Premtimi parazgjedhor i kryeministrit Isa Mustafës dhe zëvendësit të tij Hashim Thaçi për krijimin e Fondit të punësimit, i cili sipas tyre do të hapte mijëra vende pune, ka mbetur vetëm premtim parazgjedhorë. As edhe pas dhjetë muajsh të qeverisjes, nuk ndodhi një gjë e tillë. Fondi mendohej të arrihej përmes fondeve të privatizimit, ndërsa AKP-ja është në bllokadë për shkak të mos kompletimit të bordit.
Nga zyra për informim e Qeverisë së Kosovës që nga e mërkura e javës së kaluar, nuk kanë kthyer një përgjigje se kur do të fillojë të jetësohet ky fond. Por, në anën tjetër partitë opozitare kanë kritikuar Qeverinë, ku sipas tyre ky ka qenë vetëm mashtrim që është bërë qytetareve.
Frashër Krasniqi nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se hapat që ka marrë Qeveria shkojnë në drejtim të kundërt me politikat e nxitjes së punësimit. Ndërsa sipas tij, formula për këtë fond, iniciativë e paraqitur nga një pjesë e qeverisë, ka mbetur vetëm në letër.
“Papunësia në Kosovë adresohet siç e kemi deklaruar shumë shpesh nëpërmjet kthimit të kursit ekonomik nga platformat neoliberale me moton derregullimi i tregut dhe privatizim i skajshëm, drejt politikave që kanë si bazë shtetin zhvillimor. Pra, çdo fond apo iniciativë e ngjashme në kushtet e mungesës së masave mbrojtëse mbetet vetëm një skeme e re klientele, shkruan Zëri.
Sektorët strategjik të Kosovës, Trepça, Energjetika, Telekomunikacioni, Hekurudhat, Bujqësia dhe infrastruktura ndihmëse janë jashtë vëmendjes së Qeverisë. Madje për to nuk ka plane fare përpos ndonjë orvatje privatizuese ose marrje e vazhdueshme e kredive për studime që nuk konkludojnë kurrë ose negociata me Serbinë për ta ndarë tregun e energjisë dhe telekomunikacionit me të. Investimet si plan dhe si aksion në këto fusha do të jepnin shanset e para për adresimin e papunësisë së lartë në vendin tonë” ka thënë ai.
Edhe Haki Shatri ish Ministër i Financave ka thënë se krijimi i këtij fondi ka qenë vetëm një mashtrim që është bërë qytetareve. Sipas tij, që të krijohet ky fond duhet të ketë zhvillim ekonomik, por që sipas tij, ekonomia është në shtangnim.
“Ka qenë vetëm mashtrim parazgjedhorë. Ekonomia është në stangnim, e fondi si një veprim ka mund pak me i ndihmuar punësimit, por nuk mundesh ti me punësua me një fond që e ke ndanë me nxit punësimin pa u krijuar kushtet. Nuk ka vende të punës kur të hapen vendet e punës, ti ja ndihmon bizneseve edhe pak prej buxhetit, prej një fondi të veçantë që të marrim më shumë veta në punë, një rritje të punësimit, si mundet me sigurie një fond nga mjetet e privatizimit ku që dy vjet bordi është i pakompletuar, vëmendjen e kanë qysh me ja u gjet vendet militanteve të vet’ ka thënë ai, transmeton “Zeri.info”.
Sipas tij, papunësia nuk mund të zbutet me ketë trend të zhvillimit ekonomik. “Papunësia me u zbut duhet me pas një normë të zhvillimit, një normë të rritjes të produktit mbi 8 përqind. Edhe Banka Botërore ka thënë se pa u rrit kjo normë të rritjes nuk ka nxitje të zhvillimit dhe nuk ka vende të reja të punës.
Është e pamundur dhe nuk ka kapacitet kjo ekonomi që në këtë formë, me ja absorbu 20 mijë të rinj që hynë në vendin e punës, është e pamundur, buxheti është 500 milion për investime edhe nuk ka arritur me zgjedh edhe atë problem e po u shtojcat nja 20 milion prej atij fondi, asgjë nuk është mundet me i ndihmue pak me nxit punësime në disa veta, njëfarë përkrahje modeste por kur nuk mundet me zgjidh papunësinë në vend” ka thënë ai./Marrë nga Zëri
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.