Ndonëse pjesa e parë e vitit ka qenë e vështirë për ekonominë shqiptare, investimet e huaja direkte kanë shënuar tendencë rritëse.
Sipas të dhënave nga bilanci i pagesave, të publikuara nga Banka e Shqipërisë, totali i investimeve të huaja direkte për 6 mujorin arriti në 446 milion euro duke shënuar një rritje prej 12% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke iu afruar vitit më të mirë deri tani porsa i përket këtij treguesi, 2009-s. Rreth 97% e kësaj shume ka ardhur nga kapitali i vet dhe fitimi i riinvestuar.
Performanca më e mirë e investimeve të huaja është shënuar në tremujorin e dytë, ku ato arritën në 249 milionë euro, me një rritje prej 30% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Të dhënat e mëparshme të Bankës së Shqipërisë kanë treguar se Kanadaja, Greqia dhe Austria ishin investitorët më të mëdhenj në vend në vitin 2011, me përkatësisht 18.6%, 17.3% dhe 15.6% të stokut të investimeve të huaja direkte, në përqindje ndaj stokut total.
Pesha e Kanadasë është rritur me shpejtësi, si rrjedhojë e investimeve të Bankers, kompanisë që ka marrë me koncesion shfrytëzimin e disa vendburimeve të naftës në zonën e Patos Marinzës. Vetëm dias vjet më parë, në 2008-n, stokut i investimeve të huaja kanadeze, në përqindje ndaj stokut total ishte 0.4%.
Greqia vijon të jetë në vendin e dytë, por rëndësia e tij ka rënë, duke bërë që pesha e investimeve greke të zbresë me rreth 11 pikë përqindjeje në 2011-n, nga 27% që ishte në 2008-n.
Pesha e investimeve austriake është rritur ndërkohë nga 9% në 2008-n, në 15.6% në fund të 2011-s, kryesisht si rrjedhojë e disa investimeve të mëdha në energjetike (HEC-et e Devollit dhe të Ashtës).
Italia është vetëm partneri i katërt i Shqipërisë porsa i përket stokut të investimeve, me 12.3% të totalit, nga vendi i dytë që zinte në 2008-n, me 15.6% të totalit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.