Një kartë SIM, që mund të programohet menjëherë dhe të regjistrohet në cilindo rrjet, kjo do të revolucionalizojë “internetin e gjërave” dhe do t’i lejojë prodhuesit e pajisjeve të kthehen vetë në rrjete. Kjo gjë është akoma e paligjshme në shumicën e vendeve.
Së fundmi, në Holandë, ligjvënësit kanë vendosur të lejojnë çdo kompani, qoftë ajo Apple, Audi apo ato lokale, që të kenë kartat e tyre SIM të konfiguruara jo në ndonjë rrjet të veçantë. Holanda është i vetmi vend që po ndryshon rregullat në këtë fushë, por nëse edhe vendet e tjera do ta ndjekin si shembull, atëherë do të ketë ndikime të mëdha në “internetin e gjërave”, madje do të ndryshojë edhe mënyrën e të blerit të shërbimeve të lëvizshme.
Disa vite më parë, në një publikim të Gigaom.som, analisti europian për politikat dhe ekonominë, Rudolf van der Berg, pati shpjeguar se një aplikim i tillë mund të funksiononte për Apple nëse do të zgjidhte të dilte nga lidhja me rrjetin, t’ua shiste lidhjen direkt klientëve të iPhone. Në parim, Apple do të pajiste me karta SIM të gjithë klientët e saj dhe më pas, në distancë, do t’u caktonte atyre rrjete të ndryshme transportimi në varësi të aktivizimit që klientët do të bëjnë.
Në këto kushte, Apple do të mund të blinte shërbime zanore dhe të dhënash në masë nga qindra rrjete të ndryshme në të gjithë botën, e më pas do të mund të zgjidhej rrjeti i duhur për klientët. Për shembull: nëse një përdorues i iPhone do të linte vendin e tij për një vizitë në Francë, ai nuk do të ngarkohej me tarifat e zakonshme të roaming, por Apple do ta rifuste kartën e tij SIM në një nga rrjetet franceze. E kjo do të mund të realizohej kudo në botë.
“Për të kuptuar interesin e Apple apo Samsug për t’u kthyer në transportues për klientët e tyre, atëherë duhet të kthehemi prapa në vitin 2010. Gigaom.som shkruante se Apple po punonte për realizimin e një karte SIM të tillë, por nuk pati rezultate. Nëse do të kishte rezultuar e suksesshme, atëherë do të kishte një përdorim të jashtëzakonshëm për komunikimin pajisje me pajisje (M2M).
Merrni rastin e një prodhuesi makinash si GM, që u vendos të gjitha makinave të tyre sistemin lidhës LTE ose 4G. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, GM ka vetëm një operator. Nuk ka asnjë rëndësi nëse blihet një smartfton me plan tarifor nga rrjeti Verizon ose T-Mobile, por nëse dëshironi të lidheni me makinën Chevy, me rrjetin 4G (LTE), atëherë ka vetëm një mundësi, AT&T.
Me një rrjet të tillë kartash SIM, një prodhues makinash do të mund t’i instalonte në makinat e tij. Rrjeti mund të ndryshohej sa herë që të dëshirohej ose mund të kalohet në një sistem të shumëfishtë për të pasur mundësi që të sigurohej një mbulim i mirë kudo dhe kurdoherë”, thotë van der Berg, i cili tashmë është pjesë e Organizatës për Bashkëpunim e Zhvillim Ekonomik (OECD).
Ndërkohë ka nga ata që mund ta kundërshtojnë si koncept, por industria e prodhimit të telefonave të lëvizshëm do të përfitonte shumë nga kjo. Në “internetin e gjërave” ka ende shumë vështirësi në lidhjen midis pajisjeve në rrjetin celular e kjo do t’u kërkonte prodhuesve të ishin pjesë e vetëm një rrjeti.
Natyrisht do të duhet shumë kohë që kjo lidhje të bëhet realitet. Holanda po e lehtëson me rregullat e saj dhe GSM e mbështet këtë si koncept, por realizimi i një rrjeti “asnjanës” ende nuk lejohet me ligj në shumë vende. Pjesëmarrja e rregullatorëve holandezë në këtë projekt është një fitore e madhe, që jep shembull e shpresë.