2019-a shënon 350-vjetorin e vdekjes së Rembrandt van Rijn. Vepra e mjeshtrit të madh dhe periudha gjatë së cilës jetoi, do të përkujtohen në Holandë gjatë gjithë vitit 2019 me “Rembrandt dhe Shekulli i Artë”, me ekspozita që do të shfaqin aspekte të ndryshme të jetës dhe punës së këtij mjeshtri të madh dhe artistëve bashkëkohorë me të
Ekspozitat ekskluzive në Amsterdam, Delft, Dordrecht, Haarlem, Hoorn dhe Enkhuizen, Leida, Middelburg dhe Hagë janë një rast i mirë për të zbuluar në qendrat historike të këtyre qyteteve dhe muzeve të tyre, atë “Shekull të Artë”, i cili ishte i begatë për vendin e tulipanëve.
Leida
Është vendi i lindjes së Rembrandt dhe nga data 3 nëntor 2019 deri më 8 shkurt 2020, në Muzeun De Lakenhal do të qëndrojë e hapur ekspozita “Young Rembrandt” (Rembrandti i ri), një shëtitje pas në kohë, në vitet e para të mjeshtrit holandez, për të zbuluar se si u zhvillua talenti i tij i lindur artistik në vendlindjen e tij mes viteve 1624 – 1634. Disa nga veprat e tij do të sillen në Leida pas më shumë se 400 vitesh, si hua nga koleksionet e muzeve kombëtare dhe ndërkombëtare.
Haarlem
Në fund të shekullit XVI, shumë banorë të rajoneve në jug të Holandës, vendosën të shkonin në veri, si për arsye ekonomike, si për shkak të kërcënimit nga inkuizicioni. Pikërisht në Haarlem, artistët i dhanë jetë një klime artistike, me zhvillimin e stileve unike dhe shfaqjen e llojeve të reja të zhanreve dhe subjekteve. Në muzeun Frans Hals Museum, i cili është rikonstruktuar kohët e fundit, më 10 shkurt është hapur ekspozita “Frans Hals and the Moderns.”
Delft
Duke shëtitur në kanalet e vjetra të qendrës së Delft do t’ju duket sikur do të bëni një shëtitje më Shekullin e Artë. Në atë periudhë, qyteti ishte pikëtakimi për shumë artistë dhe studiues. Nga Vermeer te Pieter de Hooch, tek Anthony van Leeuwenhoek e juristi Hugo de Groot.
Ekspozita “William the silent is here” e cila ishte e hapur deri më 3 mars 2019, në Muzeun Prinsenhof, ishte një hap pas në kohë, në gjurmën e këtij mjeshtri të madh.
Hagë
Shtëpi e pikturës së famshme “Vajza me vëth perle” e Johannes Vermeer, Haga, ka shumë për të ofruar. Është një qytet i pasur me kulturë dhe histori – një ndërthurje e mjeshtërve të së shkuarës me ata modernë, e dyqaneve dhe pallateve madhështore, e kuzhinës ndërkombëtare me ushqimet vendase. Ekspozita “Rembrandt at The Mauritshuis” (emri i muzeut) e cila është çelur më 31 janar, do të qëndrojë e hapur deri më 7 korrik 2019.
Dordrecht
Gjatë Mesjetës, Dordrecht u shndërrua në një pikë kyçe tregtare dhe qeverisëse për gjithë rajonin. Falë zhvillimit të hershëm, Shekulli i Artë për Dordrecht nisi që në fillim të shekullit XIV, madje edhe më parë se në pjesën tjetër të vendit. Qyteti ishte dëshmitar i lindjes së Holandës, në formën e saj moderne. Me rastin e “Rembrandt dhe Shekulli i Artë”, në Muzeun e Dordrecht do të qëndrojë e hapur, deri më 26 maj, ekspozita “Work, pray and admire – një vështrim i ri mbi artin dhe kalvinizmin”.
Amsterdam
Ndërtesa që ngrihen mbi kanale, muze të pasur me thesare të paçmuara, kjo është esenca e qytetit. Në shekullin XVII, Amsterdami ishte një nga qendrat ekonomike dhe tregtare më të begata në botë. Në muzeun e mrekullueshëm Rijksmuseum, më 15 shkurt u çel ekspozita “All Rembrandts” e cila do të qëndrojë e hapur deri më 10 qershor 2020. Në të njëjtin muze do të hapet edhe ekspozita “Rembrandt-Velázquez” (11 tetor 2019 deri më 19 janar 2020).
Hoorn & Enkhuizen
Portet historike të Hoorn dhe Enkhuizen janë të mrekullueshme, ndodhen vetëm 40 minuta larg nga Amsterdami. Në të kaluarën ishin të dy porte kyçe për Kompaninë Holandeze të Indisë Orientale (VOC), kompania më e fuqishme e shekullit XVII. Dy portet, ndër të tjera, ishin qendra të rëndësishme për tregtinë ndërkombëtare dhe tërhoqën një numër të madh eksploruesish, shpikësish, shkencëtarësh dhe artisësh, të cilët vendosën të zhvendoseshin dhe të jetonin në këto dy qytete të bukura. Në Westfries Museum në Hoorn do të qëndrojë e hapur nga data 26 tetor 2019 deri më 26 janar 2020 “Cool Waters”, një përzgjedhje me 40 piktura që vijnë nga koleksioni i Rijksmuseum në Amsterdam, me temë ujin.
Leeuwarden
Si mund të bëje për vete një femër dhe më pas të martoheshe me të gjatë Shekullit të Artë? Kjo është tema e ekspozitës “Rembrandt and Saskia | Love and Marriage in the Dutch Golden Age” (Rembrandt dhe Saskia, dashuri dhe martesë në Shekullin e Artë” në muzeun Fries Museum në Leeuwarden (do të qëndrojë e hapur deri më 7 mars 2019).