Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, gjatë prezantimit të Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2017 në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave u ndal tek kursi i këmbimit. Forcimi i lekut gjatë dy viteve të fundit ka qenë në vëmendjen e Bankës së Shqipërisë, si pasojë e ndikimit të gjithanshëm që ka ky faktor mbi treguesit e përgjithshëm ekonomikë e financiarë, përfshi dhe inflacionin.
Sipas analizave të Bankës së Shqipërisë reflektohet se tendenca mbiçmuese e kursit të këmbimit pasqyron përmirësimin e faktorëve fondamentalë, të tillë si ngushtimi i deficitit tregtar dhe i atij të llogarisë korrente, nivelet e larta të prurjeve valutore në formën e investimeve të huaja direkte, si dhe rritja e besimit ndaj monedhës kombëtare në tregun e brendshëm financiar. Për sa kohë ky mbiçmim përfaqëson efektin e faktorëve të qëndrueshëm ekonomikë e financiarë, ai nuk sjell pasoja të dëmshme për ekonominë shqiptare. Megjithatë, efektet e tij shfaqen në formën e presioneve të reduktuara inflacioniste në tregun e brendshëm shqiptar. Forcimi i lekut vlerësohet të ketë reduktuar inflacionin e vitit 2017 me 0.2-0.3 pikë përqindje.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.