Ministria e Zhvillimit Urban paraqiti në Kuvend projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes për bashkëpunimin teknik, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane, përfaqësuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, për programin e zhvillimit rajonal për Shqipërinë”.
Sipas ministres Eglantina Gjermeni, ky projektligj është një platformë pune me impakt të drejtpërdrejtë dhe të matshëm në rritjen e kapaciteteve institucionale dhe teknike, përmirësimit të kuadrit ligjor për zhvillimin rajonal dhe mbi të gjitha realizimit të projekteve konkrete ndërvendore, në kuadër të zbatimit të “Programit të Zhvillimit Rajonal për Shqipërinë”, faza e tretë. Ai bashkëfinancohet nga qeveria zvicerane dhe ajo austriake me grantin në vlerë 3.2 milionë euro.
“Ky program është bashkërenduar me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim të Shqipërisë 2015-2020, e cila përcakton objektivat strategjikë dhe zhvillimin rajonal, si dhe është në linjë me projektligjin e zhvillimit të rajoneve dhe me strategjinë e decentralizmit në vend.
Biem të gjithë dakord se, reforma administrative-territoriale ka krijuar struktura vendore më efikase, duke shmangur fragmentarizimin e fondeve apo investimeve publike, rritur shfrytëzimin e potencialeve ekonomike për territore tashmë më të mëdha, si dhe në ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët.
Gjithashtu, ka ofruar një mekanizëm dinamik për fuqizimin e hapësirave ekonomike, sociale dhe kulturore përmes bashkëpunimit ndërmjet njësive administrative kufitare, por edhe në kuadër të rritjes së konkurrueshmërisë ndërmjet tyre.
Në fillim të vitit të shkuar, Qeveria ndërmori nismën për krijimin e katër agjencive të zhvillimit të rajoneve. Të katër këto institucione kanë si objektiv të punës së tyre inkurajimin e zhvillimit të modeleve të qëndrueshme të bashkëpunimit dhe partneritetit, reduktimin e diferencave social-ekonomike midis rajoneve, si dhe promovimin e ekonomive lokale, rajonale e ndër-rajonale nëpërmjet zbatimit të projekteve konkrete. Në harkun kohor të këtyre dymbëdhjetë muajve, këto agjenci kanë përfituar nga Fondi për Zhvillimin e Rajoneve, katër projekte.
Kjo politikë e përbashkët investimesh do të kontribuojë në krijimin e një mjedisi të shëndetshëm social, ekonomik dhe mjedisor, si dhe në ruajtjen dhe promovimin e potencialeve natyrore dhe kulturore për të gjitha rajonet.
Sigurisht që, kjo qasje e re do të kërkojë kohë dhe përkushtim për të formësuar, së pari, kulturën e bashkëpunimit dhe punës në ekip ndërmjet qeverisë qendrore dhe asaj vendore apo edhe njësive vendore me njëra – tjetrën”, tha ministrja Gjermeni.
Ky vizion do të zbatohet në Programin e Zhvillimit Rajonal për Shqipërinë, ndërhyrjet e të cilit përqendrohen në:
1.Kuadrin ligjor dhe hartimin apo përmirësimin e politikave kombëtare për zhvillimin rajonal;
2.Rritjen e kapaciteteve teknike dhe institucionale të katër agjencive të zhvillimit rajonal, Ministrisë së Zhvillimit Urban si institucion lider për zbatimin e kësaj marrëveshje, por dhe si institucioni përgjegjës për hartimin e instrumenteve dhe dokumenteve kombëtare të planifikimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.