“Progresi në uljen e stokut të lartë të huave më probleme është një prioritet për pjesën më të madhe të vendeve. Përmirësimi i trajtimit ligjor e taksor dhe fshirjes së huave — siç janë përshtatur së fundmi në Shqipëri — dhe fuqizimi i ristrukturimit të borxhit dhe kuadrit ligjor të ekzekutimit të kolateralit janë thelbësore”, thekson raporti….
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka publikuar sot pasqyrën ekonomike globale të prillit 2015, e cila tregon perspektiva të ndryshme mes shteteve kryesore dhe rajoneve. Sipas raportit të FMN-së, rritja globale parashikohet të jetë 3.5% për 2015-n, në linjë me parashikimin e rishikuar të janarit. Ashtu si dhe vitin e kaluar, panorama për ekonomitë e zhvilluara po përmirësohet, ndërsa rritja në tregjet në zhvillim pritet të jetë më e ulët, duke reflektuar kryesisht perspektivën më të dobët për disa vende të mëdha në zhvillim dhe për shtetet eksportuese të naftës.
Për Shqipërinë rritja mbetet 3%, prioritet ulja e huave me probleme
Për Shqipërinë, Fondi Monetar Ndërkombëtar i qëndron parashikimit që rritja do të mbetet 3% për vitin 2015, i njëjtë me pritshmëritë e janarit, por në rënie nga pasqyra ekonomike e tetorit 2014, ku në tabelat për rritjen ekonomike për Shqipërinë pritej vlera prej 3.3%.
Për 2016-n rritja pritet të përshpejtohet në 4%. Edhe në afatin e gjatë, Shqipëria pritet të rritet me norma modeste, për të arritur në 4.5% në 2020, sipas tabelave të publikuara në raportin e FMN-së.
Për vitin 2015, nga vendet e rajonit rritjen më të lartë pritet ta ketë Mali i Zi me 4.7%, i ndjekur nga Maqedonia me 3.8% dhe Kosova me 3.3%.
FMN pret që rritja në Europën juglindore të përmirësohet në 2015–16, e udhëhequr nga rimëkëmbja e pasojave të përmbytjeve në Serbi dhe Bosnjë dhe përmirësimi i punësimit në shtetet e tjera.
Raporti rekomandon që mbështetja e kërkesës së brendshme duhet të mbetet një prioritet, veçanërisht në vendet që kanë lidhje të forta me zonën e euros. Shumë shtete kanë nevojë që të mbajë kushte të lehtësuara të politikës monetare, ndërsa amortizatorët fiskale po rikrijohen aktualisht.
Në një sërë vendesh, borxhi i rritur publik dhe deficitet e larta fiskale nënvizojnë nevojën për një konsolidim më të madh fiskal, thekson raporti.
“Progresi në uljen e stokut të lartë të huave më probleme është një prioritet për pjesën më të madhe të vendeve. Përmirësimi i trajtimit ligjor e taksor dhe fshirjes së huave —siç janë përshtatur së fundmi në Shqipëri—dhe fuqizimi i ristrukturimit të borxhit dhe kuadrit ligjor të ekzekutimit të kolateralit janë thelbësore”, thekson raporti.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.