Republikani Philippe është shpallur nga Presidenti Macron si Kryeministri i ri i Francës
Në deklaratën e tij të parë falënderuese si Kryeministër, ai u shpreh se edhe pse i përket të djathtëve, përkushtimi dhe devotshmëria e tij frymëzohen nga interesi i përgjithshëm. Ai iu drejtua paraardhësit të tij, Bernard Cazeneuve, duke i thënë se edhe pse ai është i majtë, ndërsa Philippe i djathtë, kjo nuk ndikon aspak në cenimin e respektit që ata kanë për njëri-tjetrin, sepse interesi i përgjithshëm është ai që ka më shumë rëndësi dhe duhet të jetë pikërisht ai udhërrëfyesi i të gjithë përfaqësuesve të popullit.
Kush është Edouard Philippe, konservatori i cili gëzon vlerësimin edhe të të majtëve
Filloi epoka Macron! Tashmë Franca dhe Europa është më e fortë. Filloi epoka e Emmanuel Macron ndërsa François Hollande u përcoll nga Elize me duartrokitje. U zgjodh edhe Kryeministri i ri që do të drejtojë qeverinë, Edouard Philippe, i cili përpara se të bëhej pjesë e të djathtëve ka qenë pjesë e një ambienti socialist dhe sot do të përfaqësojë të dyja krahët si të djathtët ashtu edhe të majtët. Philippe, 46 vjeç, 7 vjet më i madh se Presidenti Macron, ka lindur në Rouen në Normandi dhe është i biri i dy profesorësh frëngjishteje. Si atij edhe motrës së tij, prindërit i dhanë një edukim shumë liberal, gjë që pritet ta shfaqë edhe gjatë qeverisjes së tij. Ai është i martuar dhe ka tre fëmijë, por jetën e tij personale e ruan me fanatizëm dhe përpiqet të jetë sa më diskret në deklarata kur bëhet fjalë për familjen e tij.