Balfin
Balfin është grupi me fitime më të mëdha në vend. Pesë kompanitë kryesore të grupit, RFZ Building, MANETCI, Albchrome, Tirana East Gate, Qendra tregtare Univers, NEPTUN deklaruan në total fitime prej 4.5 miliardë lekë (33 milionë euro), me rritje 122% me bazë vjetore, si rrjedhojë e performancës së mirë të subjekteve me aktivitet në fushën e ndërtimit. Kompania e grupit me ecuri më negative është SPAR, me 305 milionë lekë humbje. Kjo e fundit, në dhjetor 2016 përthithi RFZ Bulding, sipërmarrjen me përfitueshmëri më të lartë të grupit.
Kastrati
Kastrati është grupi më i madh sa i përket xhiros, por i dyti për fitime, teksa tregtimi i naftës, që është aktiviteti bazë, rezulton me përfitueshmëri të ulët. Tre kompanitë kryesore të grupit KASTRATI SH.A. (tregtim me shumicë i naftës), KASTRATI (tregtim me pakicë i naftës) dhe Alb-Siguracion (sigurime) rezultuan me një fitim prej 2.2 miliardë lekësh (16 milionë euro), me një rritje prej 6% me bazë vjetore.
Kompania tjetër e grupit Auto Star Albania, distributori zyrtar i Mercedez Benz në Shqipëri ka vijuar aktivitetin me humbje, ndonëse ato u reduktuan në nivele minimale prej 950 mijë lekësh, nga 19 milionë lekë në 2015-n.
Infosoft-Joti
Katër kompanitë e grupit Infosoft-Joti (që ka aktivitet në fushën e tregtimit dhe informatikës), INFOSOFT SYSTEMS, INTER TRADE & DISTRIBUTION, INTERBRANDS, INTER TRADE & DISTRIBUTION, kishin fitime prej 1.5 miliardë lekësh në 2016-n (rreth 11 milionë euro), me një rritje të ndjeshme prej 69% me bazë vjetore.
Kompanitë kryesore të Grupit Infosoft kanë realizuar në total një xhiro prej 21.4 miliardë lekësh në aktivitetin në Shqipëri, sipas të dhënave nga Tatimet, me rritje prej rreth 5%. Në fund të vitit 2016, 49% të kuotave të ITD iu shitën grupit Balfin.
AGNA
Dy kompanitë kryesore të grupit, Agna sh.a. (shpërndarës produktesh dhe investues), Alfa sh.a. (ambalazhues i Pepsi, Ivi, 7Up, Lipton Ice Tea; prodhues i Glina dhe Spring; shpërndarës i Heineken, Amstel, Alfa Beers, Tsantali Wines dhe Shark Energy Drink), realizuan për vitin 2016 fitime prej 1.1 miliardë lekësh, pothuajse të njëjtin nivel me 2015-n. Dy kompanitë raportuan një xhiro prej rreth 21.4 miliardë lekësh, me një rritje prej 7.3% në raport me vitin e mëparshëm.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.