Nuk është një lojë fjalësh. Aspak! Është filozofia që normalisht duhet të drejtojë procesin e përgatitjes së Shqipërisë për të përmbushur standardet e BE-së me qëllim integrimin në këtë bashkim shtetesh dhe tregjesh. Praktikisht, deri më sot kemi vërejtur të kundërtën. Bëhen deklarime shumë optimiste, sidomos nga klasa politike mbi të ardhmen e Shqipërisë në Europë. Ndërkohë shumë pak punohet që kjo e ardhme të kthehet në realitet në një kohë sa më të shkurtër. Dhe sa herë që premtimet propagandistike nuk realizohen, aq herë marrin rëndësi renditjet e justifikimeve për të fshehur të vërtetën. E gjitha kjo e ka katandisur të kuptuarin e procesit të integrimit në një tra kufiri e materializuar në viza udhëtimi për shqiptarët.Në të vërtetë integrimi në BE ka një natyrë krejt tjetër. U deshën disa dështime radhazi të këtij procesi që më së fundi të arrihet që nga klasa politike shqiptare të shpallen afate integrimi që kapin periudha njëdekadëshe. Kuptohet objektiva të tillë janë edhe më komodë për këdo që i shpall … . Se kismet se ç ndodh pas një dekade … aq më tepër në një vend me qëndrueshmëri të brishtë si Shqipëria.Prandaj, është më mirë të ndryshohet koncepti. T i rikthehemi parrullës Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa … . Por edhe ta ndryshojmë paksa atë duke shtuar … edhe pa qenë pjesë e BE-së. As kjo e fundit nuk është lojë fjalësh. Përkundrazi është mekanizmi që duhet përdorur për ta zhvendosur trajtimin e procesit të integrimit nga deklarime politike e propagandistike, në angazhim dhe punë konkrete për të përmbushur të gjitha kriteret dhe standardet e BE-së. Por për vete! Jo për të përftuar lavdërime në raportet e ndërkombëtarëve. Të ndërtojmë demokracinë dhe të respektojmë të drejtat e njeriut: për vete; për të qenë qytetarë të lumtur, edhe nëse udhëheqësit tanë nuk kanë një vend në fotot e udhëheqësve të BE-së. Të luftojmë hajdutllëkun dhe krimet dhe të përmirësojmë punën e institucioneve, jo që të përftojmë buzëqeshje europiane: po ashtu për vete; që të përmirësohet cilësisht jeta e shqiptarëve. Të luftojmë varfërinë, të shkollohemi më shumë, të jemi më të shëndetshëm dhe me më shumë mirëqenie: gjithnjë për vete; për të zhdukur inferioritetin në raport me qytetarët e BE-së. Gjithçka ta bëjmë për vete, që ne të jemi më mirë. Po e arritëm këtë BE-ja aty është dhe nuk do të kemi më nevojë t i trokasim në derë.Të punojmë për integrimin, por jo për hir të integrimit, por për hir të vetes tonë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.