Ndihma e Eurozonës për lehtësimin e borxhit ndaj Greqisë e kanë bërë atë të qëndrueshëm në një periudhë afatmesme, por supozimet optimiste mbi rritjen greke dhe sufiçitin primar në të ardhmen po e bëjnë qëndrueshmërinë e borxhit grek të pasigurtë në një periudhë afatgjatë, tha FMN-ja. Fondi Monetar Ndërkombëtar publikoi raportin e qëndrueshmërisë së borxhit për Greqinë ditën e martë duke treguar ndryshime të rëndësishme. Në këtë raport theksohej se ndihma e borxhit të dhënë ndaj Greqisë ka përmirësuar ndjeshëm qëndrueshmërinë e borxhit të saj në periudhën afatmesme, por perspektivat afatgjata mbeten të pasigurta. FMN-ja theksoi se Greqia mund të ketë probleme nëse do të arrijë një rritje mesatare vjetore të PBB-së prej 3.1 për qind nga tani e deri në 2060 ose një sufiçit primar prej 2.4 për qind të PBB-së gjatë të njëjtës periudhë. FMN-ja tha se supozimet e saj të rritjes prej 2.9 për qind dhe një suficit primar prej 1.8 për qind nga tani e deri në 2026, kishin më shumë kuptim. Në analizën e saj, FMN-ja mori gjithashtu norma më të larta të interesit të tregut në krahasim me ato të marra nga Eurozona. Analiza e Fondit tregoi se me paketën e lehtësimit të borxhit të ofruar nga eurozona në qershor, raporti i borxhit ndaj PBB-së së Greqisë fillimisht do të binte, por pastaj do të fillonte një rritje të pandërprerë deri në 2038. “Prandaj, do të nevojiten lehtësime shtesë për të siguruar qëndrueshmërinë e tij”, tha FMN-ja, por duke vënë në dukje se nëse supozimet më optimiste të Eurozonës në drejtim të rritjes dhe suficitit primar do të jenë të sakta, nuk do të nevojitej asnjw lehtësim shtesë ndaj borxhit. Në këtë raport thuhej në veçanti se Greqia duhej të rriste shpenzimet kapitale dhe shpenzime të tjera, të ulte taksat tashmë të larta, ndërkohë që duhet të ulë ndjeshëm edhe shpenzimet e konsiderueshme të pensioneve duke zgjeruar në thelb bazën e saj shumë të ngushtë tatimore. Por sipas FMN-së duke pasur parasysh nivelin shumë të lartë të papunësisë në Greqi dhe institucionet e dobëta të politikëbërjes, do të jetë shumë e vështirë të ndërmerren ndryshime të tilla politikisht të vështira, duke mbajtur në të njejtën kohë një sufiçit primar jashtëzakonisht të lartë për një periudhë afatgjatë. Fondi gjtihashtu tha se një premtim nga ana e Eurozonës për të ofruar një lehtësim shtesë ndaj borxhit të Greqisë në të ardhmen, nëse do të ishte i nevojshëm, ishte një shenjë e mirë për të gjithw ata që dëshironin të investonin në Greqi, duke dhënë kështu një farë sigurie në rast se gjërat do të shkojnë keq. Por ai gjithashtu vuri në dukje se ky premtimi ishte i kushtëzuar nga ecuria e Athinës në drejtim të objektivave të suficitit “shumë ambicioz” dhe se mund të ndikohej nga ndryshimet politike në vendet e eurozonës gjatë 40 viteve të ardhshme, arsye këto që mund të ndikojnë që ky premtim të mos mbahet.
Reuters.com