Ndërsa është ende i freskët “konflikti” qeveri-ekonomistë për luftën ndaj informalitetit, koncesionet janë një “deja vu” e kësaj marrëdhënie të vështirë. Pothuajse të gjithë ekonomistët janë renditur përballë qeverisë, duke e kundërshtuar atë për valën e koncesioneve. Ka nga ana që kërkojnë moratorium koncesionesh.
Nga Albana MUÇAJ
Debati mbi koncesionet së fundmi i ngjan atij të luftës kundër informalitetit vetëm pak muaj më parë. Nga njëra anë, qeveria që e prezanton platformën e zgjidhjeve në të mirë të ekonomisë dhe si një platformë të studiuar mirë, nga ana tjetër ekonomistët. Ata, jo vetëm që nuk besojnë në dobinë e koncesioneve, por ngrenë dyshime të mëdha se po vijohet me abuzime të pasurive e shërbimeve publike duke i deleguar ata te biznese të caktuara private.
Si në rastin kundër informalitetit, ekspertët nuk kundërshtojnë qëllimin e nismave qeveritare: forcimin e ekonomisë përmes rritjes së konkurrencës (në rastin antiinformalitet) dhe performancës së shërbimeve publike (në rastin e partneriteteve publike private). Në të dy rastet, ekonomistët kundërshtojnë mjetin me të cilin qeveria kërkon ta realizojë këtë.
Eksperti i ekonomisë, Ilir Ciko, profesor në Universitetin kanadez të teknologjisë thekson se planet e qeverisë për të shtuar koncesionet në shërbimet publike, bie në kundërshtim edhe me filozofinë e qeverisjes së majtë dhe nismën e reformave. “Përse kjo nuk kryhet nga strukturat shtetërore? Nëse thelbi i reformave që ndërmorëm ishte shtetformimi, pra ngritja e një administrate të aftë për të kryer të gjitha funksionet e shtetit, këtu kemi një transformim të drejtpërdrejtë të kësaj reforme në transferimin e funksioneve shtetërore drejt kompanive të caktuara”, thotë Ciko. Ai thekson se “në rastin e koncesioneve kemi të bëjmë me një kompani të caktuar dhe jo me një klimë favorizuese për zhvillimin e biznesit në tërësi”.
Prof. Arben Malaj, vëren se Partneriteti Publik Privat është i mundshëm, por duhet të sigurohen, sipas tij, “parakushtet për rritje të cilësisë së shërbimit, ulje të kostos dhe zhvillim më të mirë të sektorit”. Z. Malaj vëren se “në këtë sektor, në menaxhimin e Financave Publike nëpërmjet mbledhjes së të ardhurave, kemi tre koncesione që në vend që të lehtësonin barrën e biznesit, të lehtësonin kostot e ta bënin punën e biznesit më të shpejtë, kanë krijuar kosto të rënda, duke filluar që nga skanimi në dogana, i cili aktualisht është një barrë e rëndë për biznesin dhe po rëndohet gjithnjë e më shumë për buxhetin. Dy koncesionet e dhëna për menaxhimin më të mirë të akcizës vazhdojnë të prezantojnë rezultate më të dobëta”.
Në shërbim të rritjes së të ardhurave, parashikohet edhe koncesioni i Ministrisë së Financave për ngritjen e sistemit të administrimit të TVSH-së. Zëvendësministrja Irena Beqiraj, gjatë prezantimit të termave, nënvizoi se kjo po bëhej pasi nevojitej një ekspertizë e lartë në ngritjen e sistemit e menaxhimin e të dhënave, duke theksuar pamundësinë e administratës publike për të qenë në lartësinë e duhur. Por z. Malaj, kërkon që koncesionet të mos shihen si zgjidhja e vetme. “Ne nuk e fshehim që kemi një sfidë të madhe për një qeverisje më të mirë të vendit, sidomos në funksionimin e mirë të shtetit ligjor. Kështu që, në këto kushte, përderisa rreziqet janë kaq të mëdha mendoj që çdo absolutizim i koncesioneve për të përmirësuar funksione apo shërbime publike nuk është i saktë dhe rrezikon të na krijojë kosto shtesë.
Mateo Spaho, profesor në Universitetin Europian të Tiranës, vëren se koncesioni për TVSH-në është një përpjekje për të rritur të ardhurat, pas disa dështimesh të qeverisë vitin e kaluar në këtë drejtim. Ai vëren se, “që kur ka vendosur Taksën Progresive në Taksën e të Ardhurave Personale (TAP), qeveria ka mbledhur 8% më pak në raport me planin për vitin 2015 ose 20 milionë dollarë më pak. Pushteti vendor ka mbledhur 5% më pak se plani, ndërsa Doganat e mbikëqyrura nga Crown Agents kishin mbledhur 11% më pak se plani për vitin që sapo kaloi”. Në këto taksa, sipas tij, spikat Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) pasi ndër vite ka qenë taksa më e qëndrueshme dhe më rezultative për financat shqiptare, e vetmja taksë që shteti ka mbledhur në mënyrën e duhur në një masë mesatare prej 98%.
