Turqia ka hedhur kandidaturën për të mirëpritur Kampionatin Europian të vitit 2024. Afati i fundit për të prezantuar kandidaturat është data 3 mars.
Për momentin, shteti tjetër në garë është Gjermania, por është dhe një tjetër kandidaturë hipotetike, ajo e një Europiani Skandinav.
Kandidaturën e Turqisë e zyrtarizoi presidenti i Federatës Turke të Futbollit, Yildirim Demiroren: “Shpresojmë ta meritojmë organizimin e Europianit si shtet dhe si kombëtare”. Stambolli provon për të dytën herë të organizojë një kampionat europian, pasi humbi garën me Francën për Euro 2016.
Sa i përket Turqisë, kandidatura do të shërbejë për ndryshimin e imazhit nga pikëpamja politike pasi qeveria e Erdoganit është në një moment delikat.
Kampionati Europian në vitin 2020 do të zhvillohet në 13 qytete të kontinentit të vjetër, një formulë e zgjedhur nga ish-kreu i UEFA-s, Mishel Platini, me rastin e 60-vjetorit të kompeticionit.
Për sa i përket Gjermanisë, kandidatura u bë e ditur në vitin 2013. E vetmja pengesë mund të lidhet me skandalet që i paraprinë Botërorit 2006. Por për momentin, Gjermania është ndër kandidaturat kryesore.
Kandidatura të tjera që mund të vijnë para 3 marsit mendohen të jenë vende të Europës së Veriut si Suedia, Danimarka, Finlanda apo Norvegjia. Kjo do të ishte sigurisht një zgjidhje inovative: UEFA i kishte thënë mjaft organizimeve dyvendëshe pas përvojës në Poloni e Ukrainë në vitin 2012, por zgjerimi me 24 skuadra mund të ndryshojë skenarin dhe tani Europiani skandinav mund të jetë një zgjidhje e pranueshme.
Në një moment madje u hodh ideja që disa ndeshje mund të zhvilloheshin edhe në Reikjavik, Islandë dhe në Ishujt Faroe.
Stadiumet ku mund të zhvillohen ndeshjet do të ishin: Stokholmi (finalja) Goteborg dhe Malmoe në Suedi, Kopenhagën, Brondby e Aarhus në Danimarkë, Oslo dhe Trondheim në Norvegji, gjithashtu dhe Helsinki në Finlandë.
UEFA do të marrë vendimin përfundimtar në shtator 2018.