Investimet e huaja direkte (IHD) kanë vijuar që të jenë të larta në tremujorin e parë të këtij viti, ndonëse ato kanë shënuar rënie në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, totali i investimeve të huaja për janar-mars 2013 arriti në 197 milionë euro, nga 206 milionë euro për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me një rënie vjetore prej 4.5%.
Pjesa më e madhe e këtyre investimeve përbëhet nga kapitali i vet dhe fitimi i riinvestuar.
Edhe gjatë vitit të kaluar, IHD-të ishin relativisht të larta në pjesën e parë të vitit, për të rënë më pas ndjeshëm në tremujorin e fundit.
Sipas statistikave, në tremujorin fundit të vitit 2012, investimet e huaja ranë me 36% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar (nga 288 milionë euro në 184 milionë euro), pasi kishin qëndruar pothuajse të pandryshuara në tremujorin e tretë të vitit. Përshkallëzimi i krizës ekonomike evropiane duket se ka ndikuar dhe në frenimin e investitorëve të huaj.
Rritje e ndjeshme e investimeve të huaja u konstatua vetëm në tremujorin e parë të 2012-s në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me pothuajse një trefishim, nga 85 milionë euro në 206 milionë euro, megjithatë kjo rritje e lartë erdhi si rrjedhojë e nivelit të ulët të investimeve në tremujorin parë 2011, si rrjedhojë e tërheqjes së investitorëve nga trazirat politike të 21 janarit 2011.
Në total, investimet e huaja direkte për gjithë vitin 2012 arritën në 746 milionë euro, duke qëndruar në të njëjtin nivel si në vitin 2011.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.