Sipas tij, “qeveria shqiptare e rilindur ka pranuar se nuk mund të luftojë dot korrupsionin me tatimorët, doganierët dhe administratën publike që vetë ka promovuar dhe futur në punë. Mesa duket nuk ngelet alternativë tjetër veçse të jepet me koncesion edhe mbledhja e të ardhurave, pasi qeveria ka pranuar se nuk është e aftë ta bëjë vetë këtë gjë”.
Ciko: Duhet moratorium koncesionesh
Ilir Ciko vëren se ka pasur përvoja të hidhura për shumë koncesione të fundit, të cilat kanë rezultuar me kosto të lartë për biznesin. Në mënyrë të dukshme apo të padukshme, sipas tij, kontratat janë lidhur me korrupsionin dhe janë në mënyrë të drejtpërdrejtë monopole në treg. Nisur nga kjo, sipas tij, “ndoshta është koha që Kuvendi i Shqipërisë të mund të konsideronte dhe ngritjen e një moratoriumi për koncesionet”. Sipas tij, kjo do t’i shërbente qeverisë të fokusohej te objektiva parësore për ekonominë e vendit. Ciko thotë se është bërë jetike përmirësimi i klimës së biznesit për të nxitur investimet. Ndaj, “vëmendja e punës së qeverisë në të ardhmen duhet të shtrihet në drejtim të promovimit të zhvillimit të biznesit në vend dhe jo në thelb të zgjidhjeve inovative për të favorizuar biznese të caktuara”.
Malaj: Koncesion ndërsa po bëjmë reforma?!
Arben Malaj vëren se me një koncesion të mundshëm për sistemin e TVSH-së, “mund të kemi mos-harmonizim të elementëve të veçantë të kësaj reforme që duam të bëjmë në tatimet e doganat. Pra, ta shikojmë gjithçka si pjesë të një reforme e jo të futemi në elemente të veçanta, diku me koncesion, diku me ndryshime strukturore, diku me ndryshime administrative”. Ai thekson se, të paharmonizuara me njëra-tjetrën, të gjitha këto ndërhyrje në mbledhjen e të ardhurave kanë riskun e lartë që të mos jenë të suksesshme.
Keqpërdorimi i të dhënave, rrezik i vlerësuar që herët
Vlerësimi i grupit të ekspertëve se koncesioni për TVSH-në është se mund të sjellë probleme sensitive për të dhënat e biznesit, (pasi çdo informacion i tyre mbi xhiron, faturimin etj., do të njihej nga kompania private që ngre sistemin e konsulton tatimorët) duket se i ka rrënjët e hershme. Ekonomisti Ilir Ciko bën të ditur se “shumë vite më parë, shteti shqiptar është përballur me një dilemë të tillë në ngritjen e një sistemi informatik”. Ai kujton se flitej për kontrollin e një pjese tejet të kufizuar të informacionit të bizneseve dhe “pikëpyetja që u ngrit në atë kohë ishte që kjo do të ishte një problem. Pra, marrja e një informacioni nga një biznes i caktuar. Kjo u bë shkas që të mos realizohej në atë kohë”, thekson Ciko.
Për të kuptuar sensitivitetin e të dhënave, Ciko kujton debatin që u hap për ndërhyrjet në serverin e tatimeve nga një politikan.
Garë koncesionesh?!
Qeverisja aktuale duket se po punon në “sheshin” e koncesionit të shërbimeve publike, me dy mekanizma njëherësh. Nga njëra anë, rishikim i koncesioneve të mëparshme. Për Rapiscan u bënë disa ndryshime, duke ulur tarifën e skanimit për biznesin fason dhe për ta paguar atë nga buxheti i shtetit. Të ardhurat totale të koncesionarit nuk preken. Ndërsa pa shumë shpresë po tentohen të rishikohen edhe koncesione të tjera, që kanë marrë vulën në Parlament e nuk kanë dhënë rezultate pozitive. Nga ana tjetër, qeveria po jep me koncesion shërbime të reja në mjekësi, në ngritje sistemesh e mbledhje të ardhurash. Kryeministri ka numëruar javës së kaluar koncesionet e dhëna nga qeveria e majtë krahasuar me atë të djathtë. Ai vuri në dukje dëmet marramendëse të koncesioneve të mëparshme, ndërsa beson te mbarëvajtja e koncesioneve aktuale
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.