François Hollande, i cili u mundua për t’i dhënë jetë kësaj reforme nëpërmjet vjedhjeve të ndryshme dhe prandaj u përball me akuza për shpërdorim detyre dhe mosbesim të lartë në popull. Së fundmi, z. Macron ka kuptuar se teknologjia dixhitale është dislokimi i botës së punës. Filozofia e tij qeverisëse është të përshtasë dhe të rinovojë sistemin e vjetruar të rregullave dhe mbrojtjes së Francës në përputhje me rrethanat e caktuara.
Jehona e daulleve
Gjatë viteve të fundit, një Francë e pafuqishme ka qenë njëkohësisht edhe një partner i dobët kronik për Gjermaninë, duke e lënë znj. Merkel të vetme në rolin e saj, të cilin ajo as nuk e ka kërkuar dhe as nuk e pëlqen. Nëse ai do që ta ndryshojë këtë dinamikë, z. Macron i duhet të lëvizë me shpejtësi që të përputhet me ligjin e tij të reformës së punës, të rishikojë buxhetin joefikas të specializimeve, të rrisë numrin e praktikave dhe të rinovojë shërbimet e përgjumura të punësimit të shtetit.
Ai duhet të shpjegojë me një ton më pak përbuzës se përse planet e tij për uljen e taksave, duke përfshirë taksën e pasurisë në Francë dhe taksën e korporatave, nuk janë të vetëm në të mirë të përfitimit të biznesit. Natyrisht, që gjatë hapave të tij të parë, z. Macron mund të pësojë edhe disa tronditje të vogla, sepse mundësitë për reformimin e Francës, cilido të ishte lideri i saj, nuk do të jenë aspak të larta. Ai do të luftojë për ta bindur Gjermaninë që të përqafojë vizionin për reformën e Eurozonës. Por, nëse ky vit ka treguar ndonjë rezultat, sado i vogël qoftë ai, mbase kundërshtimi ndaj z. Macron, do të ishte gabimi më i madh.