Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka blerë nga tregu më shumë se 7 milionë euro energji për periudhën 16-30 nëntor. Sasia e blerë për të siguruar furnizimin normal është në nivelin 76.5 mijë MW me një çmim mesatar prej 92.25 euro/mwh. Sigurimi i energjisë duket se nuk ka qenë një procedurë edhe aq e thjeshtë për Operatorin e Shpërndarjes të cilit i është dashur që të zhvillojë pesë faza negocimi me kompanitë furnizuese në treg deri në kontraktimin e sasisë së nevojshme për të cilën kompania kishte nevojë.
“Duke qenë se nga ofertat e ardhura ne fazën 4, nuk ishte arritur sigurimi i sasisë së kërkuar për të optimizuar portofolin ekonomik te OSHEE sh.a., Komisioni i Blerjes vendosi të negocioje me të gjitha kompanitë për të rritur sasitë dhe për të ulur çmimin për njësi. Anëtaret e komisionit, datë 14/11/2018 9:00 u futën në sistemin e prokurimit online të blerjes me anë të llogarive të tyre dhe në sistem gjetën ofertat për fazën 4 të optimizimit. Kompanitë që kaluan në fazën e negocimit sipas tabelës së vlerësimit të ofertave janë: ENERGY TO ENERGY AL, n4t-group, EFT AG , GEN-I TIRANA, DEVOLL HYDROPOËER SH.A, NOA” nënvizon OSHEE në dokumentin e saj të bërë publik pas mbylljes së procedurave.
Kjo nuk është hera e parë që OSHEE ble nga tregu për të siguruar një pjesë të mirë të energjisë së destinuar për konsum nga konsumatorët furndorë. Për tetorin u zhvillua një procedurë e ngjashme por që u zhvillua në shtator dhe ku u siguruan dy çmime të ndryshëm sipas profileve të kërkuar.
“Totali i energjisë elektrike e ofruar dhe kërkuar për t’u blerë nga OSHEE sh.a. për çdo profil ishte loti 1, 67,200.00 MWh e konvertuar në vlerë monetare 5,204,892.00 Euro, me një çmim mesatar prej 77.45 Euro/MWh dhe loti 2, 44,800.00 MWh e konvertuar në vlerë monetare 4,121,152.00 Euro, me një çmim mesatar prej 91.99 Euro/MWh.
Deri më tani në vetëm dy muaj totali i parave të shpenzuara nga OSHEE për të garantuar furnizimin normal me energji edhe përmes importit ka arritur mbi 16 milionë euro.
Çmimet e energjisë në tregun e parregulluar pritet që të pësojnë rritje të mëtejshme nëse nuk do të ketë ndryshime në situatën hidrike në vend apo rajon. Mungesa e shirave gjatë këtyre muajve të vjeshtës ka detyruar prodhuesit që të optimiziojnë maksimalisht burimet e tyre ashtu sikurse po ndodh edhe me KESH.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.