Gara e të dielës mbrëma: 2XL i “afrohet” Portokallisë?

03/05/2012 7:19 AM 0 komente

Nuk e kemi fjalën për audiencën, sepse ajo ende në Shqipëri nuk matet në mënyrë të shpejtë dhe profesionale, por për çmimet e reklamave, që ofrojnë dy shfaqjet e humorit të të dielave, gjithmonë sipas tarifave zyrtare të servirura nga të dy televizionet. Vizion Plus, që e ndërtoi Apartamentin 2XL me djemtë që u larguan nga Portokallia, këtë sezon ka vendosur një çmim të lartë prej rreth 198 mijë lekë për ndërprerjet brenda emisionit dhe 90 mijë lekë përpara programit.

Portokalli, që të dielave merrte audiencën maksimale (asnjë televizion deri vonë nuk tentonte të matej me të), duket se po e ndien konkurrencën nga 2XL edhe X Factor në Klan, por edhe një lloj maturimi nga vite të tera transmetim. Tarifat për ndërprerje publicitare në spektaklin “Portokalli” janë pak a shumë të njëjta me ato të 2XL, në 204 mijë lekë.

X Factor në TV Klan është një tjetër shoë që po tenton të rrëmbejë nga audience e humorit të së dielës. I bindur për audiencën e vet, ai ka vendosur një tarifë të lartë për programin e mbrëmjes prej 1500 euro për një spot prej 30 sekondësh, pra rreth 210 mijë lekë, duke u bërë më i shtrenjti i së dielës (gjithmonë sipas tarifave zyrtare).

Ndërsa gara e të dielës mbrëma është ashpërsuar këtë sezon, mundësitë e zgjedhjes për bizneset që duan të reklamojnë janë shtuar, po ashtu dhe kostot për të vendosur një spot në këto emisione.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of