Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, mori pjesë në Konferencën e mbajtur në Paris, Francë, organizuar nga UBIFRANCE (Agjencia Franceze për Zhvillimin e Aktiviteteve Ndërkombëtare të Investimeve të Shoqërive Franceze).
Konferenca kishte për objektiv kryesor afrimin e mëtejshëm të biznesit francez në vendin tone, në kuadër të së cilës, ministri Gjiknuri promovoi Shqipërinë, si të përshtatshëm për investime në fushën e industrisë dhe atë të energjisë dhe ku tashmë janë përmirësuar kornizat ligjore për garantimin e sigurisë së tyre.
Ministri deklaroi se qeveria shqiptare është në diskutime me investitorët e interesuar potenciale për mundësinë e realizimit të projektit të hidrocentralit të Skavicës, një projekt me rëndësi strategjike për sigurinë energjitike.
Ministri më tej rikujtoi potencialet e vendit tonë për energjinë, ku burimet ujore janë të shumta. Për sa i përket linjave të interkonjeksionit, ministri deklaroi se është realizuar linja me Kosovën dhe po planifikohet ajo me Maqedoninë, duke forcuar kështu marrëdhëniet ekonomike në rajon.
“ Përmes këtyre linjave do të mund të zgjerojmë mundësitë për tregtimin e energjisë së gjeneruar nga burimet e reja, një shans i mirë ky për investitorët privatë që duan të angazhohen në këtë fushë.”, është shprehur Gjiknuri.
Ministri njohu investitorët edhe me reformën e energjisë të cilën po e ndërmerr qeveria shqiptare duke insistuar se synohet nxjerrja sa më shpejt e sistemit nga problemet financiare dhe liberalizimi i 40% të tregut të energjisë brenda vitit 2018 dhe përmendi edhe avantazhet e pafunda të projektit TAP për vendin tonë, duke i ftuar investitorët francezë të konsiderojnë interesimin e tyre në fushat e përmendura më lart.
Të pranishëm në takim ishin Ministri i Energjisë dhe Industrisë , Damian Gjiknuri, Ministrja e Inovacionit zonja Milena Harito dhe Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto, të cilët kanë diskutuar me sipërmarrësit për fushat respektive që mbulojnë duke ju përgjigjur pyetjeve konkrete.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.